Mbetjet nga asgjësimi i municioneve kanë marrë sërish jetë njerëzish, duke e rritur më shumë numrin e viktimave, ndërkohë që Ministria e Mbrojtjes shfajësohet me faktin se poligoni ku ka ndodhur shpërthimi, ishte i pajisur me tabela për rrezikshmëri të lartë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur afër repartit ushtarak të Bigasit në Skrapar, ndërkohë që poligoni kombëtar, i cili ishte pranë repartit, nuk ruhej nga asnjë ushtarak, pavarësisht se aty bëheshin asgjësime të municioneve të ndryshme. Fakti i asgjësimeve është pranuar nga vetë Ministria e Mbrojtjes, që sipas saj, ruajta e ambientit bëhej deri në dy orë pas procesit të asgjësimit. Megjithatë, aty mendohet se kishte mbetur një djegore e pashpërthyer, shpërthimi i së cilës ka sjellë vdekjen e babait të tre fëmijëve, i cili kishte ecur mbi katër kilometra larg vendbanimit për të mbledhur materiale për skrap. Por, vetëm një vit më parë, dy ushtarë u plagosën në repartin e Bigasit dhe në atë kohë u deklarua se ishte ndaluar procesi i asgjësimit të municioneve në këtë poligon. Përveç rasteve sporadike të vdekjes së civilëve në tentativë për të çmontuar predha, në pesë vjet ka pasur tri shpërthime vdekjeprurëse në poligone e fabrika të miratuara demontimi. Më i rëndi është rasti i Gërdecit në vitin 2008 me 26 të vdekur.
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.