Vidhen lekët e pensionistëve në Rubik, nisin hetimet për arkëtarin dhe ekonomisten e zyrës së postës. Burimet zyrtare nga Drejtoria e policisë së Qarkut Lezhë kanë deklaruar se gjatë orëve të natës është vjedhur me thyerje zyra e postës Rubik, brenda të cilës ndodheshin 215.200 lekë, të cilat do t’u shpërndaheshin pensionistëve. Ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të natës dhe është konstatuar vetëm në mëngjes nga punonjësit e zyrës së postës, të cilët kanë gjetur kasafortën e thyer. Sapo është sinjalizuar, policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe grupi hetimorë ka punuar për mbledhjen e dëshmive dhe provave materiale. Ndërkohë është bërë shoqërimi i Lek Markut, 61 vjeç, me detyrë arkëtar, në zyrën postare Rubik, si dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj Dava Lazrin, 50 vjeç, me detyrë ekonomiste në zyrën postare Rubik. “Shtetasit Lek Marku dhe Dava Lazri kanë shpërdoruar detyrën, pasi nuk kanë dorëzuar paratë që ndodheshin në kasafortë, në arkën qendrore të zyrës postare në Rrëshen. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj vepre penale”,-thuhet në njoftimin zyrtarë të policisë së Lezhës për ngjarjen.
15 mars 2012 (gazeta-shqip.com)
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.