Dorëzohet në gjykatë dosja e 21 Janarit. Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka ngritur akuza për katër persona, të cilët akuzohen për vrasje dhe pengime për zbulimin e së vërtetës. Kështu ish-komandanti i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, është zyrtarisht nën akuzë për vrasje në rrethana të tjera cilësuese.
Ish-kryegardisti akuzohet për vrasjen e Faik Myrtajt dhe prova kryesore është akt-ekspertimi i FBI-së. Një tjetër i akuzuar është edhe Agim Llupo, i cili ka mbajtur detyrën e zv.shefit të Shtabit të Njësisë Speciale të Gardës. Ai dyshohet se ka qëlluar me armën e tij Ziver Veizin dhe Hekuran Dedën. Ndaj tij rëndon akuza e vrasjes në rrethana cilësuese, e njëjtë me atë të ish-shefit të tij. Ndërkohë, prokuroria ka ngritur akuzën edhe për shoferin e Prendit, Margarit Kume, i cili akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Kume dyshohet se ka ndërruar tytat e pistoletës me të eprorit.
Ndërkohë, që nën akuzë është edhe Armando Kasa, IT-ja i Kryeministrisë, që dyshohet se ka kryer veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Prokuroria e Tiranës ka konfirmuar më herët, se hetimet ndaj ngjarjeve të 21 janarit do të vijojnë edhe pas dërgimit të dosjes ndaj katër të akuzuarve. Sipas hetuesve, ende nuk është zbardhur roli i gardistëve që formonin të ashtuquajturin “grupi i zjarrit”.
30 prill 2012 (gazeta-Shqip.com)
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.