Një person është vrarë dhe tre të tjerë janë plagosur me armë zjarri, në orët e para të ditës së sotme në kryeqytet. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 01:45 të së mërkurës, pranë tavernës “San Marco”, e cila ndodhet përballë prokurorisë së rrethit të Tiranës. Burimet policore raportuan se pronari i tavernës Nikolin Doda është qëlluar me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar dhe ka ndërruar jetë në spitalin ushtarak në Tiranë.
Ndërkohë që në ngjarje kanë mbetur të plagosur edhe tre persona të tjerë, të cilët janë dërguar në Spitalin Ushtarak në Tiranë për ndihmë mjekësore. Mësohet se të plagosurit janë: Uran Doda, i cili ndodhet i shtruar në reanimacionin në gjendje të rëndë për jetën, si dhe Ilmi Deda e Agron Doçi, të cilët pas mjekimit të plagëve kanë lënë spitalin. Policia ka nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e ngjarjes, e cila paraprakisht mësohet të ketë ndodhur pas një grindjeje të ndodhur në ambientet e brendshme të tavernës.
Policia ka shoqëruar disa persona në cilësinë e dëshmitarit, 6 vajza dhe 3 djem të pranishëm në lokal në momentin që ndodhi vrasja. Ndërkaq ekipi i policisë shkencore ka nisur hetimet për verifikimin e gjurmëve e provave materiale në skenën e krimit. Ende nuk ka një autor të dyshuar dhe një motiv zyrtar për ngjarjen. 2 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.