Përplasje me armë mes policisë dhe një grupi personash, që bllokonin prej javësh qarkullimin e furgonave të linjës Kamëz-Tiranë. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, kur forcat e policisë së komisariatit nr.5, të ndihmuara edhe nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, kanë ndërhyrë për ndalimin e personave që qarkullonin prej ditësh të armatosur.
Ankesat dhe denoncimet e vazhdueshme detyruan forcat e policisë të ndërhynë për të zhbllokuar situatën, por këta persona bënë rezistencë duke qëlluar me armë në drejtim të uniformave bluve. Burime nga policia bënë të ditur se pas disa minutash është bërë e mundur neutralizimi dhe arrestimi i të paktën 15 personave. Gjatë kontrolleve u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi armësh, pistoleta, automatikë dhe mjetet me të cilat lëviznin të arrestuarit.
Sipas policisë personat e ndaluar ushtronin dhune fizike ndaj drejtuesve të furgonave privatë të linjës Kamëz-Tiranë, e cila kryhet nga kompania e autobusëve “Shpresa-Al”. Ndërkohë pritet që Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë të dal më vonë në një konferencë për të dhënë detaje të operacionit dhe identitetet e personave të arrestuar.
2 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.