Policia e Korçës ka arrestuar ditën e sotme 46-vjeçarin Nevrus Hyseni, banues ne lagjen nr. 4 Korçë, me akuzën se kishte shfrytëzuar për disa vite me radhë bashkëshorten e tij, e cila e ka denoncuar, dhe dy fëmijët e saj të mitur. Sipas informacioneve të policisë, 46-vjeçari ishte dënuar më parë për veprën penale të “shfrytëzimit të prostitucionit”.
Mësohet se Nevrus Hyseni, për një periudhë 2-3 vjeçare, shfrytëzonte për qëllime përfitimi, bashkëshorten dhe fëmijët, duke i detyruar të lypnin në vende të ndryshme, por kryesisht në zonën e quajtur ‘Varrezat’ e qytetit, ku ai i detyronte të rrinin me orë të tëra.
Për këtë arsye ka ardhur edhe denoncimi nga ana e bashkëshortes së tij, që ka çuar më pas në arrestimin e 46-vjeçarit. Ndërkohë, policia lokale informon se materialet në ngarkim të këtij shtetasi do i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale “trafikim i femrave” dhe “keqtrajtim i të miturve”. 2 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.