Vrasje e dyfishtë në Tropojë. Një 31-vjeçare dyshohet se ka vrarë bashkëshortin dhe një person tjetër gjatë orëve të para të ditës së sotme. Policia lokale ka arrestuar autoren e dyshuar të ngjarjes së dyfishtë, ndërkohë që ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të skenës së krimit dhe motiveve.
Burimet e policisë lokale kanë deklaruar se ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:45 në lagjen “Partizani” të qytetit të Bajram Currit, ku 31-vjeçarja Manjola Dollapaj ka vrarë me armë bashkëshortin e saj Eduart Dollapaj, 34 vjeç dhe 27-vjeçarin, Kaçanik Gjuriqi.
Sipas policisë dy viktimat janë gjetur në tualetin e banesës së çiftit Dollapaj, ndërsa dyshohet se ngjarja ka ndodhur gjatë një konflikti mes tyre.
Sipas policisë gjatë marrjes në pyetje 31-vjeçarja ka pranuar edhe autorësinë e krimit, por nuk ka sqaruar shumë detaje të skenës së krimit për shkak të tronditjes psikike që ka kaluar. Paraprakisht dyshohet se mes 31-vjeçares dhe të riut Kaçanik Gjuriqi ka pasur një lidhje jashtëmartesore. Në vendin e ngjarjes policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë kallashnikov dhe një thikë, të cilat janë përdorur në kryerjen e krimit të dyfishtë. Policia e Tropojës po punon për sqarimin e rrethanave dhe motivet e ngjarjes.
3 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.