Dje, që nga orët e para të mëngjesit, policia italiane ka kryer kontrolle dhe arrestime ne Lacio, Marche, Toskana dhe në Emilia Romagna, në përfundim të një hetimi që zgjati më shumë se dy vjet, nën koordinimin e Drejtorisë Rajonale të Antimafies. Gjatë operacionit të quajtur “Plata”, në të cilin punuan mbi 250 njerëz të grupeve nga Ostia dhe Fraskati, nga provincat Latina, Livorno, Macerata dhe Parma, u sekuestruan rreth gjashtëqind mijë euro para të thata, më shumë se 50 kilogramë drogë si dhe mjaft armë zjarri dhe municione. Hetimi mundësoi shpalosjen e veprimtarisë së një grupimi të rëndësishëm kriminal që vepronte në Romë, kryesisht në lagjen “Trullo”. Aktiviteti i tyre më i lulëzuar ishte trafiku ndërkombëtar i kokainës dhe hashashit, të importuar nga Spanja dhe Shqipëria dhe më pas të hedhura në treg në zonën jugore të Romës.
Grupimi kriminal, i përbërë kryesisht nga romanë dhe pak shqiptarë, kryesohej nga F.S, me origjinë siciliane dhe i dënuar edhe më parë, i kategorizuar si kriminel i tipit mafioz i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Personi në fjalë kishte në dispozicion, si një bazë operative, një banesë në rrugën Porzio në Romë, ku bashkëpunëtorët mblidheshin për të programuar aktivitetet e jashtëligjshme, si dhe për të mbledhur drogën që do të hidhej më pas në treg. Monitorimi i kësaj baze operative u mundësoi ushtarakëve dokumentimin e operacioneve të shumtë të shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe zbulimin e veprimtarisë së plotë kriminale, duke zbuluar dhe rolin specifik të çdo individi të përfshirë.
Për mbarëvajtjen e operacionit u shpreh i kënaqur edhe zëvendësprokurori Giancarlo Capaldo. “Bëhej fjalë për një organizatë të rëndësishme për nga madhësia e rrjetit. Ishte një grup i armatosur, i përbërë nga individë me të shkuar komplekse”, u shpreh ai. Përveç 32 urdhrave për arrest të lëshuara në mëngjes, në total janë rreth 50 individë që do shqyrtohen nga autoritetet gjyqësore. Niveli i lartë kriminal dhe rrezikshmëria e organizatës lidhet jo vetëm me sasinë e madhe të lëndëve narkotike të tregtuara, por edhe me armët e zjarrit që iu sekuestruan personave të lidhur me këtë organizatë. Në total u sekuestruan 7 pistoleta, 1 shotgan, 52 kilogramë hashash dhe 3 kilogramë kokainë. Pjesëtar i këtij grupi ishte edhe Antonio Maria Rinaldi, i vrarë nga individë të paidentifikuar më 24 janarin e kaluar, në afërsi të banesës së tij në qytetin e Romës. Ky i fundit, sipas verifikimeve të hetuesve, ishte përgjegjës për menaxhimin e kontakteve me organizatat e huaja kriminale që merreshin me furnizimin me drogë.
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.