Veç viktimave për shkak të kushteve nga asgjësimi i municioneve, tashmë shqetësues është bërë edhe fenomeni i shpërthimeve aksidentale, që kanë sjellë vdekjen e civilëve në tentativa për të mbledhur skrap për shitje. Rasti më flagrant është ai i djeshmi, me vdekjen e babait të tre fëmijëve, ku në qendër të vëmendjes është kthyer zona e Bigasit në Skrapar, që rreth një vit më parë solli vrasjen e një ushtaraku dhe plagosjen e tre të tjerëve. Vdekja e 52-vjeçarit Fatos Dyrmishi ka ardhur pas shpërthimit të një djegoreje, e cila kishte mbetur gabimisht në një predhë, që mendohej e parrezikshme, pikërisht në poligonin e Bigasit, që nuk ruhej nga askush, por kishte vetëm tabela për rrezikshmëri të lartë.
Shumë pranë repartit të Bigasit, Fatos Dyrmishi grumbullonte hekura me qëllim tregtimin e tyre për skrap, ndërkohë që tentativa për të çmontuar një predhë ka shkaktuar shpërthimin, duke i marrë jetën në mënyrë të menjëhershme. Rreth orës 09.15 të mëngjesit të djeshëm, shpërthimi i predhës tronditi banorët e fshatit të vogël Dhorez, i cili ndodhet vetëm pak metra larg repartit ushtarak të Bigasit, ku prej gati dy vitesh demontohen municione. Por, këtë herë shpërthimi që kanë dëgjuar banorët nuk ka ardhur nga brenda ambientit të repartit, por në pjesën e jashtme të tij. Reparti i Bigasit ndahet nga zona tjetër e fshatit vetëm nga një kordon teli dhe shumë pranë tij, 42-vjeçari nga fshati Koprenckë, i Komunës Çepan mblidhte hekurishte.
Shpërthimi është dëgjuar edhe nga brenda repartit dhe menjëherë në vendin e ngjarjes janë gjetur ushtarët e vendrojës, si dhe banorë të zonës. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, 42-vjeçari kishte gjetur vdekjen e menjëhershme, si pasojë e shpërthimit të predhës dhe asgjë s’mund të bëhej për shpëtimin e tij. Trupi i pajetë u dërgua më pas në morgun e spitalit të Çorovodës, ku janë kryer hetimet e rastit. Drejt vendit të ngjarjes mbërritën më pas ekspertë të ushtrisë dhe policisë, të cilët paralelisht kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje. Shumë pranë repartit mësohet se janë gjetur pjesë nga predha e shpërthyer dhe disa mjete të tjera të forta, hekurishte, me të cilat 42-vjeçari ishte përpjekur për të çmontuar predhën.
Përftimi nga predha i materialeve prej hekuri, me qëllim tregtimin e tyre për skrap mësohet se është bërë shkak i këtij shpërthimi fatal. Dyrmishi mësohet se ishte parë edhe më parë rreth territorit të repartit, duke mbledhur hekura dhe gjithfarë pajisjesh të tjera që mund të ndodheshin në zonë. Pasi kishte arritur të siguronte disa hekurishte të mbetura rreth zonës, 42-vjeçari kishte gjetur predhën, e cila nuk dihet sesi kishte përfunduar rreth territorit të saj, pa iu hequr djegorja, dhe në përpjekje për ta çmontuar, ka ndodhur shpërthimi që i mori jetën.
Por, për ngjarjen e ndodhur në poligonin e asgjësimit të municioneve në Bigas, Ministria e Mbrojtjes deklaroi se Fatos Dyrmishi ka humbur jetën duke nxjerrë skrap, të përfituar nga municione të mbetura që nga viti 1997, ose të mbetura gjatë asgjësimit të municioneve në këtë poligon. “Sqarojmë se grup-depot në Bigas janë shpërthyer në ngjarjet e vitit 1997, ku krahas armatimeve dhe municioneve të tjera, ka pasur edhe një depo me municione dhe armatim trofe të Luftës së Dytë Botërore. Madje, ngjarja ka ndodhur jashtë territorit të repartit ushtarak”, tha Ministria e Mbrojtjes.
Më tej, zyrtarët e Mbrojtjes thanë se distanca më e afërt e këtij poligoni nga qendrat e banuara është 1200 metra. “Ai është i kompletuar me sinjalistikën e nevojshme paralajmëruese dhe strukturat ushtarake të Brigadës Logjistike kanë zhvilluar mësime treguese, si dhe kanë informuar e sensibilizuar vazhdimisht komunitetin e kësaj zone, si dhe organet e pushtetit vendor dhe Policinë e Shtetit që operon në këtë rajon, me qëllim parandalimin dhe moslejimin në mënyrë kategorike të çdo personi për t’u afruar dhe hyrë në rajonin ku është dislokuar ky poligon”, shpjegoi Ministria e Mbrojtjes, por që mësohet se zona nuk ruhej me ushtarë. Megjithatë, mësohet se sipas procedurave të miratuara, poligoni ruhet para fillimit, gjatë procesit të operacionit të asgjësimit të municioneve, si dhe pas shpërthimit dhe kontrollit të zonës përreth, deri në 2 orë, kohë e mjaftueshme kjo për t’u siguruar se municionet janë shkatërruar dhe nuk mund të vetëplasin. Poligoni i Bigasit është planifikuar të mbyllet brenda muajit gusht të 2012-s, vit në të cilin Ministria e Mbrojtjes do të përfundojë plotësisht procesin e asgjësimit të municioneve me shpërthim në poligone të hapura.
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.