“Qytetarë, ruani veten dhe pronën!” Thirrja vjen në një kohë kur situata e krimit të vjedhjes është bërë kritike duke shkaktuar pasiguri për pronën, por edhe jetën dhe lëvizjen, pasi mjaft vjedhje paraprihen, shoqërohen ose ndiqen më pas nga një krim tjetër ndonjëherë dhe më i rëndë. Fakti që një pjesë e hajdutëve janë përdorues të substancave narkotike dhe vjedhjen e kryejnë gjatë kohës kur nuk kanë se me se të blejnë dozën e radhës, rezistenca ndaj këtyre shtetasve mund të çojë edhe drejt një rreziku real për jetën dhe shëndetin. Në fund të janarit, një 41-vjeçar vrau në Krujë hajdutin e kabllos elektrike me të cilin furnizohej shtëpia e tij. Një i ri u vra nga grabitësit teksa kthehej në darkë vonë për në shtëpi. Ishte volejbollisti i Teutës, 24-vjeçari Juxhin Guza. Një grua përfundoi në urgjencë, pasi ra në një nga pusetat me kapak të vjedhur të lagjes 18. Të tjerë persona kanë përfunduar me plagë nga përleshjet me hajdutët, shumë prej tyre nuk i kanë raportuar këto raste në polici. Duke vlerësuar situatën, policia e Durrësit ka vendosur të këshillojë qytetarët si të mbrohen nga krimi urban i vjedhjeve, që është shtuar frikshëm. Jo vetëm kaq, po janë bërë publike dhe mënyrat që përdorin hajdutët, kryesisht të mitur, për të vjedhur njësitë e shërbimit, kryesisht agjenci dhe lokale.
Nga njëra anë shumë të vlefshme, po nga ana tjetër këshillat policore tingëllojnë të frikshme duke e shtuar pasigurinë te qytetarët, te secili prej nesh. Gjithsesi, duhet pranuar që prej kohësh kushdo që ka rënë pre e hajdutëve ordinerë në rrugë, shtëpi a lokale apo dhe ka dëgjuar për raste të tilla ka nisur të marrë natyrshëm masa për të mos u viktimizuar. Gratë kanë nisur t’i shmangen vendosjes së bizhuterive të florinjta dhe atyre me gurë të çmuar. Tërheqja e parave nga bankomatet buzë rrugëve është bërë gjithashtu veprim i rrezikshëm dhe pothuajse të gjithë ata që duhet të marrin paratë, djersën e punës së një muaji i bëjnë sytë katër për të mos rënë pre e grabitjeve. Jo vetëm gratë. Të gjithë ndihen të pasigurt.
Ndërkohë pothuajse përditë komunikatat policore janë të mbushura me raste vjedhjesh të zbardhura, të tjera qëndrojnë në pritje, por shumica e tyre kryhen nga të mitur, që për shkak të moshës i rikthehen jetës normale dhe rrjedhimisht vjedhjeve individuale ose në grup. Kthehen në përsëritës të krimit duke u shndërruar në kontingjentin e ardhshëm jo vetëm të krimit të rrugës, por edhe të atij të organizuar. “Mos harroni që krahas punës që Policia e Shtetit kryen në drejtim të sigurimit të pronës, parandalimit e goditjes së veprave të tilla penale, pak më tepër kujdes nga ana e gjithsecilit do të ishte një tjetër masë në mosfavorizimin e këtyre veprave penale. Mbani parasysh që shpeshherë është në dorën tuaj nëse do të bëheni personi i përzgjedhur nga vjedhësi, apo jo?!”- tërheq vëmendjen Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit, ndërsa fton këdo që ka informacion për autorë vjedhjesh të bashkëpunojë, duke u siguruar ruajtjen e anonimatit.
Në jo pak raste të gjithë jemi dëshmitarë të djemve të rinj, apo dhe adoleshentëve që na afrohen për të na shitur nën zë me çmim të leverdishëm varëse, unaza dhe ora të florinjta. Ata qarkullojnë normalisht nëpër rrugë, po pothuajse asnjëherë nuk ka rastisur të dëgjojmë për shoqërimin e tyre në polici për të dhënë llogari se ku i kanë gjetur sendet që shesin nën dorë. Asnjë nga ne nuk ka nxituar të ngrejë telefonin dhe të formojë numrin 129 për të raportuar mbi këta persona teksa refuzon blerjen e sendeve.
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.