Dhuna familjare vazhdon të jetë gjithnjë e më e pranishme në shoqërinë durrsake. Gjithnjë e më shpesh viktimat e kësaj dhune i drejtohen policisë për ndihmë nga dhunuesit që në të shumtën janë njerëzit e tyre më të afërt. Në njoftimet e përditshme policore pothuajse nuk mungojnë asnjëherë raste të këtij lloji duke dëshmuar praninë e një fenomeni tepër shqetësues shoqëror, por edhe rritjen e ndërgjegjësimit qytetar për ta denoncuar atë, pavarësisht sa e rëndë është kjo ndërmarrje individuale. Vetëm një ditë më parë, në komunikatën policore raportoheshin gjashtë denoncime, për të cilat autoriteti policor plotësoi kërkesëpaditë për Lëshimin e Urdhrit të Mbrojtjes së Menjëhershme. Denoncuesit janë katër gra dhe dy burra, të dhunuar kryesisht nga bashkëshortët, ish-bashkëshortët, djemtë e tyre dhe në një rast është denoncuar kunati si dhunues i nuses së vëllait. Moshat e të dhunuarve variojnë nga 23 deri në 84 vjeç. Bashkë me moshat, të ndryshme janë dhe historitë familjare, po të gjithë të dhunuarit i bashkon fakti që janë viktima të dhunës fizike dhe psikologjike të familjarëve të tyre. Kështu, një 62-vjeçar, banues në Durrës është detyruar të padisë djalin e tij, 22-vjeçarin O.T., që e ka keqtrajtuar fizikisht. Një padi e ngjashme me të njëjtën palë të paditur të birin, këtë herë një 53-vjeçar, Y.K., është ngritur nga një baba 84-vjeçar nga Durrësi. Padinë e radhës e ka ngritur një 23-vjeçare nga qyteti bregdetar, pasi kunati i saj, bashkëmoshatar me të, shtetasi Sh.E., ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj saj. Ndërsa nuk ka gjetur mbështetje te pjesa tjetër e familjes, e reja i është drejtuar organit të policisë për t’i dhënë fund situatës së dhunshme. Në dy raste të tjera kanë qenë përkatësisht dy gra të reja, 30 dhe 39-vjeçare, që kanë denoncuar bashkëshortët për dhunë fizike dhe psikologjike. Të denoncuarit nga gratë janë dy shtetas përkatësisht 35 dhe 45- vjeçarët, P.K. dhe S.M., ndërsa rasti i gjashtë i përket 48- vjeçarit R.C. që ka dhunuar gruan me të cilën është divorcuar. Edhe pse është ndarë ai vazhdon ta konsiderojë pronë të vetën 47- vjeçaren duke ushtruar dhunë të vazhdueshme psiko-fizike mbi të. Psikologët thonë se prania e dhunës familjare është shumë e përhapur ndërsa infrastruktura sociale për të ndihmuar viktimat e saj është e mangët.
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.