Gazeta SHQIP (E Përditshme e Pavarur)

20 Maj 2013

Semaforët e Tiranës, jashtë funksionit

2012-04-26

“Fiks Fare”

Bashkia: Në janar 2014 do t’i kemi me standard europian

Siguria rrugore është në rrezik të përhershëm, për shkak të mosfunksionimit të semaforëve të kryqëzimeve kryesore të Tiranës. Në shumë kryqëzime të kryeqytetit, semaforët nuk punojnë, ose funksionojnë pjesërisht. Edhe atyre që u funksionojnë të gjitha llambat, më shumë çorientojnë trafikun. Në mes të Tiranës, në bulevardin qendror, në kryqëzimin që ndodhet para ndërtesës së Kryeministrisë në të njëjtën kohë, në të dyja krahët e semaforit ndizen njëherësh sinjalet që i japin të drejtë këmbësorëve dhe automjeteve për të lëvizur. Nëse je këmbësor e ke shumë të vështirë që të kalosh nga njëra anë e rrugës në tjetrën, edhe pse semafori ka ndezur dritën jeshile për ty. Në të njëjtën kohë kalojnë edhe automjetet që ke në krah. Ky është një fenomen që haset në çdo semafor të Tiranës. Në asnjë rast nuk është parashikuar vetëm e drejta e kalimit për këmbësorët. Një pjesë tjetër e semaforëve janë jashtë funksioni. Situata vazhdon të mbetet e njëjtë prej shumë muajsh. Aq rrëmujë janë këta semaforë sa në çdo kryqëzim, përpara semaforëve qëndron edhe një polic rrugor që përpiqet t’i japë zgjidhje gjendjes kaotike të trafikut. Ndodh ndonjëherë që për fat të madh ka energji elektrike dhe këto pajisje nisin të punojnë. Gjysmat e tyre punojnë me ndonjë llambë që u ka mbetur pa u djegur dhe shanset janë të pakta të shikosh dritë të qartë, se balta i ka mbuluar. Duket që askush nuk ka vënë dorë për t’i mirëmbajtur. Drita jeshile në semaforin që ndodhet në kryqëzimin te kryesia e Kuvendit të Shqipërisë është e padukshme. Në të njëjtën gjendje është edhe semafori tek ura e madhe në mes të bulevardit "Dëshmorët e Kombit", po ashtu dhe tek ura e re që të çon te ish- blloku. Semafori që ndodhet në kryqëzimin pranë shkollës "Vasil Shanto" ka llamba të djegura dhe të mbuluara me pluhur. Në kryqëzimin midis Ministrisë së Rendit dhe Ministrisë së Mbrojtjes sinjali jeshil që lejon këmbësorët të kalojnë rrugën zgjat shumë pak dhe nuk është parashikuar gjerësia e rrugës që duhet të kalosh në këmbë. Këmbësorët duhet të pyesin mirë veten kur të kalojnë sepse duhet të jenë të shpejtë në ecje. Bashkia e kryeqytetit, institucioni që përgjigjet për mbarëvajtjen tyre është në dijeni të gjendjes në të cilën ndodhen semaforët e Tiranës. Arsyet e mosfunksionimit të semaforëve, sipas drejtoreshës së transportit dhe lëvizshmërisë në Bashkinë e Tiranës, zonjës Nereida Hoxha, janë disa. Një pjesë e semaforëve janë të dëmtuar dhe bashkia nuk ka bazën materiale për zëvendësimin e tyre, shkak tjetër i mosfunksionimit është edhe ndërprerja e energjisë elektrike, që shpeshherë shkakton edhe kaos në trafik. Këta semaforë janë të programuar në mënyrë manuale dhe secila nga këto njësi punon e pavarur nga njësia tjetër dhe n.q.s. shkëputet energjia elektrike, del nevoja që të bëhet njësoj riprogramimi në një aks rrugor që semaforët të jenë në të njëjtën linjë. Sipas zonjës Hoxha, “Bashkia e Tiranës me mbështetjen e BERZH-it, ka marrë një financim për qendrën e kontrollit të trafikut, ku pjesë do të jetë edhe vendosja e të gjithë rregullatorëve dhe lupave në rrugë që do të bëjnë të mundur që vala e gjelbër ose e kuqe e semaforit të ndryshojë në varësi të ndryshimit të fluksit të mjeteve, jo siç i kemi sot që vendoset një valë konstante e pandryshueshme”. Kjo kontratë mes firmës fituese dhe Bashkisë së Tiranës pritet që të nënshkruhet brenda muajit maj të këtij viti. Ndërsa ndryshimi i sistemit të semaforëve në kryeqytet, sipas kësaj kontrate, parashikohet që të bëhet në afatin brenda një viti e gjysmë. Pra në janar të vitit 2014 mund të shpresojmë që Tirana, të ketë semaforë të standardeve bashkëkohore, si çdo qytet tjetër në Europë sytë i ka, nga një kontratë që pret ta lidhë me BERZH-in. Zonja Nereida Hoxha, drejtore e transportit dhe lëvizshmërisë në Bashkinë e Tiranës konfirmon se “bashkia ka siguruar një fond nga Banka BERZH për t’i dhënë zgjidhje këtij sistemi kaotik të semaforëve”.

Lart: 18°C
Ulet: 10°C

18°C

Nesër

Lart: 24°C Ulet: 11°C

Pasnesër

Lart: 24°C Ulet: 12°C
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.