Gazeta SHQIP (E Përditshme e Pavarur)

23 Maj 2013

Drejtori i bankës: Më fundosi Milani

2012-04-26

Sokol Çobo (KERKO ...)

Julian Lipe luajti 90 milionë lekë për tre gola në ndeshjen me Çezenën. U shënuan vetëm 2

Ish-drejtuesi i një filiali banke në Tiranë, i arrestuar për akuzën e vjedhjes së bankës që drejtonte, ka pohuar se paratë i ka harxhuar në lojëra fati. Julian Lipe tha para hetuesve se më 21 janar 2011, në kohën që Tirana ishte në kaos për shkak të ngjarjeve para Kryeministrisë, hyri në degë jashtë orarit dhe duke qenë në dijeni të kodit të kasafortës, përvetësoi një shumë totale të barabartë me 110.133 euro. Dy ditë më pas, e diel, 23 janar 2011, ka hyrë në një pikë bastesh dhe ka vendosur një skedinë, e cila ishte “një ndeshje e vetme”. Pasdite luhej ndeshja e kampionatit italian Milan-Çezena. Lipe vendosi të luajë 90 milionë lekë të vjetra, të marra në bankë, për këtë ndeshje, duke parashikuar se gjatë 90 minutave do të realizoheshin tre gola e sipër. Ndeshja u fitua nga skuadra e Milanit, e cila shënoi dy gola, ndërsa Çezena, kur në atë kohë luante edhe shqiptari Erjon Bogdani, nuk realizoi asnjë të tillë. Lipe humbi paratë e marra në bankë. Burime nga Prokuroria e Tiranës thanë për gazetën “Shqip” se hetimet për drejtorin e bankës Julian Lipe kanë përfunduar dhe dosja ka shkuar në gjykatë. Prokuroria ka regjistruar procedimin penal nr. 5337, të vitit 2011, ndaj Julian Lipes. Sipas kallëzimit të bërë, personi nën hetim, duke përfituar nga cilësia e tij si menaxher dege, ka përfituar shuma monetare në vlerë 308 mijë euro. Nga hetimit e deritanishme është administruar raporti i auditit të kryer nga ekspertë të bankës.

Vjedhja nga kasaforta

Sipas kërkesës për gjykim të depozituar në gjykatë nga njësia Task-Forcë, kasaforta e degës së Rrugës së Dibrës kërkon një çelës dhe një kod për t’u hapur. Sipas procedurave në fuqi, kërkohet kontroll i dyfishtë në hapjen e kasafortës. Për pasojë, mbajtësi i autorizuar i çelësit ka qenë menaxheri i degës, Julian Lipe, dhe mbajtësi i kodit, një punonjëse tjetër. Ndryshimi i kodit bëhej nga një punonjëse tjetër, por ajo nuk e ndryshoi kodin e kasafortës. Si rezultat, menaxheri i degës ishte informuar për kodin e kasafortës dhe gjatë mungesës së punonjëses, ai e përdori për të kryer përvetësimin. Julian Lipe hyri në degë jashtë orarit të punës të premten më 21 janar dhe të dielën më 23 janar 2011 dhe duke qenë në dijeni të kodit të kasafortës përvetësoi një shumë totale të barabartë me 110.133 euro. Përveç datave të mësipërme, Lipe deklaroi se ai kishte hyrë në degë, me qëllim përvetësimin e të hollave nga kasaforta të dielën më 9 janar 2011 dhe gjatë 14-16 shkurt 2011. Ai i zëvendësoi të hollat në kasafortë disa ditë më pas. Arsyeja e hyrjes në degë dhe përvetësimi i të hollave nga kasaforta, sipas deklaratës, ishte për shkak të zakonit të tij në bastet sportive.

Paratë e klientëve

Krahas marrjes së parave nga kasaforta, Lipe ka pohuar se ka marrë të holla edhe nga depozitat e disa klientëve. U konstatua se 19 pagesa të parakohshme (baras me 203.975 euro) në depozitat me afat të klientëve ishin kryer nga 22 shkurti 2010 deri më 17 dhjetor 2010 pa pëlqimin e klientëve dhe llogaritë e kursimeve të klientëve ishin kredituar automatikisht. Dhjetë prej tyre ishin të afërm të Julian Lipes, siç deklaroi ai. Lipe gradualisht debitonte llogaritë e klientëve, duke udhëzuar punonjësit e sportelit të degës të kryenin transaksionet përkatëse pa praninë e klientit dhe t’i jepnin atij të hollat në dorë ose në disa raste, të kreditonin llogari të klientëve të tjerë, me justifikimin se debitorët ishin miq ose të afërm që do të vinin më vonë për të marrë paratë dhe për të nënshkruar mandatet. Ai deklaroi gjithashtu se falsifikoi nënshkrimet e klientëve në dëftesat. Julian Lipe aplikoi për dy karta debiti pa miratimin e klientëve, duke falsifikuar firmat e tyre në formularët e aplikimit dhe në formularët e marrjes së PIN-it. Të gjitha dokumentet e falsifikuara të autorizuara nga Lipe iu dorëzuan zyrës qendrore. Rezultoi se firmat janë të ndryshme. Mësohet se Lipe përdorte kartat e debitit për të tërhequr cash nëpërmjet llogarive të kursimeve ATM të disa klientëve (të afërmit e tij). Ai përfitoi një shumë totale baras me 4.413 euro.

Lart: 18°C
Ulet: 10°C

18°C

Nesër

Lart: 24°C Ulet: 11°C

Pasnesër

Lart: 24°C Ulet: 12°C
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.