35 familje të fshatit Mërqizë, Komuna Qendër në Librazhd, nuk kanë mundësi të vadisin tokat e tyre, sepse një banor i këtij fshati pretendon se ka marrë në përdorim nga komuna burimin e ujit. “Fiks Fare” dje denoncoi një shkelje të hapur që është kryer me një burim të ujit të pijshëm në këtë zonë. Banorët e fshatit Mërqizë pretendojnë se ky burim i është dhënë në mënyrë të paligjshme bashkëfshatarit të tyre, z. Idriz Bajrami. Vetë “pronari i ri” i burimit pretendon se ka një vendim të ish-këshillit të komunës, i cili kundërshtohet nga deklaratat e vetë anëtarëve të ish-këshillit, të cilët pranojnë se ai këshill nuk ka miratuar asnjëherë ndonjë vendim të tillë. Gjithçka pretendohet se ka ndodhur në mbledhjen e fundit të këshillit të Komunës Qendër Librazhd, në prag të fushatës zgjedhore të vitit të kaluar, në mars 2011. Kryetari aktual i komunës, i cili në atë mbledhje ka qenë anëtar i këshillit, konfirmon se në atë mbledhje nuk është marrë një vendim i tillë, por në këshillin komunal kanë kaluar tri vendime të tjera. Gjithashtu 12 ish-anëtarë të këshillit të atëhershëm në deklaratën që kanë firmosur deklarojnë se në mbledhjen e këshillit të komunës të datës 25 mars 2011 “në rendin e ditës dhe jashtë rendit të ditës nuk është diskutuar dhe as nuk është dhënë leje për ujë të pijshëm, me përjashtim të Ymer Hysës”. Firmat e 12 ish-anëtarëve të këshillit të komunës qëndrojnë në këtë deklaratë. “Fiks Fare” u interesua edhe në zyrën e protokollit të Komunës Qendër. Inspektori i shërbimeve urbanistike në këtë komunë, z. Bashkim Murrashi, konfirmoi se për marrjen në përdorim të burimit të ujit të Mërqizës nga z. Idriz Bajrami” nuk ka pasur asnjë projektvendim të përgatitur nga ai apo nga zyra e urbanistikës, siç e ka rregullorja, që më pas të votohet në këshill. Për më tepër ata nuk kanë pasur asnjë kërkesë”. Banorët të cilët po vuajnë mungesën e ujit, shprehen se kryetari aktual i komunës ka marrë një vendim për prishjen e këtij objekti dhe kalimin e ujit në përdorim të fshatit. Ky vendim i futur në dosjen e mbledhjes së datës 23 mars 2011 të ish-këshillit të Komunës Qendër, i cili nuk njihet nga 12 ish-anëtarët e këshillit, ka sjellë këtë përfitim për z. Idriz Bajrami, i cili pranoi para kamerës së “Fiks Fare” se ka lidhje farefisnore me ish-kryetarin e këshillit dhe kryeplakun e fshatit, pasi ata janë kunetërit e tij. Por për të kjo nuk është arsye e mjaftueshme për të prishur vendimin që ka dhënë komuna e këshilli i komunës. Nga ana tjetër ligji “Për organizimin e qeverisjes vendore”, ka një pikë që i ndalon këto vendimmarrje kur ka konflikt interesi. Dhe konflikti i interesit, sipas pikës 1 dhe 2 të këtij ligji, nr. 8652, parashikon që “këshilltari nuk merr pjesë në shqyrtimin dhe miratimin e aktit të këshillit kur ai vetë ose bashkëshorti, prindërit, fëmijët, vëllezërit, motrat, vjehrri, vjehrra, dhëndëri e nusja e tij, kanë interes pasuror ose çdo interes tjetër me çështjen që diskutohet në këshill”. “Në çdo rast konflikti interesash zbatohen dispozitat skualifikuese të parashikuara në Kodin e Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”. Por edhe pse ka pasur konflikt interesi, edhe pse 12 ish-anëtarë të këshillit pranojnë se nuk është miratuar një vendim i tillë, z. Bajrami ka marrë në përdorim burimin e ujit të fshatit Mërqizë. Këtë problem banorët e kanë ngritur edhe në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Elbasan, e cila në një shkresë zyrtare i informon se vendimi i dhënë nga këshilli i komunës në lidhje me dhënien në përdorim zotit Idriz Bajrami të ujit të pijshëm në vendin e quajtur "Shpella e Dernogut" është i pavlefshëm dhe citon ligjin 8652, datë 31.07.2000, “Për organizimin e qeverisjes vendore, konflikti i interesit”. Përballë kësaj situate, ku 35 familjet e fshatit Mërqizë rrezikojnë të mbjellat e tyre këtë verë, kryetari aktual i komunës premton se do të ndërhyjë. “Duke qenë se ka një konflikt të hapur mes 35 familjeve dhe 5 familjeve, ne e kemi trajtuar si ndërtim pa leje dhe i tillë është, ndaj kjo vepër duhet të prishet”, shtoi ai. Kryetari i Komunës Qendër ka kërkuar ndihmën e komisariatit të Policisë së Librazhdit, por kjo e fundit fillimisht ka nxjerrë justifikimin se nuk ka forca të mjaftueshme të policisë. Më pas, shefi i komisariatit i ka premtuar se policia do të ndërhyjë së shpejti. Shefi i Komisariatit të Librazhdit, z. Bilal Mjeshtri, konfirmoi zyrtarisht se janë në dijeni të konfliktit që ka lindur mes banorëve të fshatit Mërqizë. Në zyrën e tij është bërë një takim mes përfaqësuesve të fshatit dhe palës në konflikt, për zgjidhjen e problemit në mënyrë paqësore. Të gjendur para faktit, që ky pajtim nuk funksionoi atëherë ata zyrtarisht i kanë kërkuar Komunës Qendër të vendosë një datë tjetër për ekzekutimin e vendimit. Derisa të zgjidhet ky konflikt, situata në fshat vazhdon të mbetet e tensionuar dhe pa rrugëzgjidhje. Banorët e fshatit Mërqizë kërcënojnë se do të bllokojnë rrugën që të çon në fshat deri sa të zbatohet vendimi për prishje të objektit.
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.