Gazeta SHQIP (E Përditshme e Pavarur)

18 Maj 2013

Hidhet nga ballkoni për t’i shpëtuar burrit

2012-05-01

E rrahu se kërkoi dhuratë për ditëlindje. Gruaja 31 vjeçe pëson disa fraktura, por shpëton gjallë

Që në momentin kur u martua, ajo priste që të ishte e lumtur me burrin e saj, por asnjëherë nuk e kishte menduar se do të ishte një ferr, e që një ditë do tentonte vetëvrasjen, duke u hedhur nga ballkoni. Teksa ajo i ka kërkuar burrit një dhuratë për datëlindje, nuk e kishte menduar se do të merrte grushte e shqelma, deri në momentin, kur nuk duroi më dhe u hodh nga kati i dytë i banesës. Fatmirësisht, ajo ka shpëtuar, por burri i saj ndiqet penalisht në gjendje të lirë, pavarësisht se akuzohet për “shkaktim vetëvrasjeje”.

Ngjarja e rëndë nuk ka ndodhur në ndonjë fshat të thellë të Shqipërisë, ku kemi dëgjuar shpesh për histori të tilla, por me në një familje në mes të Tiranës. Sipas informacioneve nga policia e kryeqytetit, pesë ditë më parë, një grua është hedhur nga kati i dytë i banesës së saj, duke pësuar fraktura të shumta. Menjëherë, banorët e zonës në rrugën “Tre Vëllezërit Kondi”, kanë ofruar ndihmën e parë, duke e dërguar për në Spitalin Ushtarak të dëmtuarën.

Pasi mjekët thanë se ndodhej jashtë rrezikut për jetën, gruaja është dërguar në banesë, ndërkohë që ka rrëfyer për policinë edhe arsyen pse ishe hedhur nga ballkoni i shtëpisë, në tentativë për t’i dhënë fund jetës së saj.

N. B. 31 vjeçe, ka treguar se burri i saj, A.B., 38 vjeç, e ka rrahur me grushte, shqelma dhe mjete të ndryshme rrethanore, në mënyrë sistematike. Sipas nënës së tri vajzave, sherret kanë qenë për motive të ndryshme mes saj dhe burrit, duke filluar që nga koha kur ai kërkonte një djalë prej saj.

Më pas, qoftë për një problem të vogël fare, ai e keqtrajtonte, edhe në sy të fëmijëve. Kështu ka ndodhur edhe më 23 prill kur gruaja 31-vjeçare kishte ditëlindjen. Ajo priste të merrte ndonjë dhuratë, por burri nuk i ka dhënë asgjë tjetër veç dhunës. Dhuna ka vazhduar deri më 26 prill dhe gruaja nuk ka duruar më. Në tentativë për t’i ikur, ajo ka hipur në katin e dytë të banesës dhe është hedhur me qëllim që t’u jepte fund vuajtjeve një herë e përgjithmonë.

Fati ka dashur që ajo të jetojë dhe të tregojë se çfarë kishte ndodhur. Megjithatë, policia nuk e ka arrestuar burrin e saj, për të cilin ka vendosur vetëm ndjekje penale në gjendje të lirë. Sipas të dhënave, ai akuzohet nga e shoqja për ushtrim dhune, ndërkohë që hetohet edhe për shkaktim vetëvrasjeje.

Ble. Gi.

Lart: 18°C
Ulet: 10°C

18°C

Nesër

Lart: 24°C Ulet: 11°C

Pasnesër

Lart: 24°C Ulet: 12°C
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.