Disa punonjës të kompanisë që ndërton fshatin turistik në Gjiron e Kakomesë janë shoqëruar dje nga Policia e Vlorës, disa orë pasi brenda territorit të kantierit të ndërtimit u gjet një furgon me targa të Vlorës, me rreth dy tonë marijuanë. Burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Vlorës konfirmuan bllokimin e sasisë së madhe të drogës gjatë natës, duke u gdhirë e enjtja, por nuk saktësuan peshën e saj, pasi deri dje në mbrëmje, nuk kishte përfunduar peshimi. Të njëjtat burime sqaruan se droga ishte bërë gati për t’u ngarkuar në një gomone, e cila do ta transportonte për në Greqi. Policia kufitare ka pikasur edhe gomonen, por ajo ka arritur të shpëtojë duke u larguar në Kanalin e Korfuzit, në drejtim të ishullit grek. Burime jozyrtare bënë të ditur se kur forcat policore kanë zbarkuar në Gjirin e Kakomesë janë penguar nga disa roje të kantierit të ndërtimit që të futeshin brenda rrethimit, ku ndodhej furgoni i ngarkuar me marijuanë. Pas zbulimit të drogës, duke qenë se shoferi i kamionit dhe skafisti ishin larguar, policia shoqëroi të gjithë ata që ndodheshin në ato momente në kantierin e ndërtimit, si persona që kanë dijeni për krimin. Dje në mbrëmje burimet zyrtare të policisë konfirmuan vetëm se kishte shumë persona të shoqëruar dhe shumë të dyshuar, por për asnjërin prej tyre nuk ishte vendosur arrestimi.
Trafikimi i drogës me skafe drejt Greqisë është bërë shqetësues kohët e fundit dhe policia e vendit fqinj ka arritur në disa raste të bllokojë ngarkesa të tilla. Të shumta kanë qenë kohët e fundit edhe rastet e evidentuara të trafikut të narkotikëve në rrugë tokësore drejt Greqisë. Dje, një person që dyshohet se ishte trafikant droge nga Shqipëria, hapi zjarr me kallashnikov në drejtim të një patrulle të policisë greke, në vendin e quajtur “Hani i Delvinaqit” në rrugën Kakavijë-Janinë. Mediat greke njoftuan dje se një makinë që vinte nga Shqipëria nuk iu bind urdhrit për të ndaluar dhe një nga personat që ndodheshin brenda saj hapi zjarr ndaj policëve, por fatmirësisht plumbat prekën vetëm makinën e policisë.
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.