Kapja e një grupi plaçkitësish të lokaleve të basteve sportive dhe të automjeteve në Tiranë, tërhoqi dje vëmendjen e të gjithë komisariateve të policisë së kryeqytetit, për shkak të rasteve të shumta të regjistruara nga policia të këtij fenomeni në kryeqytet. Grupi dyshohet të ketë realizuar mbi 10 bastisje, ndërsa operacioni për kapjen personave të përfshirë në këtë aktivitet nisi pas mesnate duke u gdhirë dita e djeshme. Roland Musta dhe Marsid Peza janë dy personat e parë që u kapën në një kurth të policisë, ndërsa ata po tentonin të kryenin një vjedhje të një lokali, duke hapur qepenin, në afërsi të zonës së njohur me emrin ish-Nish Tulla nr. 3. Burimet policore thanë se personat e ndaluar dyshohet deri më tani të jenë përgjegjës për më shumë se 10 vjedhje të tjera. Po kështu, policia tha se pas veprimeve hetimore identifikoi edhe dy bashkëpunëtorë të tjerë, Gent Nezirin nga Fushë-Kruja, si dhe Liman Barziun nga Yrsheku. Neziri, u arrestua dje në orët e pasdites ndërsa personi tjetër ishte ende në kërkim nga policia. Materialet e vjedhura për të humbur gjurmët personat dyshohet se i shisnin në qytetin e Fushë- Krujës. Ndërkaq, policia ka marrë një sërë masash për parandalimin e vjedhjeve të ndryshme në kryeqytet.
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.