Një 56-vjeçar ka qëndruar katër muaj në koma për shkak të frakturave të marra në kokë e trup. Ai është gjetur i masakruar në një rrugicë pranë zonës së ish-bllokut dhe u transportua në spital. Në vendngjarje mbërriti policia, e cila ia referoi materialet prokurorisë për plagosje. Gjatë kësaj kohe, pra të hetimit të çështjes, i dëmtuari Ibrahim Gjonaj, qëndronte në spital dhe nuk kishte asnjë komunikim me familjarët dhe aq më tepër me policinë apo prokurorinë. Kjo e fundit, pas hetimeve të para, i cilësoi dëmtimet si “ngjarje fatkeqe”, pasi kishte të dhëna se plagët mund të ishin shkaktuar nga përplasja e tij me trotuarin apo përplasje me ndonjë send të fortë. Çështja u mbyll dhe u arkivua. Ndërkaq, pas katër muajve, Gjonaj ka dalë nga gjendja e komës dhe ka shpjeguar ngjarjen. Madje ka bërë edhe një kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Pretendon se më datën 15 maj 2010, rreth orës 02:00, në rrugën “Sami Frashëri” në Tiranë ky shtetas është goditur nga një makinë me targa të huaja. Pas goditjes ai ka mbetur i plagosur rëndë në vendin e ngjarjes pa ndjenja në trotuar. Pas njoftimit të sallës operative se një person ishte pa ndjenja, është njoftuar Ambulanca e Njësisë nr. 5, që e ka çuar të dëmtuarin në urgjencën e Spitalit Ushtarak.
Gjonaj iu është nënshtruar disa ekzaminimeve mjekësore dhe disa ndërhyrjeve kirurgjikale në kokë. Ai ka qëndruar për një kohë të gjatë në gjendje “koma” dhe vazhdon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore. Ai ka pasur goditje në kokë, thyerje të gjymtyrëve të këmbëve, të duarve dhe të brinjëve.
Vetëm në momentin kur ai ka filluar të komunikojë, ka arritur t’iu tregojë njerëzve të afërt se në momentin kur ka qenë duke kaluar në trotuar është goditur nga një makinë me targa të huaja, e cila ka kaluar me shumë shpejtësi. Pas këtij momenti ai është rrezuar dhe nuk mban mënd asgjë tjetër. Nga hetimet e prokurorisë ka rezultuar se “fakti nuk ekziston”. Sipas akuzës, i dëmtuari Gjonaj këto dëmtime mund t’i ketë pësuar për shkak të rrëzimit dhe përplasjes së kokës në trotuar dhe se rrëzimi mund të ketë ardhur nga konsumimi i një sasie të madhe alkooli, i cili ka ndikuar në çekuilibrimin e trupit gjatë ecjes. Në këto kushte ky organ ka konkluduar se ndodhemi përpara një rasti fatkeq. Kjo sipas akuzës provohet edhe nga fakti se në vendin ku është gjetur i dëmtuari nuk janë gjetur mbetje të ndonjë automjeti si copa plastike të parafangos, copa xhami të fenerëve, të sinjaleve të para, tipike në aksidentet rrugore. Sipas këtij organi, fakti se i dëmtuari nuk ka pasur dëmtime në gjymtyrët e poshtme të tij, çka janë karakteristike në rastin e përplasjeve të automjetit me këmbësorin, gjë e cila nuk rezulton as nga përmbajtja e kartelës klinike, ashtu edhe nga ekspertimi mjekoligjor. Për këtë vendim, pra të pushimit, ka paraqitur ankesë i dëmtuari dhe familja e tij. Pasi dëgjoi pretendimet, gjykata arrin në përfundimin se OPGJ-të nuk kanë zbuluar në mënyrë të provuar mekanizmin e ngjarjes, sikundër është këqyrja e vendit të ngjarjes, nga e cila do të dilej në konkluzionin e argumentuar se nuk ka asnjë gjurmë apo sende, mbetje të pjesëve të ndryshme të mjeteve motorike të përfshira në një aksident. Gjykata konstaton se ky veprim hetimor nuk mund të realizohet më, duke e gjetur për këtë moment hetimin e mangët. Me vlerë për hetimin e çështjes dhe zgjidhjen sa më të drejtë do të ishte pyetja e mjekëve që i kanë ofruar ndihmën e kualifikuar mjekësore në momentin e parë të paraqitjes së Ibrahim Gjonaj, në urgjencën e Spitalit Ushtarak, më datë 16.05.2010, mjekët që i kanë dhënë ndihmën e kualifikuar mjekësore gjatë transportimit nga vendi i ngjarjes deri në urgjencën e Spitalit Ushtarak në mëngjesin e datës 16.05.2010. Gjykata pohon se me vlerë për hetimin do të ishte edhe shtrimi i detyrës shtesë ekspertit mjekoligjor, nëse dëmtimet që ka pësuar shtetasi Ibrahim Gjonaj mund të jenë rezultat apo të jenë shkaktuar nga një aksident. Për sa më sipër, gjykata urdhëron akuzën të rihapë hetimet për këtë rast.
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.