Gazeta SHQIP (E Përditshme e Pavarur)

18 Maj 2013

Ndryshohet shefi i Komisariatit të Rinasit dhe katër nëndrejtorë

2012-04-25

Shtatë ndryshimet

Trafiku i klandestinëve në Rinas ka sjellë edhe ndryshimin e kreut të këtij komisariati, pavarësisht se ai ka dalë i pastër nga verifikimet e kryera nga Drejtoria e Standardeve Profesionale. Por, veç lëvizjes së tij, kanë qenë të papritura lëvizjet në nivel nëndrejtorësh, të kryera në disa qytete, ku është përfshirë edhe Tirana, duke lëvizur nëndrejtorin për hetimin e krimeve, të emëruar në këtë post, vetëm dy muaj më parë. Megjithatë, lëvizja më e rëndësishme ka qenë ajo e lëvizjes së shefit të komisariatit menjëherë pas publikimit të skandalit të Rinasit në gazetën “Shqip”. Megjithatë, zyrtarisht, policia ka deklaruar se këto lëvizje janë kryer për nevoja pune. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Gëzim Prebibaj, është liruar nga detyra e shefit të Komisariatit të Rinasit dhe është emëruar shef i Komisariatit të Kavajës. Ndërkaq, Agron Sulshabani është liruar nga detyra e shefit të Komisariatit të Kavajës dhe është emëruar shef i Komisariatit Nr. 5 në Tiranë. Ndërsa Ilir Gjoçi lirohet nga detyra e shefit të Komisariatit Nr. 5 në Tiranë dhe emërohet shef i Komisariatit të Rinasit. Këto tri lëvizje kanë plotësuar rokadën për ndryshimin e shefit të Komisariatit të Rinasit, ndërkohë që në Rinas, aktualisht kanë mbetur vakante disa vende, pas shkarkimeve të bëra nga policia. Por, këto vende do të mbeten në këtë gjendje derisa të japë vendimin komisioni i apelimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Ndërkaq, e papritur ka qenë lëvizja e zëvendësdrejtorit për hetimin e krimeve në Tiranë. Sipas të dhënave, Arjan Kurti lirohet nga detyra e zëvendësdrejtorit për Policinë e Tiranës dhe rikthehet te Drejtoria Kundër Krimeve të Rënda. Nga ana tjetër, lëvizja e tij është pasuar me disa lëvizje të reja. Artan Hasani është liruar nga detyra e zëvendësdrejtorit nga Policia e Dibrës dhe është emëruar në të njëjtin funksion në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit. Ndërsa Rezart Velmishi u lirua nga detyra e zëvendësdrejtorit nga Policia e Elbasanit dhe u emërua në të njëjtin funksion në Drejtorinë e Policisë së Shkodrës. Gëzim Gjeçi lirohet nga detyra e zëvendësdrejtorit nga Policia e Shkodrës dhe emërohet në të njëjtin funksion në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, vend i lënë vakant nga Arjan Kurti.

Lart: 18°C
Ulet: 10°C

18°C

Nesër

Lart: 24°C Ulet: 11°C

Pasnesër

Lart: 24°C Ulet: 12°C
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.