Gazeta SHQIP (E Përditshme e Pavarur)

20 Maj 2013

Të arrestuarit për llogari të Italisë, sekuestro bizneseve dhe pronave të tyre

2012-04-23

Antimafia

Policia po heton pasuritë e të kërkuarve nga Interpol-Roma në pesë qytete

Veç arrestimeve të kryera për llogari të drejtësisë italiane, tashmë shqiptarëve të dënuar për vepra të ndryshme në Itali, do u sekuestrohen edhe pasuritë. Bëhet fjalë për një urdhër të dhënë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, të paktën për pesë drejtori qarku, ku kërkohet identifikimi dhe dokumentimi i të gjitha pronave, bizneseve ose llogarive bankare që lidhen me të arrestuarit. Burimet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për të arrestuarit e muajit të fundit, sidomos në Vlorë, Fier, Durrës, Tiranë dhe para dy ditësh në Elbasan. Sipas të dhënave, të gjithë të arrestuarit janë të akuzuar nga drejtësia italiane për vepra penale që lidhen me narkotrafikun, pjesëmarrje në organizata kriminale, dhe për shfrytëzim prostitucioni. Por, paratë e fituara në Itali, nëpërmjet këtyre veprave penale, ata dyshohet se i kanë kthyer në pasuri të paluajtshme në vendin tonë, me shpresën se nuk do të arrestoheshin kurrë. Megjithatë, tashmë, ata pritet të ekstradohen për në Itali, por nuk do të gëzojnë pasuritë e vëna. Aktualisht, mësohet se drejtoritë e policisë nëpër qarqe, kanë identifikuar disa nga pronat e të arrestuarve në zonën, ku ato operojnë. Megjithatë, puna hetimore për këto raste vazhdon edhe më tej, deri në identifikimin e të gjitha pronave. Sipas të dhënave, hetimet kanë nisur për tetë persona të arrestuar në Durrës, për dy persona në Fier, për dy persona në Vlorë, për një në Tiranë dhe së fundmi dy në Elbasan. Madje, siç është deklaruar edhe më parë, nëse atyre u identifikohen prona të ndryshme, por që burimi i të ardhurave për krijimin e tyre nuk është i ligjshëm, atëherë ato do të sekuestrohen si asete të ardhura në rrugë kriminale. Me ligjin antimafia, të futur tashmë në Shqipëri, barra për të provuar se këto prona janë të pastra bie mbi të dyshuarin. Sa u përket llogarive bankare, burimet policore thanë se janë “ngrirë” të gjithë llogaritë bankare të personave të kërkuar nga Italia që janë arrestuar muajin e fundit. Pasuritë më të mëdha që pritet të sekuestrohen janë pikërisht në qytetin e Fierit, ndërkohë që edhe Vlora nuk mbetet pas.

Lart: 18°C
Ulet: 10°C

18°C

Nesër

Lart: 24°C Ulet: 11°C

Pasnesër

Lart: 24°C Ulet: 12°C
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.