Gazeta SHQIP (E Përditshme e Pavarur)

24 Maj 2013

Policia: Pesë shkeljet që pezulluan Shemsi Prençin

2012-04-26

Reagimi

“Drejtori i Dibrës është në hetim edhe nga SHKB-ja për veprime arbitrare”

Drejtori i Policisë së Dibrës është pezulluar para se ai të japë dorëheqjen, pasi dyshohet për pesë shkelje të rënda disiplinore. Madje, ai është në hetim edhe nga SHKB-ja. Kështu ka reaguar kreu i Policisë, Hysni Burgaj, nëpërmjet një deklarate për shtyp, duke dhënë edhe shpjegimet përkatëse. “Ndaj Drejtuesit të Parë, Shemsi Prençi, me datë 23.04.2012, nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit është filluar ecuria disiplinore për shkelje të rënda disiplinore të kryera gjatë kryerjes së detyrës si drejtor i Policisë së Qarkut Dibër”, thuhet në reagim, ndërkohë që shtohet se ecuria disiplinore është filluar bazuar në rregulloren e disiplinës së Policisë së Shtetit, për “kryerje të veprimeve të pahijshme dhe shkelje të kompetencave të policisë”. Sipas policisë, nga të dhënat e grumbulluara në kuadër të këtij procesi disiplinor ka rezultuar se, duke qenë në detyrën e drejtorit të Policisë së Qarkut Dibër, Drejtues i Parë Shemsi Prençi ka kryer disa shkelje. “Ju bëjmë me dije gjithashtu se Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme me shkresë zyrtare drejtuar Policisë së Shtetit ka kërkuar pezullimin nga detyra të tij për mospengim të hetimeve, pasi ka filluar hetimet në ngarkim të tij nën akuzën e kryerjes së veprave penale të shpërdorimit të detyrës, veprimeve arbitrare dhe kallëzimit të rremë, duke kryer veprime arbitrare dhe shoqërime të paligjshme të personave e bllokuar mallrat e tyre, duke cenuar në këtë mënyrë të drejtat e tyre”, deklarohet zyrtarisht nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Nisur nga sa më sipër, me datë 24 prill 2012, me propozim të Drejtorisë së Standardeve Profesionale, ndaj Drejtuesit të Parë Shemsi Prençi është marrë masa e pezullimit nga detyra deri në përfundim të ecurisë disiplinore.

Lart: 18°C
Ulet: 10°C

18°C

Nesër

Lart: 24°C Ulet: 11°C

Pasnesër

Lart: 24°C Ulet: 12°C
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.