Gazeta SHQIP (E Përditshme e Pavarur)

20 Maj 2013

Pesë shpërthime me mbi 30 viktima

2012-04-23

2006-2012

Zona e Bigasit në Skrapar shënon rastin e dytë të viktimave brenda një viti, ndërkohë që nga viti 2006 e deri më sot shënohen mbi 30 viktima nga asgjësimi i municioneve apo mbetjet e tyre të pashpërthyera. Pikërisht më 28 prill të një viti më parë, në repartin e Bigasit nga një shpërthim u vra një ushtarak, ndërkohë që u plagosën rëndë tre të tjerë. Ndërsa dje, fatkeqësisht mbeti i vdekur po nga shpërthimi një banor, i cili mblidhte skrap në këtë zonë. Megjithatë, që nga viti 2006, veç dy rasteve të Bigasit, ka pasur tri shpërthime vdekjeprurëse në poligone e fabrika të miratuara demontimi. Më i rëndi është rasti i Gërdecit në vitin 2008 me 26 të vdekur. Përpara tij, në vitin 2006 ndodhi shpërthimi i depove të Dhëmblanit në Tepelenë, ndërsa në fund, një shpërthim në uzinën e Poliçanit i mori jetën një punëtoreje. Rasti i djeshëm i Skraparit ka detyruar Ministrinë e Mbrojtjes të pezullojë demontimin në të gjithë vendin.

Sipas të dhënave, më 6 maj të vitit 2006, dy ushtarakë humbën jetën dhe dy të tjerë u plagosën, pas shpërthimit zinxhir të municioneve të rënda që ndodheshin në grup-depot mbitokësore në fshatin Dhëmblan të Tepelenës. Pas shpërthimit, shqetësimi ishte prania kudo e predhave. Trupat speciale të xhenierëve rrethuan një zonë me rreze 3 mijë metra, por zona konsiderohej e rrezikshme edhe në një rreze prej 10 kilometrash. Ndërsa më 15 mars të vitit 2008, një shpërthim i fuqishëm në një “fabrikë” demontimi armësh në Gërdec shkaktoi vdekjen e 26 personave dhe plagosjen e qindra të tjerëve. Ndërkohë, qindra banesa u shkatërruan, spitalet u mbushën me të gjymtuar, të djegur dhe të tjerë do të dëmtoheshin nga grimca xhamash të thyer. Tri ditë pas tragjedisë, më 18 mars 2008, nga qeveria u shpall ditë zie kombëtare. Ende sot drejtësia nuk ka nxjerrë dot përgjegjësit për këtë shpërthim katastrofik. Kurse më 6 janar të vitit 2009, në uzinën e armëve në Poliçan, humbi jetën punëtorja Suzana Kapxhiu. Gruaja 45 vjeçe humbi jetën teksa ngrohej në një zjarr të ndezur me mbeturinat e repartit, ku së shpejti do të niste procesi i demontimit. Kolegu i saj, Adriatik Hysenbelliu, mbeti i plagosur.

Lart: 18°C
Ulet: 10°C

18°C

Nesër

Lart: 24°C Ulet: 11°C

Pasnesër

Lart: 24°C Ulet: 12°C
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.