Infrastruktura rrugore në zonën turistike të Golemit është kthyer në një shqetësim serioz për ecurinë e bizneseve dhe banorët e kësaj pjese të bregdetit të Adriatikut. Afrimi i sezonit turistik e gjen zonën në të njëjtën situatë me atë të një viti më parë, duke paralajmëruar një sezon larg pritshmërive pozitive dhe deklarimit të autoriteteve për sezon të suksesshëm. Këdo që takon në zonë është i gatshëm të shfryjë ndaj pushtetit qendror dhe lokal që e ka lënë pas dore plazhin e Golemit, pavarësisht deklaratave publike që bëjnë për të. Shumë prej tyre i druhen dhënies së identitetit për shkak se po të ankohen ndaj komunës u zbarkojnë në derë inspektorët e komunës që drejtohet nga socialistët. Po të ankohen për qeverisjen qendrore dhe zvarritjen e punimeve për ndërtimin në kohë të rrjetit të kanalizimeve që do t’i jepte fund problemit të vjetër të ndotjes detare do të nxisnin sulmet e tatimorëve, mjedisorëve e kujtdo inspektorati a organi tjetër me varësi vertikale, nga qendra. Ndihen mes dy zjarresh politike. Rruga në pjesën bregdetare të Golemit përgjatë së cilës ngrihen dhjetëra biznese që ofrojnë shërbime dhe akomodim për turistët vendas e të huaj është plotësisht e shkatërruar.
Lokalet e zonës janë të boshatisura, po ashtu dhe dyqanet që tregtojnë produkte ushqimore dhe industriale. Edhe ata që kanë shtëpitë e tyre të pushimit në bregdet kanë nisur ta frekuentojnë gjithnjë e më pak Golemin për shkak të kësaj rruge të shkatërruar plotësisht. Komuniteti i zonës kërkon që rruga e dëmtuar nga punimet për ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të zeza të rikthehet në gjendjen e mëparshme nga firma zbatuese e projektit në mënyrë që në prag të sezonit dhe përgjatë tij të mos bëhet pengesë serioze në lëvizjen e mjeteve dhe turistëve. “Kam një shtëpi te kompleksi turistik që ndodhet këtu, por makinat thyhen në dysh duke ardhur këtu dhe askush nuk vë dorë. Komuna thotë se e ka fajin firma që po kryen punimet, firma nuk merr përgjegjësi se do të bëhet faza tjetër e projektit dhe pasojat janë në kurriz të banorëve dhe pushuesve që duket se do të jenë të pakët. Ç’të vijnë në këtë gjendje?!”, thotë Blerta Pupi. Më tutje dy gra të tjera, pronare njësish tregtare Qamile Murati dhe Mbaresa Baze gjithashtu shprehen të indinjuara për gjendjen e rrugës që po u shkakton humbje të konsiderueshme në bizneset e tyre. Ato parashikojnë një sezon akoma më të dobët turistik se ai i një viti më parë, pasi infrastruktura rrugore dhe pastërtia janë tepër të rëndësishme për ecurinë dhe zhvillimin e një zone turistike.
Banorët ankohen edhe për mbeturinat urbane që tërhiqen shumë rrallë nga shërbimi komunal, pavarësisht se ata janë taksapagues të rregullt. Taksat dhe konvertimi i tyre në të mira, përfitime publike nëpërmjet investimeve nuk ndihen nga taksapaguesit në zonë. “U bënë rreth 14 vjet që nuk është bërë asnjë investim përveç ndërtimit të rotondës, një lloj qendre buzë detit, që nuk dihet nëse do e ketë jetën të gjatë, pasi plani urbanistik i kësaj zone bregdetare do të miratohet në KRRTRSH dhe ky investim lokal prej 120 milionë lekësh mund të shkojë dëm, ndonëse zona nuk do të humbte asgjë prej kësaj”, shprehet pronari i një hotel-restoranti të njohur në zonë. Taksat janë të vetmet të ardhura fiskale me destinacion dhe rrjedhimisht tepër të rëndësishme për jetën në komunitet, por administrimi, projektimi dhe rikthimi i tyre në formën e investimit nga pushteti vendor jo gjithnjë është transparent dhe i prekshëm nga komuniteti.
Qamile Murati, administratore e një njësie tregtare në Golem shprehet mjaft e shqetësuar në lidhje me tërheqjen e plehrave në zonë. Të tjerë thonë se banorët shpesh detyrohen t’u vënë flakën për të shmangur ndonjë epidemi dhe liruar hapësirat për derdhjen e sasive të tjera të mbeturinave. Violeta, një tjetër banore e zonës dhe administratore e një kompleksi thotë se në këtë zonë kanë shtëpi edhe ministra, prokurorë dhe të tjerë emra të njohur të jetës publike, që kanë nisur të shmangin ardhjen gjatë fundjavave për shkak të rrugës së copëtuar. “I paguaj komunës të gjitha taksat afro 130 mijë lekë të reja së bashku me biznesin që kam me tim bir, pa përmendur 100 mijë lekë të tjera përgjatë sezonit veror për plazh privat dhe përfundojmë duke e pastruar vetë rërën e gjithçka tjetër. As kazanë mbeturinash nuk ka. Tërheqja e plehrave bëhet një herë në 10-15 ditë jashtë sezonit, ndërsa në sezon një herë në ditë ose një herë në dy ditë, ndërsa në fundjavë, atëherë kur ka dhe më shumë pushues, po flas për sezonet e kaluara, plehrat nuk mblidhen, pasi administrata dhe punëtorët e komunës janë pushim”.
Ndërkohë, edhe këtë verë, investimi i Bankës Botërore për ndërtimin e rrjetit të ujërave të zeza nuk do të jetë funksional. Janë shtruar tubacionet kryesore, po jo ato dytësore të cilat mundësojnë lidhjen e godinave të shumta të hotelerisë dhe banimit me rrjetin kryesor të shkarkimit të ujërave të zeza.
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.