Përdorimi i armëve të zjarrit nga gardistët që qëndronin brenda rrethimit të Kryeministrisë më 21 janar, është bërë në momentin që komandanti Ndrea Prendi ka filluar të qëllojë drejt turmës me pistoletë. Pas këtij momenti, njësitë speciale të gardës kanë filluar të përdorin armët e zjarrit që kishin në përdorim, madje kanë qëlluar edhe me kallashnikovë, megjithëse dëmet në njerëz kanë qenë vetëm me plumba 9 mm, të cilat u përkasin armëve MP-5 dhe pistoletave. Prokuroria ka disa dyshime për mënyrën e “urdhrit” për të qëlluar drejt protestuesve, megjithëse gardistët nuk kanë preferuar të japin shpjegime për këtë moment, duke u mjaftuar se “kemi zbatuar ligjin për përdorimin e armëve”. Hetuesit kanë shfletuar këtë ligj dhe në një nga dispozitat kanë interpretuar dëshmitë e gardistëve. Në një nga nenet e këtij ligji thuhet se “nëse komandanti qëllon, ushtarët fillojnë ta ndjekin në veprim”. Kështu është zbuluar një nga enigmat më të mëdha të prokurorisë për rrjedhën e ngjarjeve më 21 janar, ku është zbuluar pjesërisht dhënia e urdhrit për të qëlluar demonstruesit.
Ndërkohë, prokuroria thotë se ka prova të tjera që faktojnë se ish-komandanti i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, i pezulluar me urdhër të Kryeministrit Berisha nga detyra, ka qëlluar i pari me armë zjarri më 21 janar. Prokuroria e akuzon Prendin vetëm për vrasjen e Myrtajt, ndërsa dyshohet se ai mund të ketë plagosur të tjerë persona që ishin në protestë. “Nga hetimet e deritanishme kemi dyshime se Komandanti i Gardës së Republikës, në detyrë më 21 janar 2012, Ndrea Prendi, ka qëlluar i pari drejt turmës. Ai ka qëlluar 11 plumba në distancë të ulët nga toka. Nga ekspertimi i armëve dhe predhave në laboratorin e FBI-së në SHBA ka rezultuar se me armën e tij është vrarë shtetasi Faik Myrtaj”, thanë burimet nga prokuroria, e cila saktëson se ekzistojnë dyshimet se Faik Myrtaj është vrarë i pari më 21 janar. “Nga dëshmitë e protestuesve, si dhe nga krahasimi i të gjitha provave dhe gëzhojave të gjetura në vendngjarje, kemi ngritur dyshimin se Myrtaj është qëlluar i pari”, vijojnë burimet nga prokuroria. “Pas ekspertizës së provave nga FBI-ja, ka filluar puna për rindërtimin e vendit të ngjarjes. Nga provat e mbledhura në vendin e ngjarjes kemi dyshime se Myrtaj është vrarë i pari. Nisur nga këto të dhëna, duke parë se FBI-ja përcaktoi se predha e gjetur te viktima i përket armës së Ndrea Prendit, arrijmë në dyshimin se komandanti i Gardës së Republikës ka qëlluar i pari”. Pas këtij veprimi, në drejtim të turmës janë qitur rreth 131 plumba, nga ku gjetën vdekjen katër persona dhe gjashtë të tjerë u plagosën me armë zjarri. Në vendin e ngjarjes, sipas prokurorisë, janë gjetur të gjitha gëzhojat e qitura nga arma e Prendit, të cilat janë 11. Ndërkohë janë gjetur vetëm pesë predha, ku një është gjetur në trupin e Faik Myrtajt, tre në zyrat e UNHCR-së dhe një në një pemë dekorative. Prokuroria saktëson se fshirja e pamjeve të sigurisë në Kryeministri është realizuar për të “mbuluar” vrasësit e demonstruesve. Ka dyshime se një nga kamerat e Kryeministrisë, që ka qenë sipër kokave të anëtarëve të grupit të zjarrit, ka kapur momente nga qitja e bërë nga Ndrea Prendi drejt turmës. Në to mund të shiheshin filmime ku Prendi qëllonte i pari dhe pas tij të gjithë personat e tjerë. Këto filmime synohen që të rikuperohen nga provat e gjetura në banesën e Kasës. Kompjuterët, telefonat dhe USB-ja janë dërguar për ekspertizë.
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.