Gazeta SHQIP (E Përditshme e Pavarur)

20 Maj 2013

Dy policë grekë, korrierë të shqiptarit

2012-04-23

Bledi Gilaj (KERKO ...)

Alket Rizai

Gardianët e burgut u kapën duke futur 300 gramë heroinë në qelinë e 37-vjeçarit

Alket Rizai, shqiptari i arratisur dy herë nga burgjet greke, është rikthyer sërish në vëmendjen e drejtësisë së shtetit fqinj, pasi duke qenë në burg, grupi i tij ka marrë peng një polic burgjesh dhe ka kërcënuar familjen e tij, me qëllim që t’i dërgojnë shqiptarit në qeli, drogë, celularë dhe armë. Kjo është zbuluar pas arrestimit të dy gardianëve grekë, të cilëve u janë kapur 300 gramë heroinë, të destinuar për të burgosurin shqiptar, Alket Rizai, 37 vjeç. Madje, shqiptari e ka pranuar këtë fakt, duke deklaruar se njërin prej tyre e kishte detyruar të kryente një veprim të tillë, pasi banda e tij do i vriste familjen.

Që mëngjesin e djeshëm, mediat greke thanë se policia ka arrestuar dy policë të burgut të Malandrinos, të cilët u kapën me rreth 300 gramë heroinë. Sipas hetimeve të para, droga që iu gjet policëve ishte e destinuar për të burgosurin shqiptar, Alket Rizai. Dy oficerët e burgut e pranuan vetë se lënda narkotike ishte për të burgosurin shqiptar, Alket Rizai, dhe se në të kaluarën e afërt, ishin futur edhe telefona, madje ishin bërë përpjekje që të kalonin edhe armë në burgun e Malandrinos. Alket Rizai ka mbajtur përgjegjësinë lidhur me organizimin e rrjetit që vepron brenda burgut dhe pjesëmarrjen e dy oficerëve në futjen e drogës dhe celularëve në qeli. Duke folur për median, shqiptari Rizai argumenton se para se një muaji e gjysmë kishte “vënë njerëzit e tij” për të rrëmbyer njërin prej gardianëve të arrestuar, i cili u mbajt peng në mal për rreth dy orë. “Duhet të dërgosh në burg disa telefona dhe drogë, përndryshe do të vrasim ty dhe familjen tënde”, është kërcënuar oficeri i burgut në emër të Alket Rizait, i cili pohon se kjo ishte hera e parë që kishte ndodhur. “Ai m’u përgjërua se nuk mund ta bënte, por unë e kërcënova. Domethënë e bëri, sepse kishte frikë për jetën e tij dhe të familjes së tij”, thotë Rizai duke folur nga burgu. Për sa i përket gardianit të dytë të përfshirë në këtë aferë, Rizai thotë se ai nuk di asgjë. Ndërkohë, dy oficerët e burgut do të dërgohen në gjykatë. Alket Rizai, 38 vjeç, lindur e rritur në Ballsh është bërë i njohur si shqiptari që është arratisur dy herë nga burgjet greke me helikopter. Ai njihet për probleme të shumta me drejtësinë greke, ku nuk kanë munguar edhe kërcënimet e tij ndaj prokurorëve apo gjykatësve grekë, në emër të grupeve të ndryshme kriminale. Madje, ai ka kërcënuar se do të arratiset sërish. “Do të arratisem në emër të padrejtësisë që më bëhet mua dhe të gjithë shqiptarëve…” ishte mesazhi që dha pak kohë më parë mjeshtri i arratisjeve spektakolare.

Lart: 18°C
Ulet: 10°C

18°C

Nesër

Lart: 24°C Ulet: 11°C

Pasnesër

Lart: 24°C Ulet: 12°C
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.