Drejtoria e Standardeve Profesionale, pasi ka ndërtuar të gjithë raportin, ka propozuar edhe masat përkatëse për secilin prej oficerëve të policisë, sipas dyshimeve për ta. Kështu, nga ana e Astrit Gjonpalit, me detyrë shef i seksionit të hetimit në Rinas, dyshohet se është kryer “shkelje ose mosushtrim i kompetencave të policisë”. Ndërkaq, pas tij vjen Munir Shira, shef i seksionit të shërbimeve operacionale, i cili dyshohet se nuk ka zbatuar urdhrat e ligjshëm, duke sjellë pasoja dhe nuk ka marrë masat e nevojshme për parandalimin e pasojave të mëtejshme në rastet e shkeljeve të rënda disiplinore. I treti në listë është Bekim Lika, përgjegjës turni, i cili dyshohet për fshehje, ndryshim, ose asgjësim të dokumenteve zyrtare në formë shkresore, ose elektronike. Gjithashtu, të njëjtat dyshime për shkelje si Bekim Lika janë edhe për dy përgjegjëset e tjera të turneve, Nirda Dushi dhe Alkida Shima. Për këta persona është propozuar përjashtimi nga policia, ndërkohë që masa të tjera janë dhënë për oficerët në varësi të tyre. Kështu, për punonjësen e policisë, Etleva Kadillari, është propozuar masë më e butë, pasi ajo dyshohet për moszbatim të urdhrave të ligjshëm që kanë sjellë pasoja. Gjithashtu, për të njëjtën shkelje dyshohet edhe i shtati në listë, oficeri Florian Dabulla. Ndërkaq, për gjashtë punonjës të tjerë, me gradën nënkomisar, me detyrë specialist kontrollor në seksionin e shërbimeve operacionale në Komisariatin e Rinasit, vërehet se janë shkelur kërkesat e nenit 11 “shkelje ose mosushtrim i kompetencave të policisë” të rregullores së disiplinës. Për ta është propozuar ulje në gradë për gjashtë muaj. Gjithashtu, masë është marrë edhe për punonjësin e 14 në listën e Drejtorisë së Standardeve Profesionale, Edison Ahmetaj, për të cilin dyshohet se nuk ka zbatuar urdhrat që kanë sjellë pasoja të rënda, siç është trafiku i klandestinëve.
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.