Gazeta SHQIP (E Përditshme e Pavarur)

24 Maj 2013

Nënshkodra, 400 hektarë nën ujë, banorët zënë peshk 

2012-04-22

Ardi Hoti (KERKO ...)

Përmbytje në tri komuna. Në fushat e mbuluara me ujë është futur krap nga lumi Buna

Harta e përmbytjes së tokave në Nënshkodër për shkak të reshjeve dhe prurjeve nga lumi Buna ka nisur të zgjerohet frikshëm. Numërohen rreth 400 hektarë nën ujë, ndërsa banorët e zonës, të mësuar tashmë me përmbytjet vit pas viti, kanë filluar të shfrytëzojnë daljen e lumit. Ata kanë filluar të zënë peshk në tokat e mbjella.

Pamja në tokat e përmbytura në zonën e Muriqanit në Nënshkodër të rezervon një situatë krejt ndryshe. Banorët po hapin rrjetat e peshkut mbi tokat e mbjella dhe shumë të tjerë me mjete të ndryshme peshkimi janë futur për të kapur peshk. Nga situata e krijuar të duket sikur je në liqenin e Shkodrës dhe jo në fushat e Nënshkodrës. Disa banorë tregojnë me mburrje peshkun e zënë, ndërsa të tjerë nxitojnë për të hyrë në fushat e përmbytura për të kapur prenë e tyre.

Sipas banorëve, në fushat e mbuluara me ujë është futur krap me bollëk nga lumi Buna, prurjet e të cilit kanë përmbytur këtë zonë. Naim Hasanin, banor në Muriqan, e gjetëm duke hyrë në tokën e tij, jo me lopatë, por me rrjetë peshku. Ai shprehet: “Si të gjithë banorët dhe unë po hyj te toka ime, jo për ta punuar apo për të korrur, por për të zënë peshk. Shumë nga shokët e mi kanë zënë peshk. Disa prej tyre kanë zënë mjaftueshëm”.

Ata që kanë zënë peshk pohojnë se është futur shumë krap, pasi peshku kërkon ujë të ngrohtë dhe ka dalë në fushë. “Një komshi i imi ka zënë herët në mëngjes rreth 4 kg peshk krap dhe e shiti sapo doli nga fusha me ujë. Nuk kemi se çfarë të bëjmë tani, nga halli e kemi. Meqë tokat nuk po kemi mundësi as t’i punojmë e as t’i korrim, po zëmë peshk. Nuk na e kishte marrë mendja ndonjëherë se në fushat ku mbjellim do zinim krap. Pothuajse i gjithë fshati, fëmijë dhe burra janë futur në fusha me mjete peshkimi”, vijon Hasani.

Ndërkohë, të tjerë banorë raportojnë për dëme serioze në të mbjella. Duke folur për gazetën, një banor i Nënshkodrës, Kujtim Leka, tokat e të cilit janë mbuluar nga uji, shprehet se “kam 20 dynym tokë të mbjellë me misër, 10 hektarë të mbjella me jonxhë dhe të gjitha janë mbuluar nga uji”. Më tej, ai shton se nuk ka se ku të nxjerrë bagëtitë për të kullotur. “Duhet që dikush nga shteti të vijë dhe të shohë situatën. Nuk duhet që ministri i Bujqësisë, i cili ishte dje në Shkodër për Ditën e Pastrimit, të thotë që shiu është bereqet dhe nuk kemi probleme, sepse ne jemi përmbytur e jemi në hall”, thotë Leka.

Aktualisht, nuk raportohet për banesa të prekura nga uji, por rreziku është prezent. Tokat e Nënshkodrës filluan të përmbyten katër ditë më parë. Shenjat e para u dhanë në vendin e quajtur “Ura e Ded Gjo Lulit”, ku tri komuna në kufi me njëra-tjetrën Velipoja, Dajçi e Bushati u prekën nga përmbytja. Tashmë në përmbytje është përfshirë dhe Komuna Ana e Malit, buzë lumit Buna. Prurjet e këtij lumi kanë depërtuar në tokat e fshatit Muriqan, duke bërë që të numërohen 400 hektarë nën ujë. Rrezik përmbytje paraqesin dhe tokat në zonën e Obotit.

E gjithë kjo situatë ka rikthyer në zonën e Nënshkodrës ankthin e përmbytjes masive të një viti më parë, që u klasifikua si katastrofa natyrore më e madhe në 150 vitet e fundit në Shqipëri dhe shkaktoi përmbytjen e rreth 14 mijë hektarëve tokë dhe mbi 4600 shtëpi dhe rreth 31 mijë krerë gjë e gjallë u mbytën. Dëmi në total nga përmbytja masive në Shkodër dhe Nënshkodër një vit më parë kap shifrën 30 milionë USD.

Lart: 18°C
Ulet: 10°C

18°C

Nesër

Lart: 24°C Ulet: 11°C

Pasnesër

Lart: 24°C Ulet: 12°C
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.