Gazeta SHQIP (E Përditshme e Pavarur)

20 Maj 2013

Prençi: Nishani e dinte për trafikun e kosovarëve 

2012-05-01

Burgaj nuk pranon dorëheqjen e ish-drejtorit të Dibrës, por e përjashton nga policia

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit nuk ia ka pranuar dorëheqjen oficerit të lartë, Shemsi Prençi, dhe me anë të zëdhënëses së tij bëri publike se e ka përjashtuar atë nga radhët e policisë. Sipas Burgajt, për Prençin ka pasur një sërë ankesash. Por Prençi, i cili ka gradën “Drejtues i Parë”, i larguar tashmë nga radhët e policisë ka akuzuar akoma më ashpër pas deklaratës së policisë. Ai tha se arsyet e vërteta të përjashtimit janë denoncimi i korrupsionit dhe shpellave të krimit. Prençi u shpreh se vetëm 10 për qind e kromit që nxirret, deklarohet. “Unë ju them që në Drejtorinë e Përgjithshme dhe në godinën e Ministrisë së Brendshme ka një barrikadë të luftës kundër krimit dhe kjo është më e tmerrshmja”, tha Prençi. Ish-drejtori i Policisë së Dibrës, u shpreh se ministri i Brendshëm, Nishani, zotëronte raportin e lëvizjeve të shtetasve kosovarë me viza të falsifikuara që para dy vitesh, por mori masa vetëm dy javë më parë pas ankesave të njëpasnjëshme të ngritura prej vendeve ku shkonin këta shtetas. Burgaj ka argumentuar përjashtimin e tij, të bazuar në disa ankesa adresuar Prençit, që në momentin, kur u emërua në Dibër. “Në këto rrethana, si dhe nga disa raporte informuese të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm për implikime të vazhdueshme të punonjësit të policisë, Shemsi Prençi, në veprime të kundërligjshme, më datën 23 prill 2012, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit nisi hetimin administrativ. Më 25 Prill, Prençi adresoi publikisht fyerje dhe ofendime rënda në adresë të drejtuesve të Këshillit të Ministrave, të Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit”, argumenton policia shkarkimin e tij.

Ble. Gi.

Lart: 18°C
Ulet: 10°C

18°C

Nesër

Lart: 24°C Ulet: 11°C

Pasnesër

Lart: 24°C Ulet: 12°C
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.