Annapolis dhe West Point, dy akademitë ushtarake prestigjioze të Marinës dhe ushtrisë amerikane janë vënë në qendër të skandalit. Dy ish-kadete kanë denoncuar se janë përdhunuar dhe paditë e tyre nuk janë marrë parasysh nga eprorët. Ato kanë deklaruar se abuzimet seksuale që kanë pësuar janë injoruar sistematikisht dhe në mënyrë të përsëritur, madje komandantët i kanë këshilluar të heshtin.
Në padinë e depozituar në gjykatën federale të Manhattan dy vajzat: Leah Marquet, 20 vjeç dhe Anne Kendzior, 22 vjeç, kanë denoncuar se akademia navale e Annapolis në Maryland dhe ajo ushtarake në West Point në shtetin e New York: "kanë histori në mungesën e procedimeve dhe dënimeve të studentëve që kanë përdhunuar shokët e kursit”. Në padi, Marquet, ish-studente e West Point, ka deklaruar se është përdhunuar nga disa kadetë më të mëdhenj që e kishin detyruar të dehej me alkool. Vajza ua ka raportuar eprorëve ngjarjen, por ata nuk kanë marr asnjë masë ndaj përdhunuesve. Edhe Kendzior ka denoncuar se është përdhunuar dy herë, nga dy shokë kursi të ndryshëm dhe se autoritetet e shkollës e kanë detyruar të tërheqë akuzat ndaj kolegëve.
Vajzat akuzojnë edhe ish-ministrin e mbrojtjes Robert Gates dhe katër zyrtarë të tjerë se kanë dështuar në marrjen e masave mbrojtëse për të penguar rastet e abuzimeve seksuale nëpër akademi. Ndërkaq akademitë Annapolis dhe West Point, nuk kanë komentuar akuzat, madje as Pentagoni. 21 prill 2012 (gazeta-Shqip.com)
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.