Gazeta SHQIP (E Përditshme e Pavarur)

18 Maj 2013

Norvegji, nis gjyqi kundër Breivik

2012-04-17

Autori i 77 vrasjeve nuk pranoi fajin duke sfiduar gjykatën: Nuk e njoh trupin gjykues

Njeriu që vrau 77 veta në sulmet e korrikut të kaluar  në Norvegji nuk e pranoi fajin teksa gjyqi i tij nisi në Oslo. Ai tha para trupit gjykues se i pranonte veprimet e kryera , por tha se nuk mund të pranonte përgjegjësinë kriminale. Në fillim të seancës gjyqësore prokurorët lexuan një për një emrat e viktimave dhe treguan se si Breivik kishte vrarë çdo person. Nëse gjykata vërteton se ai vuan nga sëmundje mendore norvegjezi do të dërgohet në një qendër të kujdesit psikiatrik , në të kundërt nëse gjykohet se ai është mendërisht i qëndrueshëm do  të vuajë dënimin në burg. Nëse shpallet fajtor Breivik mendohet se do të vuajë një dënim me 21 vjet burg, i cili mund të zgjatet për ta mbajtur pas hekurave për gjithë jetën. 33-vjeçari norvegjez u cilësua si i sëmurë psikik në ekzaminimin e parë mjekësor, ndërsa një raport i dyti e hodhi poshtë të parin duke e cilësuar atë si plotësisht të përgjegjshëm për krimet që kishte kryer. I veshur me një kostum të zi, Breivik buzëqeshi teksa hyri në sallën e gjyqit. Ndërsa rojet i hoqën prangat, vrasësi i 77 personave bëri një përshëndetje me grushtin e mbyllur, të tipit nazist. Ai iu drejtua trupit gjykues me fjalët: “Nuk i njoh gjykatat norvegjeze. Ju e keni marrë mandatin tuaj nga partitë politike që mbështesin multikulturalizmin”.  Më tej shtoi se nuk njeh as autoritetin e gjykatëses Arntzen, duke pretenduar se ajo ishte mikeshë me motrën e ish kryeministrit dhe liderit të partisë Laburiste Gro Harlem Brundtland. Breivik e përshkroi veten  tij si shkrimtar, që aktualisht punonte nga burgu. Prokurorja Inga Bejer Engh lexoi akuzat kundër tij dhe dha detaje se si çdo person ishte vrarë apo plagosur në sulmet e korrikut të kaluar. Ajo tha se sulmet “shkaktuan frikë tek popullsia norvegjeze” duke shtuar: “i pandehuri ka kryer krime shumë të rënda, të përmasave të panjohura në kohët moderne të vendit tonë”. 33 vjeçari nuk tregoi asnjë emocion, teksa dukej i qetë dhe i sigurt në çdo fjalë që fliste. Në fund të aktakuzës ai u tha gjykatësve: “Unë pranoj veprimet e kryera por jo përgjegjësinë kriminale. I bëra këto veprime për tu mbrojtur”. Breivik i ka pranuar edhe më parë sulmet e kryera: shpërthimin e  një autobombe  jashtë ndërtesave qeveritare në Oslo ku u vranë tetë vetë, dhe pastaj të shtënat në një kamp rinor në Utoeya, ku shumica e viktimave ishin adoleshentë. Në një seancë gjyqësore në shkurt, ai tha se  vrasjet ishin "një sulm parandalues ​​kundër tradhtarëve të vendit", që sipas tij ishin  fajtorë për "spastrim etnik" për shkak të mbështetjes së tyre ndaj një shoqërie multikulturore. Sipas avokatit të tij mbrojtës, pendimi i vetëm i Breivik ishte që nuk “arriti të shkonte më tej”. "Është e vështirë për t'u kuptuar, por po jua them këtë për të përgatitur popullin për dëshminë e tij tw forta," tha avokati i tij Geir Lippestad gazetarëve para fillimit të  gjyqit. Disa pjesë nga procesi gjyqësor u transmetuan në televizion, por gjykata nuk lejoi  dëshminë e Breivik apo dëshmitarëve të transmetoheshin. Dy orë përpara nisjes së seancës gjyqwsore, dhjetëra njerëz prisnin përpara ndërtesës. Mes tyre ishte dhe Eskil Pedersen, i përfshirë nw listën e ekzekutimeve tw Breivik mw 22 korrik tw vitit tw kaluar. Për norvegjezet, gjyqi kundër tij është një vendim për të mos lejuar që krimet e 33-vjecarit të vendosin në pikëpyetje demokracinë e hapur të Norvegjisë. Gjyqi do të zgjasë plot dhjetë javë.

Lart: 18°C
Ulet: 10°C

18°C

Nesër

Lart: 24°C Ulet: 11°C

Pasnesër

Lart: 24°C Ulet: 12°C
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.