Kompania CEZ po përballet me fluks të madh dëmtimesh në linja të ndryshme dhe vjedhje, deri te pajisjet elektrike, duke shkaktuar mungesa energjie elektrike dhe furnizim jo cilësor për konsumatorët.
Janë të shumta rastet e regjistruara nga kompania për vjedhjen e linjave, përcjellësve të metaleve të ndryshme, për qëllime skrapi, ndërsa të dhënat nga tetori i vitit 2010, e deri tani tregojnë për dëmtime kabllosh deri në 10 kilometra. Të gjitha këto janë kosto për kompaninë, e cila merr masat e menjëhershme për t’i rregulluar, por nga ana tjetër, edhe konsumatori dëmtohet, pasi nuk është i mundur furnizimi normal me drita.
“Këto vjedhje zakonisht kryhen nga grupe apo persona të interesuar për rishitjen e metaleve përbërëse të rrjetit, por kemi edhe raste dëmtimesh nga ana e subjekteve private që punojnë për riparime të rrugëve apo linjave të tjera”, tregon për gazetën, Ardian Luarasi, drejtor i Mirëmbajtjes dhe Operimit pranë CEZ Shpërndarje.
Rasti shumë shqetësues për kompaninë ishte incidenti i fundit me një firmë ndërtuese, e cila po zbatonte projektin e Unazës së Shkodrës. Kjo kompani nxori jashtë 4 fidrat që kalojnë në unazë duke shkaktuar defekte të shpeshta dhe sikur të mos mjaftonte kjo, niveli i rrugës së ndërtuar është rreth një metër më i lartë, gjë që në rast reshjesh, kabina e CEZ mbushet me ujë. Deri më tani janë shënuar rreth 21 defekte dhe kompania është duke hapur një çështje penale për këto raste të përsëritura, thotë Luarasi.
Kompania ka kryer disa përllogaritje rreth ndikimeve që kanë dhënë te konsumatorët ndërhyrja te linjat dhe kabinat. “Mund të themi me siguri të plotë se në të gjitha rastet kur kemi një vjedhje në Tension të Mesëm, numri i abonentëve shkon nga 2000 deri 8000 dhe për çdo rast vjedhjeje, nëpër kabina ky numër është rreth 100 deri në 300 abonentë. Duke parë sasitë kolosale të aseteve të vjedhura mund të marrim me mend se numri i abonentëve i ndikuar nga këto vjedhje është shumë i madh”, tregon shefi i mirëmbajtjes dhe operimit në CEZ.
Nga bilanci që kompania ka bërë, që nga tetori i vitit 2010, dëmi i shkaktuar nga vjedhjet janë: 169 transformatorë, 10 kilometra kabllo bakri të seksioneve të ndryshme, 48 tonë përcjellës bakri, 972 metra shirit tokëzimi prej bakri, 4.6 tonë përcjellës alumin-çeliku. Këto të dhëna shtohen dita-ditës.
Por nuk është vetëm kompania që dëmtohet. “Klienti nga ana tjetër dëmtohet nga mungesa e energjisë elektrike, por jo vetëm, shpesh vjedhjet e aseteve të caktuara kanë bërë djegien e pajisjeve elektroshtëpiake të klientëve. Pra, nuk është ndërprerë energjia, por kanë ndryshuar parametrat e transmetimit të energjisë, duke sjellë në shtëpi tension shumë të lartë apo shumë të ulët dhe duke djegur pajisjet”, thotë Luarasi. Sipas tij, në të gjitha rastet kur kemi vjedhje të urave të transformatorëve, kjo ndikon drejtpërdrejt në djegien e pajisjeve të konsumatorëve.
Luarasi tregon se, rasti i fundit, p.sh në Tiranë, i përkiste zonës së "Fushës së Aviacionit" dhe i rrugës "Pandi Dardha", por edhe shumë raste të tjera si, vjedhjet në rrugët "Siri Kodra", "Mine Peza", "Pjetër Budi", etj.
Po si vepron kompania në të tilla raste? Për CEZ është shumë e rëndësishme ndërhyrja në kohë, në mënyrë që klientit të mos i mungojë energjia, pavarësisht se i kujt është gabimi. Luarasi thotë se kur konstatohen raste vjedhjesh, mbahet një procesverbal, njoftohen organet e policisë, bëhet kërkesa për bazë materiale dhe ne bëjmë riparimin e defektit.
Për të parandaluar këtë lloj krimi dhe për të ulur ndikimet negative nga këto ndërhyrje, kompania CEZ shikon me mjaft rëndësi bashkëpunimin me forcat e ruajtjes së rendit publik, pra me policinë. “Duhet një bashkëpunim më i ngushtë me policinë dhe veprime efikase të tyre, duke kapur dhe duke ndëshkuar rëndë grupet keqbërëse, pasi mendoj se pa këtë është shumë e vështirë për të parandaluar rastet e vjedhjeve”, shton më tej Luarasi.
CEZ është duke bërë përpjekjet maksimale që konsumatorit të mos i mungojë energjia elektrike dhe për të gjitha rastet e dëmtimeve kërkon mirëkuptimin e klientëve të saj, por njëkohësisht shpreh edhe një kërkesë të veçantë bashkëpunimi: në rastet kur shikohet dhe evidentohet një vjedhje, duhen njoftuar menjëherë organet kompetente (policia) ose dispeçeritë e CEZ.
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.