Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani i tha sot deutetëve të Komisionit Parlamentar të Ekonomisë se sipas mendimit të institucionit që ai drejton, efektet e krizës do të vijojnë të rëndojnë Shqipërinë për një sërë faktorësh ndërkohë që deputetët e opozitës u ankuan për mungesë transparence.
Fullani dorëzoi para deputetëve raportin vjetor të Bankës së Shqipërisë dhe iu përgjigj pyetjeve të tyre. “Më 2009 e kam paralajmëruar qeverinë për rreziqet e krizës,” – tha Fullani, duke kujtuar periudhën para zgjedhjeve parlamentare të tri viteve të shkuara, kur qeveria nën ethet e rizgjedhjes keqmenaxhoi buxhetin e shtetit duke e zhytur vendin në borxhe, të cilat sot po rezultojnë shumë të vështira për t’u shlyer.
“Takohemi me Ministrinë e Financave çdo muaj për të koordinuar veprimet,” tha Fullani. “Ulja e borxhit nuk do ta stimulojë rritjen ekonomike,” – shtoi më tej Fullani.
Shqipëria po vuan aktualisht pasojat e keqmenaxhimit financiar të qeverisë që nisi me ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës dhe që vijoi me rritjen e borxhit publik në një nivel tepër të lartë për një vend si ne. Borxhi i lartë konsiderohet si shkaku kryesor i mungesës së rritjes ekonomike. 30 prill 2012 (gazeta-Shqip.com)
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.