Gjykata Administrative, projektligji i hartuar dy vjet më parë, javën e fundit mori konsensusin e dy forcave politike për ta miratuar plotësisht, ndërsa funksionin do ta nisë ndoshta në janar të 2013-s. Struktura e re e gjyqësorit shikohet nga biznesi si organi lehtësuar për mosmarrëveshjet që ka me tatimet dhe doganat, madje kohët e fundit, organizata të ndryshme lobuan fort për futjen në punë të Gjykatës Administrative.
Tani që ligji u miratua është momenti i duhur për të analizuar situatën e apelimeve të biznesit në tatime dhe si ndahen raportet në vendimet e gjykatave. Një subjekt privat ka të drejtë ta ankimojë gjobën e marrë nga tatimet dhe në rast se e humbet çështjen, e kalon për shqyrtim në gjykatë. Këtu nis kalvari i gjatë i trajtimit të çështjeve, ku as shteti dhe as biznesi nuk kanë dalë të fituar, por vetëm me kosto për shkak të zvarritjeve me vite të tëra. Dy vite më parë, me vendim qeverie, u shkri komisioni i apelimit në Ministrinë e Financave, si hallkë e ndërmjetme para se biznesi të çonte çështjen në gjykatë.
Aktualisht situata paraqitet tepër kritike, me para që shpenzohen për juristët dhe proceset e pafundme të gjykatave dhe për këtë qëllim, shihet si mundësi e mirë funksionimi i Gjykatës Administrative, kompetente për raste të caktuara dhe me afate të shkurtra. Të dhënat tregojnë se Administrativja do të ketë shumë punë, të paktën me biznesin.
Në vitin 2011, pranë Drejtorisë së Apelimit në Tatime u paraqitën rreth 7 mijë ankesa. Interesant është fakti se vlera e këtyre ankesave, pra çështjet që do të trajtoheshin, kapnin një vlerë për të paktën 10 miliardë lekë. Ankesat janë për gjobat e ndryshme, vlerësimet që biznesi i konsideron të padrejta, etj. Edhe pse në numër të madh, gati gjysma e ankesave rrëzohen, pasi biznesi nuk e ka të bazuar me ligj apelimin.
Duke parë statistikat në gjykata, nga numri dhe raporti i vendimeve, duket qartë se biznesi del i fituar përkundrejt administratës tatimore. Nga kjo kuptohet qartë se vendimet e tatimeve ndaj privatit nuk janë të studiuara mirë dhe të bazuara në ligj. Kështu, janë mbi 900 dosje të trajtuara nga gjykata vitin e kaluar, ku gati 22 për qind kanë shpallur fitues biznesin, 18 për qind në favor të tatimeve dhe pjesa e mbetur janë ende në proces gjykimi.
Gjykata Administrative është kompetente për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve, që lidhen me një veprim administrativ, pavarësisht nga forma dhe lloji i tij; marrëdhëniet e punës të rregulluara nga Kodi i Punës, në të cilat punëdhënësi është një organ publik; një akt nënligjor normativ të organeve qendrore apo organeve të njësive të qeverisjes vendore. Pra gjykata nuk do të merret detyrimisht vetëm me ankesat e bizneseve, por edhe të individëve që mendojnë se gjoba apo penaliteti i vendosur si në transport rrugor, apo largimi nga puna, konsiderohet i padrejtë.
Sipas ligjit të miratuar së fundmi, të drejtën e ngritjes së padisë e ka çdo subjekt, që pretendon se i është cenuar një e drejtë apo një interes i ligjshëm nga një veprim administrativ, por edhe organi shtetëror i pushtetit ekzekutiv, që pretendon se është cenuar në ushtrimin e kompetencave nga një akt administrativ apo nga një akt nënligjor normativ i paligjshëm, i një organi publik, me të cilin nuk ka lidhje varësie hierarkike. Padia kundër veprimit administrativ paraqitet në gjykatë brenda 45 ditëve. Afati nis nga data e njoftimit, të aktit administrativ të organit, që ka shqyrtuar ankimin administrativ dhe nga data e njoftimit, në rastet kur ky akt ankimohet drejtpërdrejt në gjykatë.
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.