Gazeta SHQIP (E Përditshme e Pavarur)

23 Maj 2013

Ndahet nga jeta aktori, regjisori dhe shkrimtari Sheri Mita

2012-04-03

Është ndarë nga jeta ditën e sotme aktori, shkrimtari dhe regjisori i mirënjohur Sheri Mita, në moshën 69-vjeçare. Sheri Mita ka lindur në Fterrë të Sarandës, më 14 prill 1943.
Ai ka kryer Institutin e Lartë të Arteve, dega Dramaturgji në vitin 1967. Për arsye biografike, nuk e ka pasur të lehtë të punojë në profesionin e vet.

Sheri MIta ka punuar pedagog në Institutin e Lartë të Arteve, më pas si aktor në Teatrin e Elbasanit, në Teatrin Popullor, në Estradën e Beratit etj.
Në vitin 1993 u emërua si drejtor në Estradën e Tiranës e vitet e fundit udhëheqës artistik. Në vitin 2004 doli në pension.
Sheri Mita ka një karrierë mbi 40-vjeçare në fushën e kinematografisë.

Ka dhënë kontribut të veçantë si aktor dramatik, por dhe komik. Ka luajtur dhe spikatur në shumë role nëpër filma artistikë, si në filmat “Ngadhënjim mbi vdekjen”, “Yjet e netëve të gjata”, “Ballë për ballë”, “Gjeneral Gramafoni’, “Veterani”, “Në fillim të verës”, “Valixhja me një milion dollarë” etj. Ka interpretuar si aktor në teatër, si te pjesët “Shtëpia në bulevard”, “Fytyra e dytë”, ‘Arturo Ui”, “I pazëvendësueshmi” etj.

Si regjisor ka vënë në skenë disa drama e komedi në Teatrin Popullor, në Fier, Berat, Korçë etj.
Si krijues letrar, ka shkruar gjashtë drama e komedi. Katër prej tyre: dramat “Vite të paharruara” dhe “Dy krisma në Paris” dhe komeditë “Këshilli i ndrikullave” dhe “Familja e madhe” kanë fituar çmime në konkurset kombëtare të dramaturgjisë dhe Festivalet Kombëtare të Teatrove. Në vitin 2004 u nderua me Urdhrin “Naim Frashëri i Artë”. 2 prill 2012 (gazeta-Shqip.com)



Lart: 18°C
Ulet: 10°C

18°C

Nesër

Lart: 24°C Ulet: 11°C

Pasnesër

Lart: 24°C Ulet: 12°C
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.