“Ngjyrat e pranverës” mbërrijnë dhe në Durrës. Përmes një udhëtimi artistik të pesë piktorëve që sjellin tendenca dhe ngjyra të ndryshme, në bregdet është përcjellë dhe miqësia franko-shqiptare përmes gjuhës së artit figurativ.
Udhëtimi i nisur në kryeqytet këtë muaj me punimet e piktorëve francezë Aymard Le Forestier De Quillien, Beatrice Richard dhe të piktorëve shqiptarë Besim Tufa, Ledia Kostandini dhe Stefan Taçi ka ndaluar në galerinë e arteve “Nikolin Xhoja” të Durrësit. Të pranishëm në ekspozitë kanë qenë dhe piktorët, të cilët i janë përgjigjur interesit të artdashësve durrsakë që e kanë mirëpritur edicionin e parë të Udhëtimit përmes Artit, një udhëtimi që premton rrugë të gjatë me ndërthurjen e stileve, kulturave dhe këndvështrimeve të ndryshme të përfaqësuar nga vlera artistike, pjesë të mozaikut kulturor europian.
Ekspozita në dy ditët e para të saj është vizituar jo vetëm nga qytetarë durrsakë, por edhe nga shtetas të huaj që ndodhen në Durrës për një vizitë a qëndrim disa ditor. Galeria e Artit Figurativ që nga hapja e saj në qendër të qytetit bregdetar, vitin e kaluar, ka mirëpritur ekspozita të artistëve të ndryshëm, jo vetëm atyre durrsakë, duke u kthyer në një promovuese e vlerave dhe edukimit të shijes artistike së qytetarëve.
27 prill 2012 (gazeta-Shqip.com)
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.