Gazeta SHQIP (E Përditshme e Pavarur)

21 Maj 2013

Muzetë përplasin Bumçin me komisionin

2012-03-13

Oliverta Lila (KERKO ...)

Muzafer Korkuti: Po flasim në hava. Nuk kemi plan financiar

Degradimi i muzeve ka nxitur organizimin e një tryeze për hartimin e Strategjisë Kombëtare në fushën e muzeologjisë. Specialistë të fushës së trashëgimisë dhe intelektualë të pranishëm kanë dhënë idetë e tyre. Arkeologët Muzafer Korkuti dhe Skënder Muça, si anëtarë të Komisionit Shtetëror të muzeve, e kanë quajtur të panevojshme këtë tryezë në mungesë të një platforme konkrete

“Muzetë kanë degraduar. Pjesa më e madhe e tyre janë jofunksionalë dhe janë vjedhur koleksione të çmuara”. Kjo gjendje, e cilësuar alarmante nga specialistët e fushës dhe e pranuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ka nxitur një tryezë si fillimin e një pune për hartimin e Strategjisë Kombëtare në fushën e muzeologjisë. Të pranishëm ishin përfaqësues të Komisionit Shtetëror të Muzeve (i përbërë nga specialistë të institucioneve të trashëgimisë), në krye të të cilit është ministri Bumçi, por edhe specialistë të fushës së trashëgimisë kulturore, të të përndjekurve politikë, intelektualë dhe përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes. Sipas ministrit Aldo Bumçi, i cili mbajti dhe fjalën e hapjes, pas një sërë tryezash të ngushta tematike mbi periudhën e regjimit komunist, arkeologjinë dhe etnografinë, do të ketë një hartë të qartë me gjeografinë e shpërndarjes së muzeve, tipologjinë e tyre dhe mënyrën e rikonceptimit të atyre aktualëve. Me këtë ide ishte përligjur tryeza publike e mbajtur dje në bibliotekën e Galerisë Kombëtare të Arteve, ku të ftuarit hodhën shumë ide, të gjithë në fushat që u interesonin, duke ngritur problematika që kanë shumë kohë që rrihen e që dihen nga specialistët. Publiku i gjerë është bërë dëshmitar i rrënimit të muzeve, i gjendjes skandaloze të tyre, i vjedhjes së herëpashershme të koleksioneve të çmuara. E nëse kemi humbur bazën origjinale materiale, për çfarë na duhet strategjia? Në këto vite ka munguar pikërisht vullneti për t’i ruajtur e me siguri pengesë nuk është bërë strategjia. Pikërisht kjo ide ka përplasur në këtë tryezë ministrin Bumçi me anëtarë të Komisionit Shtetëror të Muzeve, të cilët shqyrtojnë ndërhyrjet apo ngritjet e muzeve të rinj. Arkeologu Muzafer Korkuti, përfaqësues i Akademisë së Shkencave, e ka quajtur joproduktiv këtë takim, përderisa sipas tij, ata nuk kanë një strategji konkrete mbi të cilën të debatohet, të merret mendimi i të tjerëve dhe të përmirësohet. “Si anëtar i Komisionit Shtetëror të Muzeve ndihem jo siç duhet para këtij auditori të nderuar kur diskutoj për platformën, strategji kombëtare në fushën e muzeologjisë. Në program janë tri pika: periudha komuniste, etnografia, arkeologjia. Cila është strategjia që ne si komision paraqesim para këtij komisioni të gjerë që të marrim mendim? Ne nuk kemi asnjë platformë që ta shtrojmë më gjerë e të marrim mendimin. Ne po diskutojmë në planin teorik dhe qëllimi është në hava. Mblidhemi tani e diskutojmë si i kemi pasur muzetë apo si duhet ndërtuar muzeu. Duhet që për secilën nga tri pikat, muzetë e komunizmit, arkeologjisë dhe etnografisë, të ishin mbledhur specialistët, të kishin hartuar një platformë, e cila më pas të diskutohej e debatohej”, ka thënë Korkuti. Ndërhyrja e tij ka provokuar reagimin e Agron Tufës, si drejtues i Institutit për Krimet e Komunizmit. “Ne do t’i shprehim mendimet tona. Të dukemi idiot ne që kemi ardhur këtu”, ka replikuar Tufa. Korkuti ka vazhduar me mendimin e tij, duke theksuar se: “Secili mund të flasë këtu nga një gjysmë ore, por s’bëhet kështu puna. Çdo gjë bëhet mbi një plan konkret financiar. Cili është buxheti që ofrohet për këtë fushë apo tjetrën. Teori bëjmë gjithë ditën për secilën nga pikat. Ne si komision duhet të kishim dalë me një platformë konkrete”. Ministri Bumçi është munduar të sqarojë edhe një herë qëllimin e kësaj tryeze, e cila sipas tij ishte mbledhur pikërisht për të marrë idetë e para e pastaj për të kaluar në tryeza më tematike. “Strategjia nuk mund të dalë nga 6 punonjës të Drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore në MTKRS. Edhe sikur të ishin gjashtë akademikët më të shquar në Shqipëri, nuk mund të dalin në një strategji për muzetë në Shqipëri. Prandaj ne kemi ftuar përfaqësues nga çdo fushë. Nëse doni të dini për një strategji, atë nuk e kemi. Ajo do të dalë në fund të këtyre tryezave, me kosto dhe vendndodhje gjeografike për muzetë”, ka theksuar ministri Bumçi. Por edhe pas këtij arsyetimi, Korkuti i ka qëndruar mendimit të tij, që duhet të ishin bërë më parë tryezat e ngushta e pastaj, të dilej në diskutim. Kjo ka bërë që ministri ta humbë gjakftohtësinë, duke deklaruar se “gjatë këtyre 7 muajve e kam njohur pak a shumë secilin nga ju”. Qëndrimit të Korkutit i është bashkuar edhe arkeologu Skënder Muça, i cili është përfaqësues i Institutit të Arkeologjisë në komision. “Mbledhja e sotme është e rëndësishme, por të përqendrohemi në ato që kemi në program, sepse nëse do të shpërndahemi te të gjitha, nuk do të arrijmë asnjë gjë. Për muzetë e komunizmit, për disa prej tyre janë marrë vendime. Një vendim mund ta pasurojmë nesër, por nuk e ndryshojmë sot. Qeveritë kanë një politikë financiare për të gjitha këto. I propozoj Ministrisë së Kulturës që me institucionet e saj të fillojë procesin. Prioritetet i bën ministria në bazë të parave që ka. Ne kemi nisur e duhet të mbarojmë muzeun e Durrësit që kemi në proces, të mbarojmë muzeun e Apolonisë ku kemi realizuar vetëm një fazë e pastaj të mendojmë për të tjerat. Të shkojmë shkallë-shkallë e të kemi një strategji të gjatë, sepse kjo na ka munguar”, ka theksuar Muça. Nga ana e tyre, përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes, duke theksuar që ata i kanë hapur rrugën realizimit të Muzeut të Luftës së Ftohtë në Pashaliman dhe një muzeu të mbyllur në godinën e ish-Shkollës së Bashkuar, kanë kërkuar që të kenë edhe një përfaqësues në Komisionin Shtetëror të Muzeve. Në fjalën e marrë, specialistët kanë kërkuar përmirësime të ligjit për muzetë, për t’iu përshtatur zhvillimeve të fundit. Duke replikuar me Korkutin, Tufa ka kërkuar që në këto ndryshime ligji, duhet të parashikohet që në komision të mos ketë njerëz që më parë i kanë shërbyer ideologjisë. Pas dy orë diskutimesh, tryeza është mbyllur me premtimin se janë shënuar të gjitha idetë e shprehura.

Lart: 18°C
Ulet: 10°C

18°C

Nesër

Lart: 24°C Ulet: 11°C

Pasnesër

Lart: 24°C Ulet: 12°C
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.