Shaban Sinani: Dy vende, dy gjuhë?! Është antihistorike!”

“Të gjitha librat e mi janë nyjat e një vargori që shënojnë kodin e identitetit shqiptar”

Shqipëria dhe Kosova janë i njëjti komb, i njëjti popull, kanë të njëjtën gjuhë dhe të gjitha tezat me baza fetare, që propagandojnë të kundërtën, janë antihistorike. Ky është mesazhi që studiuesi i njohur, prof. Shaban Sinani, përcjell përmes kësaj interviste, në prag të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Prof. Sinani argumenton se, besimi nuk është faktor identiteti për popullin shqiptar, siç është për serbët, grekët, rusët dhe popuj të tjerë. Në këtë intervistë, studiuesi i njohur ndalet veçanërisht te dy ndër figurat më të mëdha të penës shqipe, Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli, duke analizuar të përbashkëtat dhe dallimet mes tyre.

Librat dhe studimet tuaja kanë të veçantë se, veç cilësisë së lartë, trajtojnë dhe probleme madhore të kombit, kulturës dhe letërsisë shqiptare. Cila është metodologjia juaj dhe çfarë mendoni për studimet në fushën e letërsisë, kulturës dhe historisë?

E çmoj shumë mendimin e mirë që keni për librat e mi. Është vështirë t’i përgjigjesh me pak fjalë pyetjes suaj. E vështirë, sepse argumentet themelore të studimeve të mia: letërsia shqipe e shekullit të 20-të (me Kadarenë, Camajn, Agollin), mitologjia, etnotekstet dhe eposi heroik legjendar, kodikët e Beratit dhe të Shqipërisë dhe shpëtimi i hebrenjve gjatë luftës antifashiste, duken gati të pabashkërenditshëm. Dhe është e vërtetë se ndërmjet tyre ka largësi të mëdha epokash dhe fushash studimore. Por ka dhe diçka thelbësore që i bashkon: janë të gjitha nyja të një vargori ndërkohor e mbikohor, që shenjojnë kodin e identitetit shqiptar. Miq të mi, por edhe njerëz kritikë që nuk i njoh personalisht, duke parë vetëm largësinë, jo vargorin vetë, ndonjëherë janë shprehur dyshimtarë për mundësinë e suksesit “duke qenë kaq i përhapur”. Mendoj se për lexuesin mund të jetë më e lehtë ta kuptojë sa i vërtetë është “teprimi me përhapjen” duke shenjuar se rruga e formimit tim është krejt atipike. U diplomova për gjuhësi historike, i udhëhequr nga prof. Shaban Demiraj, me tezën “Ndajfoljet përemërore në gjuhën shqipe”, që u propozua gjatë mbrojtjes prej të tre oponentëve që studimi të riparaqitej si disertacion doktorate brenda gjashtë muajve. Për shkak të detyrave që m’u ngarkuan menjëherë pas diplomimit, fillimisht si gazetar në të përditshmen “Zëri i popullit” dhe më pas si ndihmës për çështje të kulturës pranë kryetarit të shtetit, Ramiz Alia, e vijova formimin pasuniversitar në shkencat politike. Më 1992 u emërova në Institutin e Kulturës Popullore dhe brenda tre vjetësh kisha përfunduar disertacionin “Mitologji në eposin e kreshnikëve”, në fushën e etno-folkloristikës, mbrojtja e të cilit u shty tre vjet për arsye që nuk ia vlen të përmenden. Monografia më pas u botua e u ribotua disa herë. Vitin e kaluar përfundova dy studime të tjera monografike, që lidhen me tezën e doktoratës dhe vijim i thelluar i saj: “Etnos në epos” dhe “Tradita gojore si etnotekst”. Kur nisa punën në krye të rrjetit arkivor kombëtar kisha në mendje tre projekte kërkimore, të cilat i realizova në një proces të gjatë pune. Në vitin 1990 kisha njohur për herë të parë një koleksion dokumentesh origjinale për shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri, që ruheshin në arkivin e PPSH (për shkak të detyrës që m’u ngarkua për të sistemuar përfundimisht një dosje me riprodhime të tyre, që do t’u dhuroheshin kongresmenëve amerikanë J. DioGuardi e T. Lantos, të cilët në fillim të qershorit të atij viti vizituan Tiranën – këto fotokopje për herë të parë bënë të njohur në shkallë ndërkombëtare një faqe krejt të heshtur të historisë shqiptare, duke u certifikuar, autentifikuar dhe ekspozuar në Yad Vashem). Po më 1990 kisha paraqitur për botim një përmbledhje me studime për veprën e I. Kadaresë, që njëri nga recensuesit e quajti të pagatshëm për t’u botuar (më vonë, ky specialist i partishmërisë proletare në letërsi, botoi vetë disa libra përshkrimorë për Kadarenë). Sa u takon kodikëve të Shqipërisë, besoj se do të ishte ëndrra e çdo studiuesi që e sheh të arritshme mundësinë e njohjes së tyre. Shpesh mendoj se gjatë tri dekadave pune në disa detyra e fusha kam kryer disa universitete: në gjuhësi e letërsi në fillim, në politologji më pas, në etnologji e antropologji, në histori kulture e qytetërimi, dhe ky ka qenë fati im i mirë. Kështu, duke punuar së paku një dekadë rresht, shkrova e botova librat monografikë “Kodikët e Shqipërisë në ‘Kujtesën e Botës’’”, “Prania historike dhe shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri”, “Camaj i paskajuar”, “Letërsia në totalitarizëm dhe ‘Dossier K’” dhe të tjerë. Fakti që këta libra kanë pasur dhe botime në gjuhë të huaj (frëngjisht, anglisht, kroatisht) më bën të mendoj se vërtet kanë të bëjnë me kodin e identitetit shqiptar. Ju më pyesni për metodologjinë. Unë shkurtimisht do të thosha se në mënyrën si punoj unë vazhdimisht kam 3-4 projekte në duar njëherësh (nuk ka pasur ndonjë çast në jetën time që të kem pasur vetëm një projekt në punë e sipër) dhe kurrë nuk më ka ndodhur që të mos e di se çfarë do të bëj minimalisht për dhjetë vjetët e së ardhmes. Pak a shumë këtë unë e quaj ideal shkencor.

Në librin tuaj të fundit “‘Njerëzit e krisur’ të Dritëro Agollit” ju shkruani se “letërsia e Dritëroit u rezistoi stuhive”. Sipas jush, kjo rezistencë, qoftë e Agollit apo e Kadaresë, ka të bëjë me lidhjet e postet e tyre në atë sistem, apo për shkak të veprës së tyre?

Mendoj se ajo pjesë e letërsisë shqipe të realizmit socialist që u ka mbijetuar ndryshimeve politike të dy dekadave të fundme, që shprehen në kalimin prej shoqërisë së vigjilencës në shoqërinë e hapur, bën dallimin me letërsinë dogmatike dhe të disiplinuar. Në sistemet totalitare, qofshin të majta si në Lindjen ish-komuniste, qofshin të djathta si në botën latinamerikane, letërsia shihet si rrezik kur bëhet shkas që të kthehet në lëvizje mendimi. Në Shqipëri lëvizjet e mendimit janë të rralla: në traditën shqiptare problemet e zhvillimit më së shpeshti janë zgjidhur me kryengritje, rebelime, revolucione, luftëra e konflikte, madje dhe me atentate. Shoqëria shqiptare e vigjilencës ka qenë e pamëshirshme për ato raste kur vepra e një shkrimtari mund të bëhej faktor ndikues, pavarësisht se në ç’pozitë a funksion gjendej shkrimtari. “Partia të ngre në qiell, partia të fut nën dhé”, pikërisht kështu u formulua zyrtarisht mendimi për një vepër të Kadaresë në fundin e viteve 1970. Për mënyrën si është kontrolluar provokimi ideor në veprën e I. Kadaresë nuk do të zgjatem. Por nuk kanë qenë më të pakta dhe veprat e D. Agollit që janë kritikuar e ndaluar, sidomos në prozën humoristike dhe në dramaturgji: “Zhurma e erërave të dikurshme”, “Fytyra e dytë”, “Mosha e bardhë”, “Baladë për një grua”, “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, disa tregime dhe cikle me poezi të botuara në fillimin e viteve 1980 në të përjavshmen “Drita” e në “Nëntori”. Këto vepra nuk janë antikomuniste, por disi dalin “jashtë kodit”, pjesërisht a tërësisht. Te “Zhurma e erërave të dikurshme” karakteret janë atipike dhe rrethanat edhe më atipike. Në romanin “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” nxitet vetvetiu pyetja nëse burokracia është çështje sistemi apo një dukuri rastësore. Kjo është aq e vërtetë, sa përkthyesja bullgare e këtij romani, Marina Marinova pati probleme, sepse në Sofje u hap një hetim me paramendimin se autori i vërtetë duhej të ishte bullgar, përqeshja duhej të kishte lidhje me Zhivkov-in, ndërsa Dritëro Agolli duhej të ishte thjesht një pseudonim. Dramat “Mosha e bardhë” dhe “Baladë për një grua” u ndaluan qysh në shfaqjet e para. Teksti i së dytës u zhduk krejt nga qarkullimi, ndërsa “Mosha e bardhë” u botua në Prishtinë. Nisur nga një pohim publik i autorit, se për dramën “Baladë për një grua” nuk ekzistonte as dorëshkrimi, as daktiloshkrimi, vitet e fundit bëra disa kërkime dhe më në fund teksti u gjet. Së bashku me regjisorin Pirro Milkani, që po punon për realizimin e një dokumentari për D. Agollin, ia dhuruam këtë dorëshkrim disa kohë më parë dhe ju mund ta merrni me mend se ç’kënaqësi shihej në atë çast në gjithë qenien e tij. Për të përfunduar: është shumë e qartë se detyrat apo përgjegjësitë që kanë kryer shkrimtarë si D. Agolli e I. Kadare, po aq sa mund t’u kenë krijuar lehtësira botimi, po aq u kanë krijuar dhe situata kritike. Ndërsa në leximin e sotëm rrethanat e botimit apo të ndalimit të veprave janë pa ndikim, janë thjesht çështje të historishkrimit të letërsisë. Një shekull e ca më parë, në esenë “Le gai savoir”, filozofi gjerman, F. Nietzsche, pati shpallur se “Zoti është zhdukur, domethënë Zoti ka vdekur”. Gérard Genette, në librin e njohur “Palimpsestes: La littérature au second degré”, zhvilloi mendimin se në botën e sotme s’ka më krijues po vetëm rikrijues. Në vitet 1970, studiuesi francez, R. Barthes, duke iu referuar pavarësisë së veprës nga krijuesi, botoi librin “La mort d’auteur”, duke e përjashtuar kështu jetën e shkrimtarit nga përftimi i letërsisë. Në këtë kuptim, në receptimin e sotëm të letërsisë së Kadaresë apo Agollit s’ka më rol karriera e tyre, madje as historia e botimit të veprave të tyre.

Ku dallon letërsia e Kadaresë nga ajo e Agollit? Çfarë i ndan dhe çfarë i bashkon këta dy shkrimtarë?

Në të vërtetë, krahas këtyre dy shkrimtarëve, kam studiuar gjithashtu dhe veprën e Martin Camajt, të cilën, për rrethana që i shpjegova, kam pasur rast ta njoh edhe para viteve 1990. Por ju keni të drejtë që e përqendroni pyetjen tuaj te Kadare e Agolli, sepse monografia ime “Camaj i paskajuar” pak kohë ka që është botuar. Mirë, duhet të kthehem te krahasimi. Dikur shqiptoheshin disa opozicione shumë të thjeshta, ndonëse nuk kishin të bënin drejtpërdrejt me tekstin: Kadare paraprin zhvillimin e prozës, Agolli të poezisë; Kadare shkruan letërsinë e qytetit, Agolli të fshatit; Kadare shkruan për lexuesin e Perëndimit, Agolli për lexuesin e vendit; Kadare konteston sistemin, Agolli e qorton për ta shpëtuar nga të këqijat; Kadare është revizionist, Agolli është i besuar. Në mënyrën si lexohej letërsia dikur: si art, ideologji e politikë njëherësh, këto opozicione ishin të nënkuptueshme. Por ndonjëherë formuloheshin e shqiptoheshin edhe publikisht. Në një plenum të Lidhjes së Shkrimtarëve që u mbajt në fundin e viteve 1970 u tha saktësisht se shkrimtarët shqiptarë nuk duhet ta kërkojnë famën në Perëndim. I. Kadare disa herë është shprehur se “me kalorësi, prej shumë vitesh, nuk kam pretenduar, madje kam insistuar të shmangem prej çmimeve në poezi”. Duke ardhur në kohën e sotme mendoj se letërsia e këtyre dy shkrimtarëve ka të përbashkët së pari etnografizmin, pastaj mitin e prejardhjes, mitin e lavdisë historike, mitin e qëndresës. Pavarësisht se letërsi ideologjikisht të rrethuara prej marksizmit, një ideologji tipike internacionale, te të dy autorët ka me shumicë albanocentrizëm. Në pikëpamje të mjeteve të shprehjes, mendoj se të dy, duke pasur si ndërmjetëse poezinë e Majakovskit, apo të ashtuquajturin “levnij futurizm” – futurizëm i majtë, përftuan estetikisht dhe teorikisht prej traktatit të Marinetti-t disa nyja thelbësore: mitin e teknikës, industrializimit dhe urbanizimit; fjalorin teknokratik dhe shthurjen e vargëzimit klasik. Do të mjaftonte të kujtonim titujt e dy vepra të tilla të tyre, si “Ëndërr industriale” dhe “Dashuri e ferrobeton”. Në rrafshin tematologjik, vepra e Kadaresë dhe ajo e Agollit kanë afërsi, por në rrafshin sistematik disi largohen. Po ashtu dhe në figurshmëri. Poezia e Agollit është e hapur për gjedhe dhe kode poetike lindore, prej rubaive e masnavive perse deri te hajku e tanka kineze e japoneze. Ndërsa poezia e Kadaresë, duke përjashtuar fillimet, ku ka ndikime të poezisë ruse (Majakovski, Pushkini, Esenini), është kryesisht europiane. Poezia e Agollit është më e afërt me kodin poetik popullor tradicional, kurse ajo e Kadaresë më elitare. Në poezinë e Agollit ka një ndikim të dukshëm prej Naimit (mund të krahasohen “Bagëti e bujqësia” dhe “Nënë Shqipëri”), kurse në atë të Kadaresë më shumë ka prerje ndërtekstuale me Migjenin dhe De Radën. Dukuritë metafizike (dhimbja, trishtimi, humbja, vdekja) janë më të pranishme në poezinë e Agollit. Te Kadare këto dukuri shprehen në një formë të tërthortë, përmes paraleleve me dukuritë natyrore (shiu, vjeshta, dimri, sëmundja, zymtësia). Në një rast që përmendet shprehja rituale e ngushëllimit “për të mirë” (te “Dimri i vetmisë së madhe”), për Kadarenë u bë një diskutim i ashpër deri në zyrën e N. Hoxhës. Në prozën e Agollit vërehen gjurmët e një rendi dhe botëkuptimi bektashian (“Njeriu me top”, “Arka e djallit”), kurse në prozën e Kadaresë afritë përfytyrimore janë kryesisht me fondin e baladave mesjetare shqiptare (“Ura me tri harqe”, “Kush e solli Doruntinën”, “Një dosje për Homerin”, “Prilli i thyer”, “Konkurs bukurie burrash në Bjeshkët e Nemuna”). Karakteret e krijuara nga Kadare e Agolli si rregull nuk u nënshtrohen njëherësh pesë kanoneve apo kodeve të sjelljeve skematike komuniste.

Në librin e saj të fundit, bashkëshortja e Kadaresë, shkrimtarja Helena Kadare, tentoi të sheshonte disi tensionin dhe “të ulte gjakrat”, mes Kadaresë dhe Qosjes. Si e keni parë ju debatin mes tyre? A kaloi ai nga argumenti te sulmet personale?

Jo, vetëm e kam ndjekur, por kam marrë pjesë ndoshta dhe me ndonjë teprim në polemikën që u hap. Kam shprehur dhe shpreh edhe sot mendimin se besimi nuk është faktor identiteti për popullin shqiptar, siç është për serbët, grekët, rusët dhe popuj të tjerë. Shqiptarët janë heterogjenë në besim dhe mbitheksimi i besimit si faktor identiteti ka qenë dhe është i gabuar. Identiteti ka të bëjë me etnotipin, është çështje gjenotipike, sigurisht me ndikime prej historisë, por jo e kundërta. Në shekullin e 15-të, kur u shfaq Islami në Ballkan, identiteti shqiptar ishte kodifikuar. Popujt që përveçohen në kohët moderne janë të vonuar. Për mendimin tim Kadare kishte të drejtë kur propozoi për diskutim tezën e identitetit europian të shqiptarëve. Kjo tezë u keqkuptua, u interpretua si një thirrje për rikrishterim të shqiptarëve. Në fakt, edhe sikur të kishte qenë kështu, dihet mirë se thirrjen e parë për kthimin në fenë e të parëve shqiptarëve ua ka bërë Faik Konica, i cili edhe vetë u ungjillizua. Shumë njerëz këtë mund të mos e dinë, por studiuesit e historisë së letërsisë duhet ta dinë doemos. Po e theksoj këtë, sepse në të vërtetë ideja e Kadaresë u demonizua, sikur të kish qenë ai i pari shqiptues i kësaj “blasfemie”. Kam përshtypjen se në gjithë ashpërsinë e polemikës mund të ketë ndikuar një fakt krejt i parëndësishëm: i ndjeri I. Rugova, me sa dihet, pati pranuar të ungjillizohej. Jam shprehur dhe mendoj ende njësoj, se teza e identitetit të dyfishtë apo të trefishtë të shqiptarëve (ose e “pluriidentitetit”/”multiidentitetit”, siç e propozoi dhe R. Qosja), është prodhuar prej shkollës serbe, që, kohët e fundme, është pasuar dhe nga studiues të tjerë (A. Željaskova, “Albanian Identities”, Sofia 2000). Antinomitë “albanac – šiftar – šiptar”, “albanci – arnauti”, tani së fundmi dhe “albanac – šiftar – šiptar – kosovar”, janë kurthe të ngritura ndaj dijes shqiptare qysh në shekullin e romantizmit. Ak. Qosja, duke pretenduar se duhet të diskutojmë për realitetin (me të cilin identifikonte vetveten), jo për projektet (me të cilët identifikonte Kadarenë), i bëri dëm mendimit shqiptar. Shkencat kombëtare e kanë për detyrë të promovojnë konvergjencën – shkenca e tjetrit le të merret me të kundërtën. Aventurat për krijimin e dy vendeve, dy popujve, dy gjuhëve, duke iu referuar kryesisht dallimit, dhe “dallimi i rëndësishëm” është vetëm ai fetar, janë antihistorike. Pak fjalë edhe për pjesën tjetër të pyetjes suaj. Mendoj se për I. Kadarenë sprova për identitetin europian të shqiptarëve është një vepër aq modeste sa nuk mund t’i shërbente për protagonizëm.

Në shtyp, dhe sidomos në televizion, në të shumtën e rasteve, nuk ka debat të vërtetë dhe profesional, nuk ka ide, por, thënë troç, fjalë që degjenerojnë në sherr dhe banalitet. Sa gisht kanë aktorët mediatikë në këtë mes dhe çfarë mendoni për konceptin e debatit të vërtetë dhe profesional?

Kjo është pamja më e shëmtuar e krizës së pashpallur që jeton vendi. Është kriza e mendimit, e shoqëruar prej krizës së karaktereve. Mendoj se aktorët mediatikë, kur e shpallin veten fitues krahas një faktori politik, nga ana profesionale e kanë çfaktorizuar veten, dhe të tillë në Shqipëri ju e dini se ka shumë. Në një vend ku, bie fjala, për të përmendur vetëm një fakt të mirënjohur, zgjedhja e kryetarit të shtetit festohet me birrë “Te tymi” dhe me praninë e njëkohshme publike të kryetarit të qeverisë, të kryetarit të Kuvendit dhe drejtorit të një televizioni jopublik, si mund të mendosh pozitivisht për emetuesit televizivë? Unë e kuptoj se në shoqëritë demokratike ka media shtetërore dhe joshtetërore, të orientuara majtas e djathtas, të ekuilibruara e të çekuilibruara, biznesi dhe jobiznesi. Siç është dhe “Rai”, për shembull. Por një herë në stinë edhe zëdhënësit e qeverisë bëjnë një sfidë, siç qe rasti i Celentano-s. Meqë ra fjala, e keni vënë re se nuk ekziston më institucioni i zëdhënësit, përveç atij/asaj të kronikës së zezë? Sepse nuk është e nevojshme: zëdhënësit vullnetarë janë dhe më të pëlqyer!

Ju jeni në bordin këshillimor të shtëpisë botuese “Naimi”. Kemi vënë re se u qëndroni larg botimeve komerciale (ku fitohen shumë para), dhe zgjidhni, mbi të gjitha, cilësinë. Pse kjo zgjedhje?! Ç’mund të na thoni, shkurtimisht, për politikën e botimeve në Shqipëri?

Është e vërtetë se kam pasur mundësi të përfitoj nga detyrat që kam kryer, duke përdorur të shkuarën time për botime fitimprurëse. Kam punuar shtatë vjet me Ramiz Alinë, në një nga kohët më të vështira të historisë moderne të Shqipërisë. Kam punuar dhe tre muaj, në ditët më të ndërlikuara të S. Berishës si President i vendit, si njeriu që erdhi në krye të shtetit pa pasur as njohuritë fillestare për sjelljen zyrtare dhe protokollin. Në kohën që drejtova arkivat e Shqipërisë, megjithëse i tejngopur me informacion, vetvetiu në tryezën time kalonin ditë për ditë qindra dhe mijëra fletë fotokopjesh, që linin gjurmë në kujtesë. Por e kam shpallur prej shumë kohësh: do të shkruaj kujtime vetëm kur të jem plakur. Po e përsëris: tani për tani kam projekte të saktësuara së paku edhe për 15 vjet. Ndoshta atëherë do të shkruaj për libra të shitshëm, por dhe atëherë si një detyrim ndaj kujtesës së historisë. Sa i takon pjesës së dytë të pyetjes: mendoj se në Shqipëri nuk ka politikë botimesh. Një ndër tre shqiptarë është shkrimtar, një ndër tre shqiptarë është këngëtar a piktor dhe një ndër tre shqiptarë është emigrant. Kështu, botohen 1500-2000 libra në vit, dhe ka më shumë libra se lexues. Po të shprehej figurativisht, kjo gjendje do të shenjohej si një vijë e drejtë, që është vija e status quo-së, vija mediokre e botimeve të vetëfinancuara, që dalin në publik “për qejf të autorit”.

Veç faktit se jeni cilësor, ju keni edhe një bum botimesh: Çfarë do të marrë lexuesi nga ju dhe krijimtaria juaj në vitin 2012?

Është e vërtetë se kam pasur disa botime këto kohë. Një mike që mban ligjëratat e letërsisë shqipe në Romë më shkruante me humor para disa kohësh se ishte kënaqur që ishte botuar libri me studime për D. Agollin, por mos kisha diçka të re ndërkaq? E kam thënë dhe herë të tjera: këta janë libra që botohen sot, por pjesë-pjesë në versione të para janë botuar në revista e të përditshme qysh në vitet 1980 e këndej. Në fakt, për vitin 2012, kisha vendosur që, sipas legjislacionit në Shqipëri, të kërkoja të drejtën e “vitit sabatik” (“sabbatical year”), që është e drejta e studiuesit për t’u marrë me veten, me formimin dhe riformimin shkencor në çdo shtatë vjet. Mirëpo sivjet është qindvjetëshi i shpalljes së pavarësisë dhe e shoh se nuk mund të rri mënjanë. Besoj se në këtë kuadër sivjet do të botohet një tekst kolegjial me titull të përafërt “Një shekull letërsi”, pjesë e një projekti më të rëndësishëm që ka Qendra e Studimeve Albanologjike, për një histori antologjike të letërsisë shqipe, prej fillimeve deri sot, ku do të kem dhe unë një autorësi modeste. Pak a shumë do të jetë modeli “Studi e testi”, që është zbatuar me frytshmëri prej Koliqit qysh në fillimet e kolanës “Shkrimtarë shqiptarë”. Por gjithsesi dhe këtë vit do të kem një libër të ri, me titullin e përtashëm “Migjeni dhe mitet”. Në fakt do të ishte më mirë të thuhej “Migjeni pa mitet”: pa mitin e malit, që e pati robëruar letërsinë shqipe për disa shekuj me radhë; pa mitin e heroit, që gjithashtu e pati kryqëzuar letërsinë shqipe te kreshnikët dhe më pas te “heroizmi i popullit tonë në shekuj”; pa mitin e revolucionit, që gabimisht studiuesit e kërkuan dhe ia zmadhuan për një gjysmë shekulli pas luftës antifashiste, dhe pa shumë mite të tjera. Migjeni është shkrimtari që e ktheu letërsinë shqipe në qytet, dhe kjo meritë e tij do të mbetet e padiskutueshme. Migjeni është shkrimtari që, ndonëse bashkohej me Neitzsche-n në pyetjen “Perëndi, ku je?”, tekstin biblik e shfrytëzoi si metatekst më mirë se kushdo tjetër. Migjeni është i pari që bashkoi në letërsinë e tij dëshpërimin planetar të “brezit të humbur”, fuqinë shenjuese të fjalës si në letërsinë simboliste, realizmin social që kishte pushtuar gjithë Europën, kriticizmin e një shekulli që do të kalonte në dy luftëra. Jashtë “shkollës jezuite” dhe “shkollës franceskane”, nëse do t’u referoheshim termave të Koliqit; pranë “Botës së re” po aq sa dhe pranë “Shkëndijës”, Migjeni do të mbetet një “outsider” i letërsisë shqipe të kohës. Libri do të ketë dhe një fashikull dokumentesh të panjohura për jetën dhe veprën e Migjenit, duke përfshirë burime që kanë të bëjnë me etnicitetin e tij, me fatin e “Vargjeve të lira” (ndalimin apo vetëndalimin e tyre), me lidhjet që poeti kishte me grupime ideologjike dhe fetare.

Intervistoi Elvin Luku

Autor te 21 Prill 2012. Kulturë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • hirushja

    cfare kuptimi ka fjala gjedhe

  • hirushja

    po fjala rivizitim