Kur punon për kombin, kjo do të thotë se ke kryer me devotshmëri detyrën që të jep Zoti për të ardhmen e vendit tënd. Një i tillë që punën ndaj vlerave kombëtare e ka pasur si detyrim dhe përkushtim, ka qenë edhe Fatos Mero Rrapaj.
Një ngushëllim në shtëpinë e tij në lagjen e njohur “Çole” të Vlorës së bashku me presidentin e PDIU, Tahir Muhedini, dhe kryetarin e PDIU për Tiranën, Galip Taho, ishte një veçanti për familjen e këtij personaliteti të letrave shqipe, por më shumë akoma për letrat e kombit në veçanti. Unë e kam njohur dhe kam biseduar, e kam pritur një natë në shtëpinë time dhe jam fjalosur me këtë njeri të urtë dhe të palodhur, me këtë burrë të vërtetë me cilësi shqiptare që sinqerisht duhet të them që në krye se është dhe mbetet i rrallë në gjenin shqiptar për punën që ka bërë.
Një telefonatë nga Vlora më njofton se u nda nga jeta Fatos Mero Rrapaj. Ishte bashkatdhetari im nga Çamëria, Ruhi Xhani, që ma tha lajmin dhe u preka sinqerisht, më shumë për atë që nuk do të isha i pranishëm t’i hidhja një grusht dhe siç e ka zakoni shqiptar. Por trishtimin më të madh e ndjeva kur mu bë e ditur se në varrimin e këtij akademiku me vlera të mëdha nuk shkoi asnjë akademik shqiptar i licencuar te godina e akademisë.
Menjëherë në mendje më shkuan ato momente kur kam pasur fatin ta takoj dhe ta dëgjoj Fatosin e Çamërisë. Ai ishte një lab i vërtetë, po aq sa ishte edhe një çam i vërtetë, ai ishte një shqiptar i madh, po aq sa ishte edhe një akademik i shkëlqyer. Çanta e tij nuk mund të mbante më shumë materiale të hulumtuara dhe të vjela nga goja e protagonistëve që kishin çfarë i thoshin Fatos Mero Rrapajt, se sa koka e tij ishte një hambar i madh që mbante brenda saj një akademi të vërtetë të vlerave kombëtare në përgjithësi dhe ato të Çamërisë në veçanti. Ka qenë vetë shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare, që në vitin 1980 ka hedhur në letër parathënien e librit të Fatos Mero Rrapajt “Këngë Popullore nga Çamëria”. Ishte një vlerësim objektiv dhe i lakmuar edhe nga vetë shkrimtari Kadare që dinte të vlerësonte njeriun që me plot gojën ishte një institut pa godinë brenda vetes së tij për shkak të skedimit që ai i ka bërë etnografisë dhe vlerave folklorike të kombit në përgjithësi dhe asaj çame në veçanti
Sapo dikush e merrte vesh se kishte ardhur Fatosi i letrave të Çamërisë, nxitonte ta takonte e t’i thoshte gjithçka që dinte, se e mendonte studiuesin si një magazinë pa inventar që ai kishte brenda vetes. Nuk e di sa shqiptarë e kanë dëgjuar emrin e tij. Emrat e apostujve njerëzia i mëson më vonë, për të mos harruar kurrë. Fatos Mero Rrapaj i kushtoi gjithë jetën e tij mbledhjes dhe botimit të folklorit shqiptar, këngëve dhe fjalëve të urta të krijuar pikë-pikë nga zemra e popullit. Thonë se ato që ka mbledhur janë më të shumta se veprat që botoi sa ishte në jetë. I kishte rënë kryq e tërthor, si një apostull, viseve ku jetonin apo kishin jetuar shqiptarët, brenda dhe jashtë dy shteteve shqiptarë. Me një qëllim të lartë: mblidhte visaret shpirtërore të kombit të tij të shprehura në fjalën e folur dhe të kënduar, krijimi më i arrirë i trashëgimisë kulturore shqiptare. “Rënkimet e Çamërisë” ishin edhe rënkime të vetë shpirtit të këtij njeriu me shtat të vogël, por me një supermarket vlerash autentike.
Dr. Luan Zyka, një studiues i kulturave bujqësore që jeton prej vitesh në Selanik të Greqisë, kur mori vesh ngjarjen e ndarjes nga jeta të Fatos Mero Rrapajt, menjëherë më shkroi “Unë e kam takuar vetëm një herë, në fund të viteve ’80. Në vitet e studimeve të mia universitare në Greqi, kisha miqësi me një student grek me origjinë çame, i cili kur u ndamë më dhuroi dy kaseta me këngë çame. Këtë fakt ia kisha treguar një mjeku me origjinë çame që punonte në Universitetin Bujqësor të Tiranës ku unë isha pedagog. Një ditë mjeku më thotë se dëshironte të më takonte Fatos Rrapaj, mbledhës folklori, të cilin nuk e njihja.
Nuk e harroj atë mbrëmje dimri kur më priste në takim atje te kthesa e Kamzës një burrë i imët, pakëz i kërrusur, me një çantë të madhe në dorë. Unë u vonova shumë, por ai më priste mes errësirës nën shi. Folëm për folklorin; unë i tregoja për këngët çame, disa prej të cilave i kisha dëgjuar atje në vatrat e tyre. Ai më dëgjonte me sytë që i xixëllonin dhe më shtrëngonte duart. Nuk kisha parë njeri me pamje të tillë në jetën time. M’u duk si një engjëll ëndrrash i madhuar ndër vite nga puna e tij prej apostulli. Menjëherë vendosa dhe ia dhashë të dy kasetat me këngët çame. Nuk kisha kopje të tjera, tek ai do të ishin më të vlefshme dhe më të sigurta. Ai nektar këngësh ishte në duart e bletës, ashtu mund ta krahasosh Fatosin, që ashtu i imët si bleta kishte lindur për të mbledhur nektarin e shpirtit të popullit të tij dhe për t’na lënë veprën e tij të mjaltë. Një vepër vigane të botuar dhe pa botuar. Fatos Mero Rrapaj, apostull i shpirtit shqiptar”.
Nuk ka dyshim se sa pjesëtarë të komunitetit çam do të dëshironin t’i thoshin dy fjalë për Fatos Mero Rrapajn, se ai meriton të gjitha fjalët më të mira që ka fjalori ynë, se ai ishte i madhi i folklorit, veprat e të cilit janë një institut për Çamërinë, larg shfaqjeve mediatike, por i futur thellë në mendjet e shqiptarëve që e njihnin dhe ia dinin punën këtij çami të madh nga Labëria motër. Shpirti i tij do të prehet në altarin e apostujve me bekimin që i jep “Feja e shqiptarit është shqiptaria”.