Tenderi i uniformave, ndjekje penale ndaj kryepolicit Burgaj

Skandali

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për “shpërdorim detyre”

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, ndiqet penalisht për shpërdorim detyre. Kjo vërtetohet nga Prokuroria e Tiranës, e cila ka nisur hetimin penal ndaj tij për abuzime me tenderin e uniformave të policisë. Shkelje dhe dëm financiar për këtë tender janë gjetur edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, ndërkohë që hetim ka kryer edhe antikorrupsioni i Kryeministrit. Dëmi financiar i shkaktuar nga tenderi i uniformave të policisë përllogaritet në 1.5 miliardë lekë të reja.

Denoncimi

Skandali u zbulua nga gazeta “Shqip”, gjatë një investigimi për tenderin e uniformave të policisë, ndërkohë që asnjëherë nuk u pranua nga zyrtarët e kësaj strukture, duke pretenduar se nuk ka pasur abuzime me këtë tender. Por dyshimet për abuzime bënë që të hetohet më tej mbi tenderin e firmosur mes Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Hysni Burgaj, dhe shoqërisë “Gjergjefi” sh.p.k, pikërisht më 20 qershor të vitit 2011. Nisur nga shqetësimi i ngritur nga “Shqip”, por edhe nga shumë specialistë policie, pak javë më parë u dërgua në Prokurorinë e Tiranës kallëzimi i parë penal ndaj kreut të policisë për tenderin e uniformave blu. Kallëzimi është bërë nga nënkryetari i Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare, Ilir Gjoni. Menjëherë pas verifikimeve të para, Prokuroria e Tiranës, duke u bazuar mbi dyshime konkrete ka nisur hetim penal mbi këtë çështje, ku i akuzuari kryesor është Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, për veprën penale “shpërdorim detyre” dhe shtetasi Jani Gjergjefi, për kryerjen e veprës penale të “mashtrimit”. Madje Jani Gjergjefi është personi që kishte fituar edhe më parë tenderin për uniformat e policisë, i cili u anulua për shkak të shkeljeve të ndryshme, ku u ngritën akuza edhe për korrupsion.

Të akuzuarit

Në lidhje me hetimin për çështjen e tenderit të uniformave blu, burimet nga Prokuroria e Tiranës bëjnë të ditur se çështja është regjistruar si procedim penal para disa javësh, ndërkohë që kallëzimi është kryer rreth një muaj e gjysmë më parë. Fillimisht, organi i akuzës së kryeqytetit ka bërë verifikimin e materialit kallëzues, ndërsa në përfundim të procesit ka vendosur nisjen e procedimit penal. Sipas të dhënave, në materialin kallëzues është kërkuar ushtrimi i ndjekjes penale ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, shoqërisë “Gjergjefi” sh.p.k, dhe personave të tjerë të paidentifikuar. Ndaj kreut të policisë është kërkuar hetim për kryerjen e dy veprave penale, pikërisht atë të “shpërdorimit të detyrës” dhe “shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tender apo ankande publike” të parashikuara nga neni 248 dhe 258 i Kodit Penal. Hetimi aktualisht po zhvillohet edhe ndaj personave të tjerë përgjegjës në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, ndaj personave përgjegjës në Agjencinë e Prokurimit Publik, ndaj Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, hartuesve të dokumenteve të tenderit dhe njësisë së prokurimit.

Antikorrupsioni

Ky nuk është hetimi dhe verifikimi i vetëm i bërë për tenderin e uniformave të policisë. Disa muaj më parë, pikërisht në shtator të vitit 2011 u krye një tjetër verifikim nga antikorrupsioni i Kryeministrit. Në atë kohë, antikorrupsioni kreu verifikimet pas një ankese të bërë nga vetë specialistët e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit në Drejtorinë kundër Krimit Ekonomik, të cilët nuk mund të hetonin eprorin e tyre. Menjëherë pas ankesës, për disa ditë radhazi, specialistët e antikorrupsionit të Kryeministrit mësynë Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë dhe kryen verifikime të ndryshme mbi tenderin e uniformave. Megjithatë, konkluzionet e tyre nuk u bënë publike.

KLSH

Veç këtyre subjekteve, verifikime për këtë tender ka kryer edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit. Sipas informacioneve konfidenciale pranë KLSH-së, në tender janë gjetur disa shkelje, por ende nuk janë dhënë konkluzionet përfundimtare dhe nuk është bërë një kallëzim penal, pavarësisht se nuk mohohet që në të ardhmen mund të kryhet një veprim i tillë. Shkeljet e konstatuara nga KLSH-ja mësohet se kanë të bëjnë me dëm ekonomik në vlera të larta financiare, duke shtuar edhe më shumë dyshimet për një tender tjetër të dështuar nga policia, që këtë herë, ka futur në rrethin e dyshimeve, vetë kreun e kësaj strukture.

Autor te 27 Prill 2012. Aktualitet, Kryesoret. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • qytetar

    Shikoni
    karagjozllikun diskretitues ne uniformen e keti ushtaraku me pamje naive,
    tallja e ati qe e ka miratuar nuk perfshin vetem kete personazh, por te gjith
    kombin.

    Ne kapele mban nje embleme me shqiponjen e Bundestagut, me nje kordon te pa
    kompletuar te karabinjerise Italiane, ne jake mban dekoracionin e kapitenit te
    xhandarmerise Italjane me ngjyra ushtarake.

    Ndersa
    gradat nuk kane lidhje fare me kete sherbim.

    Na diskretituat, na vjen turp nga perfaqsimi.