Ardian Klosi – In Memoriam

Mesazhi gruas: “Kaluam shumë bukur, por unë nuk mund të vazhdoj më, kur të kthehesh, eja pa vajzën…”, ka qenë mesazhi që Klosi i ka dërguar bashkëshortes para se të vetëflijohet

Ardian Klosi

Vetëvaret publicisti, mesazhi për gruan: Nuk mundem më!

Publicisti i njohur, Ardian Klosi, i dha fund jetës në moshën 55-vjeçare, duke u vetëvarur. Në orët e vona të dy netëve më parë, Klosi është gjetur i vdekur në shtëpinë e tij. Aktin vetëflijues, ai e ka kryer pas një mesazhi telefonik të dërguar te bashkëshortja e tij gjermane, fotografja e njohur, Jutta Benzenberg. “Kaluam shumë bukur, por unë nuk mund të vazhdoj më, kur të kthehesh eja pa vajzën…”, mësohet se ishin fjalët e dërguara në mesazh, që kanë sjellë reagimin e së shoqes, e cila ka njoftuar policinë, që afër mesnatës e gjeti të pajetë në banesën e tij. Ngjarja e rëndë ka tronditur jo vetëm familjen e tij, por mbarë opinionin publik. Motra dhe bashkëshortja gjermane e të ndjerit i kanë pritur ngushëllimet në shtëpinë e prindërve të Ardianit, ndërkohë që sot, i jepet lamtumira e fundit.

Aurel Plasari: Humbëm një nga mendjet më të çliruara

Një nga mendjet më të çliruara të kulturës shqiptare qysh në kohën kur e kam njohur: në këtë kufizë do ta përmblidhja personalitetin e Ardian Klosit qysh kur e kam pasur dhe më ka pasur mik: në vitet ’80, atëherë kur pak miq kisha siç isha i rrethuar nga vakuumi i “biografisë së keqe”. Vetëm ata që e kanë jetuar aktivisht atë dhjetëvjetësh kulturor mund ta kuptojnë ç’do të thoshte “mendje e çliruar” në ato vite. Të ishte gjallë Niko Nikolla do të tregonte problemet që i kemi pas hapur te “Hosteni” me shkrimet me dy pseudonime (kemi shkruar bashkë “me katër duar” para se më vonë të bëhej bashkautor me Edi Ramën) asokohe kur humori dhe madje ironia mbeteshin të vetmet armë për të refuzuar mjedisin kulturor në të cilin ishim të detyruar të vërtiteshim. Kulmin ajo mendje e çliruar, që ishte Dani, mendoj se n’ato vite e mbërriti me përkthimin shqip -për përdorim “mes miqsh” – të esesë së Havelit “Mbi të vërtetën”, që e kishte sjellë gjermanisht nga Austria: duhet të ketë qenë viti 1989 dhe më ka djegur duart kur e kam lexuar. Meqë m’u kujtua Austria, ku kreu studimet pasuniversitare, ja ku s’mund të mos kujtoj një tog të bukur letrash që më mbetet nga letërkëmbimi me të dhe për të cilin mund të them vetëm kaq: mendimi i tij për letërsinë dhe artet e realizmit socialist – përfshi edhe “majat” – ishte qysh atëherë aq emancipues sa edhe sot e gjithë ditën shoqëria shqiptare zor se do të ishte e gatshme të përballonte botimin e tyre. Sepse Kritika – me K të madhe, kritika në çdo fushë, përfshi edhe përkthimet nga letërsia botërore si funksion kritik ndaj mediokritetit në letërsinë shqipe – është dimensioni me të cilin Ardian Klosi e ka lënë tanimë të mbresuar personalitetin e vet në kulturën tonë.

 

O Dan!

Thonë se vdekja e shokut është si rrëzimi i një lisi të gjerë – lë një gropë të madhe zbuluar për nga qielli. Lisi ra e ma bëri zemrën gropë sot… U shihka qielli edhe përmes zgavrës në zemër! Por ty ende s’po të shoh. Jam e pasprovuar me vdekjen. Përveç sime gjysheje, nuk kam përjetuar tjetër vdekje të afërt. Ty t’kam shok o Dan, më të mirin shok e mik, dhe kaq mjafton që ti të mos ikësh. Më i miri ik’ka i pari?! Prit, prit… . Nuk mjafton të çohesh me ikë, duhet edhe të të lënë me ikë. E mban mend që ishim bashkë para një jave, unë ti e Tani, në mbasdreken me gjurmë zanash e me fjalë arbërishte?  Në mbasdreken ku na the vendimin për t’ia kthyer albanologjisë Ardian Klosin me gjithë sa ka dije e pasion. Unë e hapa lajmin e mirë, e tash ka do djem e vajza që të presin, profesor! Oh ç’fat për ata, sikur ta dëgjojnë Shqipen e Vjetër nga një rilindës si ty; nga ty, veshur me jelekun e setrës e ngjeshur me dashurinë e zemrës për çdo tingull a rrëfenjë amtarishte. Nga ty që je më murg se Buzuku e më i ngrysur se Budi, po je sakaq po aq i ri sa Bardhi e me po aq vlagë pasioni sa Bogdani. Nga ty, Dan që di të prrallesh magjishëm si Reinholdi yt. Rri pra rri, se edhe koha dro’ zgjedh të ndalet po u ndale ti. A mban mend që më the se po bëje gati më të mirat shkrime të Aleksandër Xhuvanit, një përmbledhje që askush tjetër veç teje s’mund ta bëjë më saktë, me përkushtim prej nipi? Sigurisht që e mban mend, se më premtove që do ta botonim shpejt-e-shpejt në Excipere, e unë po ashtu të dhashë fjalën se do t’i mblidhja e përmblidhja vetë në një vëllim gjithë shkrimet e tua për gjuhësinë, meqë ti lodhesh e zdrit shumëkënd veç vetes. Të dhash fjalën Dan, të t’i përmblidhja, se ashtu ku e ku, ndër kohë e gazeta, hapërdahen, ikin, treten, largohen e na largohen o Dan! T’i duam këtu fjalët. Dhe shpirtin ta duam këtu. Se kemi nevojë ta mbajmë prapë shok me tonin, sa herë që ky shpirti ynë na liget nga kurthet e antiqytetërimit. Kështu ka qenë përherë. Ti e di, ndaj mos e vër më kot cepin e buzës në gaz si për të thënë: “Unë forcë?! Ç’nemelazëm!”. Vijmë tek ti, sekushi nga ne, sa herë ndjehemi fillikat në betejat me muzgun.  Vijmë e nuk e bëjmë asfare atë pyetjen prej ngërçi marroq: “Ç’do bësh Dan, si e ke mendjen kësaj radhe”, se ti nisesh vetiu i pari për luftë. E ne të vijmë pas, të ngushëlluar nga prania jote. Ndaj nuk të lë të ikësh sot Dan, or Dan a dëgjon? Nuk ikën dot. Kushniset i pari për në luftë, nuk mund të niset i pari edhe për në paqe. Jo pra jo! Siç po të thoja, ta kam dhënë fjalën o shok, e kam me t’i përmbledhë të gjitha shtigjet e arsyes tënde për këtë shqipen tonë. Pondërkohë kanë me rendë ditët e ka me ardhë sërish ajo tryeza jonë e përvitshme e gjuhësisë, e as aty Dan s’mund të mungosh. Pa ty jemi pak, edhe jemi të vobekët në shpirt e në frymë.  Lajmet e gazetat mizërijnë sot, Dan e të shoh gjithkund mbi letër a celuloid. Nderojnë, kujtojnë, çmojnë, rrëmojnë – si lajmet! E hutuar nga gjithë kjo paradë ngjyrë plumbi, më vjen t’u thërras si shën Luka: “Çfarë prisnit të gjenit në shkretëtirë? Një lastar të thyer më dysh nga stuhitë? Një burrë të veshur me tesha të çmuara? Hëë, po ata që vishen e ngjishen kësisoj e rrojnë majmërisht, ata i keni te sarajet e mbretit! Çfarë prisnit të gjenit në shkretëtirë? Një profet? Po, aty e keni, me të vërtetë e keni, dhe është më tepër se profet!”.

Aty e kishit, aty të kishim o Dan, aty… . Rri me ne, e ndiqe veç me vështrim atë radhuan e mortit. Ka rrugën e vet ai, bart tjetër lëndë e nuk bart frymën. Ajo je ti. Ajo frymë e ngadaltë dhe e shtruar që lexohet në shqipen e Pouqueville-it – ajo je ti. Ai gaz deri me lot në tryezat tona, për të cilat ime bijë e madhja më tha sot se i ka pika referimi, ai gaz je ti. Ajo gatishmëri e qetë dhe natyrore për t’i dalë së keqes ballas, ajo je ti. Ai tingull qibar që të ka fjala e që sa herë e kam dëgjuar, më ka dhënë ndjesinë e strehës në rrebesh, ai je ti. Ai mundim rrëgjues e i përditshëm për t’i dhënë familjes sate dinjitet e qetësi, në këtë vend ku mendjet e skllavëruara janë në liri kurse mendjet e lira duhet të skllavërohen në punë, ai mundim je ti. E shikon sa shumë arsye ka që mos të të lë të ikësh? Të rrish këtu si frymë e si kurajë – kjo është shortja jote. Ti je SHOKU. Gjithë të tjerët janë o miq o thjesht të njohur. Kam një gropë në zemër sot prej nga shoh qiellin. Po ty ende nuk të shoh aty n’eter, o Dan.

 

Berisha: Humbje e madhe për publicistikën

Kryeministri Berisha, përmes një mesazhi, i shprehu ngushëllimet familjes së publicistit të njohur, Ardian Klosi, i cili u nda nga jeta mbrëmjen e djeshme. Kryeministri shprehet se ndarja nga jeta e Ardianit është një humbje e pakompensueshme për familjarët, por dhe një humbje e madhe për letrat, publicistikën dhe shoqërinë civile shqiptare, të cilat humbasin një personalitet të shquar.

 

Rama e Majko: Klosi, një antikonformist i çmuar

Në rrjetin social “Twitter”, Edi Rama shkruan, “Iku tragjikisht natën një mik i shtrenjtë e njeri i çmuar i këtij vendi, antikonformist i hershëm që refuzoi të përshtatet me vulgaritetin…”. Më tej, në rrjetin social “Facebook”, Pandeli Majko shprehet se civilizimi dhe qytetaria shqiptare shënuan një humbje të papritur në kohën që jetojmë”.

 

Topalli: Humbje e madhe akademike

“Njoftimi i hidhur për ndarjen nga jeta të Ardian Klosit, është një lajm tejet i trishtë për të gjithë shqiptarët kudo që janë. Familja humbi njeriun e dashur dhe bota akademike dhe e letrave shqipe ka humbur një nga publicistët më të njohur të saj. Të gjithë do ta kujtojnë atë si një përkthyes dhe shqipërues i talentuar. Do ta kujtojnë, si autorin që bëri të flasin shqip në mënyrën më të bukur Heinrich Mann, Franz Kafkën, Bertol Brecht-n, si dhe shumë autorë të tjerë të huaj”, thuhet ndër të tjera në mesazhin ngushëllues të kryeparlamentares Topalli.

 

Topi: Humbëm zërin e guximshëm

Më lejoni të shpreh dhimbjen dhe hidhërimin për ndarjen nga jeta në mënyrë tragjike të Ardianit! Largimi i parakohshëm nga kjo jetë i shkrimtarit, analistit letrar, përkthyesit, publicistit dhe aktivistit të njohur publik të shoqërisë civile, është një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme për ju – familjen e të afërmit, por edhe për mbarë shoqërinë tonë, e cila sot më tepër se kurrë ka nevojë për intelektualë të mirëfilltë dhe zëra të pavarur e të guximshëm që marrin përsipër të kryejnë misione altruiste në të mirë të qytetarëve shqiptarë.

 

Timo Flloko:  Më le prekjen e fundit  

Jam i fundit mes të gjallëve që preku dora e tij për të fundit herë, pasi u ndamë mbrëmë te kangjellat e kopshtit të tij, duke i vënë kyçin si të mbyllej në ferr(!) i thashë: “më merr të pimë kafe kur të duash”. “Do të të marr”, më tha. I tregova dy bisqet e jargavanëve që i kishte këputur nga kopshti i tij, duke i thënë:  “Lulet e Margaritës për Faustin”, në vazhdim të bisedës që kishim bërë rreth Faustit të Gëtes. Ai buzëqeshi si të thoshte: janë jargavanët e fundit…! Tronditjen pastaj kur më telefonoi e motra, nuk besoj ta ketë përjetuar tjetërkush nga miqtë e tij sa unë, isha miku i fundit, më pranë kohës së tragjedisë, më i afërti dhe më fatkeqi. O Zot, as tani nuk e besoj, kujtoj se jetoj një ëndërr që s’ka fund, pa zgjim. Kam qenë mik me të, na lidhnin idetë në rrafshin intelektual dhe krijues, letërsia, arti. Kishim inskenuar me sukses Hajnen, Kafkën, Brehtin dhe kishim të tjera plane për të ardhmen…por obelisku u këput, ra nën peshën e pamasë të vetes, si çdo njeri i madh, gjigant që nuk mund të gjykohet. Ai zgjodhi në kulmin e vitalitetit të mendjes dhe të shpirtit, të penës dhe të artit elitist të tij, aktin e ikjes, të shpërfilljes së kësaj bote, e cila edhe pse i mbante dashuritë e tij që e rrethonin si një hyj, prapë iu dedikua misionit, shtegtimit misterioz e mistik drejt të përtejmes! Mik i mirë, si e bëre kështu, pa na lënë një kumt për gjërat që s’na i the të gjitha; si na le e si të lamë!

Ardian, mik i shtrenjtë faustian, simbiozë e mendjes së filozofit, mendimtarit, politologut, gjuhëtarit, përkthyesit fenomenal, ëndërrimtarit, delikatit, vetmitarit…!Na shkule zemrën mik! Në paqe le të prehet trupi yt, shpirti është mes nesh. Më le gjënë më të shtrenjtë se çdo gjë, prekjen e fundit. Të përulem.                                                                                          27 prill 2012

 

Piro Misha: T’i vlerësojmë sa janë gjallë

Publicisti dhe Piro Misha e quan një humbje të madhe largimin e Klosit dhe shuarjen e një mendimi të pavarur, opozitar me të gjitha krahët politikë. “Ka rreth 30 vjet që njihemi me Ardianin, kemi punuar bashkë që në shtëpinë botuese ‘Naim Frashëri’. Është një humbje e papërfytyrueshme, një nga ato raste kur zbrazëtinë dhe boshllëku ka lënë pas një njeri, e kupton pasi është larguar. Ishte një personalitet i jetës sonë kulturore dhe qytetare, një njeri me shpirt të lirë që asnjëherë nuk u pajtua me atë që është e keqe në realitetin shqiptar. Ishte gjithmonë i pavarur në mendimin e tij dhe ka lënë një vepër që pa dyshim do të mbetet edhe pas tij. I vetmi ngushëllim për këtë dhimbje është vepra që ka lënë pas. Kjo vlen qoftë për librat që ka shkruar, qoftë për përkthimet, ku ka një kontribut të jashtëzakonshëm duke futur një regjistër të ri të gjuhës së folur në veprat që shqipëroi nga gjermanishtja që nga veprat e Heinrich Böll apo “Tom Sojeri” që përktheu që në kohën e komunizmit e deri te veprat e fundit të Kafkës. Është një nga emrat e shquar që ka emancipuar letrat shqiptare, por edhe një intelektual i angazhuar që nuk pajtohej kurrë me atë që ai mendonte se nuk duhet të ishte ashtu. Mjafton të kujtojmë aktivizimet e tij për çështjet e ambientit, pjesëmarrjet e tij në publicistikë etj. Përballë një tragjedie të tillë, është koha të meditojmë që kjo shoqëri di shumë pak të çmojë njerëzit sa janë gjallë, intelektualët që i japin vlerat këtij vendi dhe ky nuk është rasti i parë. Unë e kam takuar Ardianin para një jave dhe m’u duk se e kishte kaluar problemin. Më tha se kishte përkthyer “Procesin” e Kafkës pas botimit të përmbledhjes me tregime të këtij autori dhe ishte mjaft i gëzuar. Ishte në punë e sipër edhe për vepra të tjera. Është humbur një mendje e pavarur, një mendje që krijonte, që merrte pjesë në shqetësimet e këtij vendi dhe jepte mendimin e tij të pavarur dhe kjo nuk është pak.

 

ARBEN KUMBARO: Krenarë që të patëm mik

Dani dinte të qeshte si fëmijë, gjë që e bëjnë pak njerëz në moshën e tij. Mendoj kjo, sepse ai ishte nga njerëzit më seriozë që unë kam njohur mes të paktëve që Shqipëria ka pasur si ai. Sa herë gjerbja kafen e radhës me Danin mes bisedave, që asnjëherë nuk mbaj mend të kenë qenë kotësi, sapo na rrëmbente një valë trishtimi për shumë gjëra që na rrethonin, ai gjente rast e bënte humor, si për të më dhënë kurajë. Dani ka qenë ndër të rrallët intelektualë të këtij vendi, të cilit memoria kolektive e shqiptarëve i detyrohet për angazhimin dhe kurajën e tij publicistike, “Par Excellence”. Si rrallëkush mes nesh, në këto dekada epokale në jetën e shqiptarëve, ai diti me shumë sqimë të ishte vetvetja. Përpjekja “Sizifjane” e Danit, shkrimet e shumta, përkthimet e pazëvendësueshme, betejat qytetare, kujtimet që ai la mes nesh do ta bëjnë atë të paharrueshëm dhe ne që patëm fatin ta njohim nga afër të ndihemi krenarë që e kishim mik.

 

FILIP ÇAKULLI: Dani nuk u pajtua kurrë me realitetin vulgar

Nuk është se humbëm vetëm një mik të shtrenjtë dhe të paharruar. Jo! Dani na u largua se nuk mundte dot të rrinte më tutje me ne, një idealist i shumëkulturuar, që nuk u pajtua kurrë me këtë realitet vulgar, ku të gjithë ne jetojmë; një vetmitar, që gjente prehje e qetësi, duke i ndenjur larg rrethit të banalitetit ku ne gjallojmë; një luftëtar i pa kompromis ndaj së keqes që ne të tjerëve na ka mësuar të ambientohemi. Iku pikërisht se nuk kishte asnjë lidhje me këtë mjedis miku ynë i mirë e i urtë, që ndryshe nga ne nuk e përdori urtësinë për t’u përshtatur, po për të mos u përshtatur kurrë me mjedisin e rëndomtë ku kurrë s’mundi të gjente pjesë. E ku në fakt kurrë s’deshi të luante pjesën për t’u bërë pjesë.

 

SOKOL BALLA: Mos ia merrni për dobësi vetikjen

Dani, prej 1998-s, ishte pak i mërzitur me mua. Në fakt, ish-drejtor i RTSH-së, ai nisi një punë me pasion, dhe në emër të këtij pasioni dhe vizioni që ndanim për Televizionin Publik, më pati propozuar drejtorin e unifikuar të informacionit. Por pas një bisede 1 orë e 47 minuta në telefon, unë në Londër tek BBC e ai në Tiranën shpërthyese të pas 14 shtatorit, nuk ramë dakord. Ose më saktë, ai nuk ra kurrë dakord me zgjedhjen time të ftohtë. Aq sa më bëri emërimin dhe më “shkarkoi” pas 24 orësh, në distancë.

Kështu ishte Dani. Kur ishte i bindur për diçka, nuk tërhiqej. Kështu ishte në mendimet dhe në veprimet e tij. Mesa duket të tillë e pati edhe vendimin e fundmë, të marrë e tentuar disa herë prej muajsh. Herën e fundit që e pata në “Top Story”, për dhjetorin e studentëve, ishte sërish i mërzitur. Kësaj radhe thellë, për nënën e tij të shuar vetëm pak ditë më herët. Ajo mbeti me gjasë femra më e rëndësishme e jetës së tij të tallaztë e të pakompromis. Pas ikjes së saj, u ndje realisht vetëm.

Më kujtohet sesi pak muaj më parë hoqi dorë edhe nga Panairi i Librit që donte aq shumë ta realizonte. U ndje i braktisur dhe në braktisjen e tij, i fyer. Ishin shenjat e vendimit të tij të fundmë. Mos ia merrni për dobësi vetikjen e tij. Ky ishte Dani dhe koka e tij e fortë, që ia panë hajrin, vlonjatët për Gjirin e Vlorës, tiranasit për Piramidën dhe shqiptarët për Aleancën kundër Plehrave. Të gjithë këta duhet të vajtojnë mungesën e kokëkrisurit me zërin e butë. Sot në Shqipëri, ka një burrë më pak.

Autor te 28 Prill 2012. Kryesoret, Opinion. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • http://www.gazeta-shqip.com/ Gazeta Shqip

    In Memoriam