The Economist – Në një rrafshinë të kripur pranë kufirit me Pakistanin gjendet një park i madh i energjisë diellore që ka kushtuar gjysëm miliardi dollarë, për ndërtimin e së cilës kanë paguar kompani të ndryshme nga e gjithë bota. Një milionë panele shtrihen për aq sa syri arrin të rrokë. Aty pranë, rreth 5 mijë njerëz përshëndetën kryeministrin e shtetit të Gujara Narendra Modi, i cili e shpalli parkun të hapur. “I lutem, zotit diell, që sot Gujarat t’i tregojë pjesës tjetër të botës se çfarë duhet të bëjë me energjinë diellore.”
Pavarësisht kultit të personalitetit për të cilin Modi është i famshëm, Gujarat është një vend i mirë për të bërë biznes. Dhe energjia diellore mund të triumfojë në Indi. Ky vend ka diell me bollëk dhe shumë tokë të sheshtë e të papërdorshme. Është një vend i uritur për energji, megjithatë elektriciteti është me pakicë. Gjeneratorët me naftë dhe të kushtueshëm janë shumë popullorë.
Energjia diellore mund t’i zëvendësojë ato. Dhe parqet diellore janë shumë më të lehta për t’u ndërtuar se sa termocentralet konvencionale. Parku i ri në Gujarat ka fuqi të instaluar 200 megawatt dhe është më i madhi në Indi. Ai u ndërtua brenda 16 muajve. Askush nuk mund të ndërtojë centrale bërthamore kaq shpejt.
Dy faktorë të tjerë e bëjnë zhvillimin e energjisë diellore në këtë vend të mundshëm. Gjenerimi konvencional i energjisë, që për Indinë nënkupton djegien e qymyrit të lirë, por tepër ndotës, është në një gjendje katastrofike. Elektriciteti këtu kushton 0.06 deri në 0.08 dollarë për kWh. Monopoli shtetëror i qymyrit nuk është në gjendje të nxjerrë qymyr aq sa duhet dhe detyrohet të importojë qymyr më të shtrenjtë nga jashtë. Shpresat se India do të zbulojë burime gazi natyror në brigjet e saj, tashmë janë shuar. Shumë ekspertë mendojnë se çmimi i energjisë elektrike do të duhet të rritet.
Ndërkohë, kostoja e pajisjeve diellore ka rënë me një të tretën që nga viti 2010. Energjia diellore më e lirë dhe shtrenjtimi i energjisë konvencionale kanë shtyrë shumë njerëz të besojnë se dielli do të jetë një alternativë pa patur nevojë për subvencionime shtetërore. Besohet se brenda vitit 2016, çmimi i energjisë diellore do të jetë i barabartë me energjinë konvencionale.
Kjo do të thotë se energjia diellore në Indi do të pësojë një bum. Qeveria qendrore e Indisë ka vënë si objektiv ndërtimin e 20 mijë MW energji diellore brenda vitit 2022, nga vetëm 1 mijë që janë aktualisht në punë. Por në fund, energjia diellore do të japë vetëm 5 për qind të energjisë totale në Indi. 30 prill 2012 (gazeta-Shqip.com)