Grandiola: Liami bën lojë të pisët

“Me Daviden e kam mbyllur. Dua të kthehem në Itali” 

Grandiola Topi, vajza shqiptaro-italiane, ka lënë përfundimisht shtëpinë gjatë spektaklit të së shtunës. Keqardhja e vetme është që nuk arriti të tregonte anën gazmore të saj, ndërkohë që nga banorët që çmon më shumë, është Graciano

Pas katër javësh qëndrimi në shtëpi, Grandiola ka lënë lojën me vendimin e publikut. Mendon se e penalizoi fakti që hyri vonë në lojë e që nuk mundi të pozicionohej në një grup apo në një tjetër. Kritikat më të forta i ka për Liamin, të cilin e sheh si një person që hedh gurin e fsheh dorën. Si fitues të mundshëm të këtij edicioni do të donte Gracianon.

Javën e shkuar publiku të votoi për të qëndruar në shtëpi, ndërsa këtë radhë votoi që ti të dilje. Nuk dhe atë që pritej?

Ndoshta kjo erdhi nga fakti që unë hyra vonë në “Big Brother” dhe ishte shumë e vështirë të integrohesha me ta. Thuajse gjatë gjithë kohës flisnin me kode, diskutonin për çështje të ndodhura më parë, për të cilat nuk kisha dijeni dhe me karakterin që unë kam, mundohem t’u shmangem debateve për aq sa mundem. Unë jam tip i hapur dhe i them gjërat në sy, por asnjë nga banorët nuk erdhi të përballej me mua. Edi, Graciano, Ermali dhe Françeska, kohët e fundit më dhanë mundësinë për t’i njohur dhe unë flisja me ta. Ndryshe ndodhi me të tjerët. U përpoqa t’i afrohesha dy-tri herë Liamit, por ai më është larguar. Ai është nga ata persona që hedh një kunj për të ngacmuar në pikën e dobët të të tjerëve. Me mua kjo gjë nuk i eci, sepse unë e kuptova lojën e tij. Unë e kuptoj që jemi në një “reality show” ku luftohet për një çmim, por këtë çmim nuk duhet ta fitosh me lojë të pisët. Liami hedh gurin dhe fsheh dorën.

Ti e akuzove hapur Liamin për lojën e tij gjatë spektaklit të shkuar. U prit që përballja me të të vazhdonte gjatë javës, por kjo nuk ndodhi. Përse?

Liami nuk flet e nuk debaton me asnjeri. Në momentin që hapet një debat për të, ai çohet dhe ikën. Graciano është i vetmi, që siç shprehet vetë, mund t’i heqë kapelën ose syzet. Liami ose është ofendues, siç bëri me Edin, ose çohet e kthen kurrizin. Unë e kuptova tipin e tij. Është një strategji e menduar dhe e studiuar mirë nga ai. Është lojtar i mirë për sa i përket lojës, por nuk më pëlqen që fshihet pas Arbrit.

A ishe e pozicionuar në ndonjë nga grupet?

Nuk u pozicionova, sepse doja t’i njihja të gjithë. Bëja muhabet edhe me Gertën, por kjo nuk do të thoshte se isha apo nuk isha pjesë e atij grupi. Nuk pata arsye që të pozicionohesha sepse unë nuk kisha asnjë lloj strategjie. U futa në “Big Brother” për të treguar se kush jam, por më vjen keq që nuk tregova deri në fund anën gazmore, anën e Olës së hapur e të qeshur.

Ti ke hyrë më vonë në lojë. Nuk kishe menduar diçka duke qenë se i njihje banorët?

Unë thuajse nuk e kisha ndjekur fare “Big Brother” para se të hyja, sepse kam qenë e angazhuar me shumë probleme të tjera, aplikime për punë, etj. Hyra shumë e papërgatitur.

Gerta ka hyrë në të njëjtën kohë me ty, por u përshtat me Liamin dhe Arbrin. Mendon se është veprim i studiuar?

Mendoj se e pa Liamin si një personazh të fortë e ndoshta kishin edhe mendime të përbashkëta, kështu thoshin. Dy-tre herë që unë e kisha parë Liamin nga jashtë, më pëlqente si personazh, por kur hyra brenda e gjeta komplet ndryshe, njeri që bënte lojë të pisët. Mund të isha bashkuar edhe unë me të për strategji, por vendosa të mos dal nga vetja. Për Gracianon nuk është se kisha ndonjë opinion të mirë, ishte një djalë 19-vjeçar dhe kaq, por kur hyra brenda njoha një person shumë ndryshe, shumë i pjekur për moshën e tij dhe m’u duk shumë normale që të bashkohesha me të. Ai është një 19-vjeçar i cili i ka vënë shpatullat shtëpisë, gjë që Liami e ëndërron tani për tani, sepse bisedat me Liamin ishin sa femra kam pasur, si ishte modelja me të cilën ka pasur lidhje, etj., gjëra që pak më interesonin.

Gjatë spektaklit të së shtunës more një letër nga ish i dashuri yt, Davide. Do të bisedoni më shtruar për lidhjen tuaj?

Nuk kemi komunikuar dhe nuk do të komunikojmë më. Ai mendon se pas 10 vjetësh ne mund të kemi një marrëdhënie normale si shokë, po kjo është absurde. Kjo mund të ndodhte në një lidhje 6-mujore, por jo 10-vjeçare.

Është mbyllur përfundimisht lidhja juaj?

Tani po. Fjalia e fundit e letrës e thoshte hapur që të takohemi si shokë e të më tregosh se çfarë ke bërë në “Big Brother”. As nuk e marr dhe as nuk dua ta kontaktoj. Nëse duhet të kthehet, duhet të kthehet ashtu si duhet, në të kundërt mbyllet këtu. Me atë letër, ai më tregoi se ende më mendon, sepse është normale, por ma konfirmoi të tërën atë që kishte menduar. Ka thënë të njëjtat gjëra që kemi biseduar kur kemi folur për herë të fundit në telefon më 31 dhjetor, kur i dhashë mundësinë e fundit të ktheheshim. Edhe atëherë ishte as po, as jo. Unë nuk mund të pres si i shkojnë gjërat atij, i dhashë çfarë kisha për të dhënë 10 vjet.

Ti jeton prej dy vjetësh në Tiranë. Si erdhi vendimi për t’u larguar nga Napoli?

Unë u nisa nga Italia për të bërë pushime dyjavore te një shoqja ime. Lexova një njoftim për punë në ambasadën italiane, dërgova CV-në pa pretenduar asgjë, thjesht për të mos më ngelur merak. Më kanë telefonuar nga ambasada më 1 prill dhe unë mendova se ishte shaka. Kam punuar si organizuese eventesh. Pasi mbaroi ky projekt, fillova të dërgoja CV në banka, sërish italiane, ku bëra një vit përvojë. Këto dy vjet në Shqipëri kam përjetuar eksperienca shumë të forta. Jam tip i aventurës. Shkollën e mesme e kam mbaruar për laborante dentare, shkollën e lartë për filozofi-letërsi, kam provuar edhe televizionin, madje edhe Miss Shqipërinë në Itali kur kam qenë 24-25 vjeçe.

Do të qëndrosh apo të kthehesh në Itali?

Qejfi ma ka të kthehem në Itali, por për momentin dua ta vazhdoj eksperiencën në bankë.

Si është historia e familjes tënde?

Mamaja ime është italiane nga gjyshi (napolitan), por ajo ka lindur këtu ku ka njohur babain. Kemi lindur ne dhe në vitet ‘90- ‘91, ambasada kërkon që fëmijët e italianëve që ishin këtu, mund të shkonin në vendin e origjinës. Në këtë rast gjyshi ishte nga Napoli dhe ne shkuam atje.

Një surprizë të fortë e pati edhe Ermali gjatë spektaklit, sepse takoi të atin e Françeskës. Si e sheh lidhjen mes të dyve?

Gjithmonë nisem nga fakti që lidhjet në “Big Brother” bëhen për lojë, por hyrja aty brenda më bëri të kuptoj që nuk është kështu. Ata bëjnë secili lojën e vet, nëse gabon Ermali, Françeska ia thotë dhe e anasjella. Një raport që besoj se edhe jashtë mund të vazhdojë.

Cili është fitues i mundshëm sipas teje?

Gracianon, Edin dhe Ermalin unë doja t’i shihja në finale, por meqë Edi doli, dua të jenë ata të dy. Duke parë lojën, Liami do të arrijë në finale, por shpresoj ta fitojë Graciano. O. Lila

 

 

Opinione

 

Liami

Jo besnik, është tamam thikë pas shpine

Arbri

Doreza e Liamit

Gerta

Një vajzë që kupton, por bën sikur nuk kupton. Ndoshta e ka strategji të lojës

Dritani

Ai është nga fryn era. Sot është majtas, nesër djathtas

Genta

Është vajzë e mirë, por ka vetëm batuta. Ka lexuar dhe di, por nuk e kuptoj pse nuk arrin të shfaqet

Erioni

Një nga personat që nuk kam folur fare, pak e kam njohur. Shumë i heshtur dhe krijoi një mur me mua

Ermali

Shumë i pjekur si 24-vjeçar. Në çdo temë ai thoshte mendimin e vet dhe më pëlqente edhe kureshtja tek ai. Më pyeste vazhdimisht edhe pse në fillim m’u duk shumë i ftohtë

Françeska

Një 18-vjeçare shumë e pjekur edhe ajo. E ka kuptuar lojën që në fillim. Ka llafollogji dhe bën mirë të vazhdojë shkollën për gazetari, siç dëshiron

Graciano

Është i mrekullueshëm

 

Të nominuarit

Skema e re e nominimit i ka vënë në vështirësi banorët. Katër të preferuarit e publikut – Ermali, Liami, Françeska dhe Arbri kanë zgjedhur një nga pesë banorët e tjerë për ta shpëtuar. Pa zgjedhur ka mbetur vetëm Graciano, i cili ka shkuar direkt në nominim. Pas votimit të dytë, në nominim ka dalë edhe Genta. Të dy pjesë e një grupi, kanë shprehur keqardhjen që do të përballen me njëri-tjetrin.

Autor te 30 Prill 2012. Big Brother. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry