Ekonomia spanjolle zhytet sërish në recesion

Është i dyti dhe më i thelli në të cilin ka rënë Spanja këto tre vitet e fundit

Kësaj here është zyrtare. Ekonomia spanjolle bie sërish në recesion. GDP-ja e tremujorit të parë të vitit 2012, sipas Institutit Kombëtar të Statistikave, ka shënuar një tkurrje me 0.3%, pas -0.3% të tremujorit të fundit të vitit 2011. Kështu, me dy-tremujorë radhazi të ekonomisë në tkurrje, konfirmohet rikthimi në recesion i vendit që prej 2009-s. Megjithatë kontraktimi nuk ishte aq i madh sa pritej nga ekonomistët. Dobësimi i ekonomisë dhe deficiti buxhetor kanë rritur kostot e huamarrjes për Spanjën, duke rritur kështu frikën se vendi do të ketë nevojë për një paketë shpëtimi. Po ashtu, për tremujorin e parë të këtij viti, papunësia ka kapur shifrën e 24%, tepër e lartë kjo, ndërkohë që te të rinjtë kjo shifër është 50%. Si pasojë e krizës, është ulur ndjeshëm edhe aftësia shlyese e borxheve dhe kredive, çka do të thotë një shtim i madh i kredive të këqija. Ky është recesioni i dytë në të cilin ka rënë Spanja këto tre vitet e fundit dhe duket se këtë herë situata është me të vërtetë shumë serioze dhe e rëndë për t’u përballuar. Ndërkaq, edhe Agjencia Ndërkombëtare e Vlerësimit, “Standard & Poor’s”, uli aftësinë paguese të nëntë bankave spanjolle. Ndër të prekurat janë: “Santander”, “Banesto”, “Bbva”, “Sabadell”, “Barclays Ibercaja”, “Banca Civica”, “Kutxabank” e “Bankinter”. Lajmërimi i agjencisë amerikane vjen pas deklasimit të Spanjës, më 26 prill nga A në BBB+. Parashikimet e S&P ishin për një tkurrje të ekonomisë spanjolle me 1,5% për vitin 2012, përkundrejt një rritjeje të lehtë të vlerësuar më parë. Në 2013-n, për agjencinë amerikane GDP-ja iberike do të ulet sërish me 0.5%. Ndërkohë ekonomia e sëmurë spanjolle dhe me një papunësi rekord, shtyu mijëra njerëz të dilnin në shesh për të protestuar sërish në fundjavë. Me sloganin “Nuk mund të luani me arsimin dhe shëndetin”, dhjetëra mijëra persona zbritën në sheshin kryesor të Madridit, ndërsa në qytete të tjera spanjolle dolën kundër masave të reja të anonçuara nga qeveria që prekin shëndetësinë dhe arsimin. Manifestime u zhvilluan në 55 qytete dhe u organizuan nga dy sindikatat kryesore në vend CCOO dhe UGT. Gjithsesi mobilizimi i popullsisë ishte shumë herë më i vogël në krahasim me protestat e tjera të mbajtura në Spanjë për të protestuar kundër masave të kursimit. Greva e përgjithshme e 29 marsit konsiderohet si më e madhja e zhvilluar deri më tani në vend. Sindikatat bënë thirrje se do të dalin sërish në shesh, sot më 1 maj. “Qeveria mendon se njerëzit harrojnë. Por të mos harrojmë shkurtimet. Ne do fillojmë të dalim çdo ditë deri sa gjendja të përmirësohet”, tha sekretari i përgjithshëm i UGT, Candido Mendez. I angazhuar në një luftë kundër kohës, Madridi është duke synuar që të reduktojë deficitin e tij publik në 5.3 për qind të GDP-së në këtë vit, nga 8.5 sa e kishte vitin e kaluar. Për këtë arsye qeveria konservatore spanjolle adaptoi më 20 prill një plan shkurtimesh për sektorët e shëndetësisë dhe arsimit. Vendi shpreson të kursejë rreth 10 miliardë euro në vit, 7 miliardë nga shëndetësia dhe 3 nga arsimi. Ajo miratoi reformat për heqjen e përshkrimit të barnave pa para për pensionistët dhe ka rritur tarifat e shkollimit për studentët. Shkalla e papunësisë në Spanjë arriti 24 për qind në tremujorin e parë të këtij viti, nivelin më të lartë që nga viti 1996. Protestuesit i bënë thirrje Kryeministrit të heqë dorë nga zbatimi i këtyre masave.

Recesioni

Kështu, me dy-tremujorë radhazi të ekonomisë në tkurrje, konfirmohet rikthimi në recesion i vendit që prej 2009-s. Megjithatë kontraktimi nuk ishte aq i madh sa pritej nga ekonomistët

 

Shpëtimi

Dobësimi i ekonomisë dhe deficiti buxhetor kanë rritur kostot e huamarrjes për Spanjën, duke rritur kështu frikën se vendi do të ketë nevojë për një paketë shpëtimi

 

Protesta

Greva e përgjithshme e 29 marsit konsiderohet si më e madhja e zhvilluar deri më tani në vend. Sindikatat bënë thirrje se do të dalin sërish në shesh, sot më 1 maj

Autor te 1 Maj 2012. Ndryshe. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry