Gerta-Arbrit: Ti je tradhtar!

Përçahet grupi 

Pas spektaklit të së shtunës, kur Arbri deklaroi se po bënte lojën e tij, marrëdhënia me Gertën dhe Liamin është ftohur edhe më shumë. Tashmë grupi duket i përçarë dhe Liami e Gerta e komentojnë vazhdimisht indiferentizmin e tij 

Fakti më i diskutuar në shtëpi ka qenë debati i Arbrit me Liamin dhe Gertën. Distancimi i Arbrit nga grupi ku ishte më parë ka kënaqur grupin tjetër, të cilët po e mbajnë më afër Arbrin, veçanërisht Ermali dhe Erioni. Ky veprim mbizotëron në pjesën më të madhe të diskutimeve në shtëpi. Banorët flasin edhe për Gentën e Gracianon të cilët janë në nominim përballë njëri—tjetrit.

Arbri: Liami dhe Gerta nuk dinë të vlerësojnë

Arbri përpiqet t’i shpjegojë Erionit qëndrimin e tij në lidhje me pozicionimin që mban në shtëpi. “Kur digjesh nga qumështi, i fryn edhe kosit”, thotë ai dhe sqaron se mes tij, Gertës dhe Liamit gjërat nuk janë më si më parë, edhe pse ata vazhdojnë të mbeten njerëzit më të afërt me të, por që e kanë vënë në lojë dhe e kanë keqkuptuar. “Këta nuk dinë të vlerësojnë dhe kjo është më e dhimbshmja, realisht nuk dinë të vlerësojnë”, thotë Arbri për Liamin dhe Gertën. Erioni nis që ta pyesë Arbrin në lidhje me mënyrën se si reagoi Gerta kundrejt disa fjalëve ofenduese dhe ngacmimeve të Liamit. “Kësaj nuk i bëri fare përshtypje kur i tha ai ashtu?”, i thotë Erioni, Arbrit, i cili i përgjigjet se Gerta e ka marrë me sportivitet dhe e kaloi atë situatë pa u ndjerë. Më pas, dy djemtë futen në dhomë, ndërsa Gerta e nervozuar shkon pranë Liamit dhe fillon që t’i tregojë atij për debatin që pati me Arbrin. Ndër të tjera, ajo thotë se nuk do që të flasë më me Arbrin dhe shton: “Le të bëjë çfarë të dojë, unë s’i them më gjë”. Liami i thotë se ai do ta marrë edhe një herë Arbrin veç dhe do ta pyesë për pozicionin që do të marrë, do të qëndrojë në grup me ata apo do të largohet drejt grupit tjetër.

Gerta dhe Liami bëjnë edhe plane se si të sillen me Arbrin dhe më pas komentojnë faktin se Arbri i ka mohuar ekzistencën e tij në grup.

Gerta i ankohet Liamit se Arbri po i rri indiferent

Gerta dhe Liami fillojnë përsëri të bëjnë thashetheme për Arbrin. Gerta ankohet për sjelljen e Arbrit dhe i thotë Liamit se ai i ka ndenjur gjatë gjithë kohës indiferent. “Sot nuk më ka folur fare”, – thotë Gerta, ndërsa Liami e përkrah duke i thënë se, nëse kjo është një lojë e Arbrit, edhe ai do ta bëjë këtë lojë. “Nëse ai nuk vjen të flasë, edhe unë nuk i flas”, thotë Liami. Liami thekson se ka përshtypjen se Arbri ndjehet xheloz për Tanin dhe vendin që ai ka zënë në grup, ndërsa Gerta e kundërshton, duke i thënë “unë kam përshtypjen se Arbri është xheloz me ty dhe jo me Tanin apo me mua, sepse je ti ai që nuk po i jep më rëndësinë që i kishe dhënë më parë”. Liami thotë se nuk mendon kështu, por se kjo mund të jetë një lojë e Arbrit për të treguar se ai po luan vetëm dhe në këtë mënyrë, ai po afrohet edhe me grupin tjetër. Gerta dyshon se Arbri po kërkon që të shkëputet nga grupi i tyre dhe të bashkohet me Ermalin.

Ermali: “Nuk e shikoj Liamin fitues, por Françin”

Pjesa më e madhe e banorëve grumbullohen në kopsht e fillojnë të diskutojnë për praninë e qenve në shtëpi. Liami i tregon histori me qenin e tij banorëve të tjerë, duke thënë vazhdimisht se qeni i tij është shumë i veçantë. Më vonë Ermali dhe Arbri janë duke diskutuar për jetën dhe për vendin ku kanë dëshirë që të jetojnë. Ermali thotë se dëshiron që të ndryshojë ambient dhe se nuk i pëlqen jetesa në Tiranë. E më vonë komentojnë sjelljet e qenve në shtëpi, duke parë sjelljen e tyre. Arbri e pyet Ermalin se ç’mendim ka për banorët që do të jenë në finale dhe për fituesin e këtij edicioni. Ermali nuk e shikon Liamin si fitues. Ai thotë se shakatë që ai bën nuk kanë rëndësi për publikun, por mund ta shikonte Françeskën si fituese, pasi është shumë e pjekur për moshën që ka.

Gerta-Arbrit: Tradhtar!

Banorët mblidhen në kopsht e nisin të bisedojnë për marrëdhënien në çift dhe mentalitetin e prapambetur të shqiptarëve dhe paragjykimet për lidhjet që mund të kenë për femrat. Këtë mendim e përforcon edhe më shumë Dritani, i cili thotë se femrën që do të ketë në krah e kërkon patjetër të virgjër. Gerta shkon në dhomën e gjumit dhe ndërsa është shtrirë në krevat, afër saj shkon Arbri, i cili e puth. “Ç’ishte kjo puthje si e Judës, tradhtar!”, i thotë Gerta. Ndërsa Arbri i thotë se kjo është një deklaratë e madhe dhe ajo nuk duhet të shprehet kështu. “Ka shumë kuptim kjo dhe prandaj ta thashë”, ia kthen Gerta, e kështu të dy shkëmbejnë batuta për disa minuta me njëri-tjetrin. Pas pak atje shkon edhe Liami e kështu rifillon një diskutim lidhur me marrëdhënien dhe distancimin e Arbrit. Ata diskutojnë sjelljen e Arbrit gjatë spektaklit, duke i thënë se ai ia ka punuar pas krahëve, por Arbri nuk e pranon këtë gjë, duke këmbëngulur në mendimin vet.

Gerta-Tanit: Po mundohen që të na përçajnë

Gerta dhe Dritani dalin në kopsht e fillojnë të diskutojnë për banorët e ngjarjet në shtëpi, duke e krahasuar këtë edicion me edicionet e kaluara. Dritani tregon për bisedat që ka pasur me Ermalin, për të cilin thotë se vetë nuk diskuton dhe as nuk hap asnjë temë diskutimi, por atij i thotë vazhdimisht që të flasë për ligjet, meqenëse studimet e tij konsistojnë në këtë pjesë. “Do vetëm që të kapet diku”, i thotë Gerta. Ajo kërkon që të sqarojë diçka me Tanin, për të cilën banorët e akuzojnë se po mundohet që ta nxjerrë keq edhe Tanin përballë publikut. Gjatë spektaklit, në klipin e thashethemeve, është shfaqur një moment ku Gerta ka thënë se nuk po e kupton sjelljen e Tanit, i cili lëviz sa te njëri grup, te tjetri. Ajo thotë se këtë gjë ia ka thënë edhe në sy, ndërsa Tani ia kthen: “Po nuk jam Graciano unë, nuk e mora për keq”. Gerta mendon se grupi tjetër i banorëve është duke u munduar që t’i përçajnë.

Eri: Grupi ynë nuk thur plane për nominimet

Arbri, Gerta, Graciano dhe Erioni dalin në kopsht për të pirë cigare e për të folur me njëri-tjetrin. Ata fillojnë që të komentojnë sjelljen e Gentës në shtëpi që pas nominimit. Graciano mendon se ajo nuk po di se si të sillet për faktin se është për herë të parë në nominim. “Nuk ka shumë lidhje kjo gjë, pasi ajo tregon pasiguri”, i thotë Gerta. “E kemi pjesë të grupit”, shprehet Erioni. E kështu banorët flasin për grupimet e tyre. Graciano thotë se nuk është pjesë e asnjërit prej grupeve, ndërsa Erioni e konsideron pjesë të grupit të tij. Por ai thotë se grupi i vet nuk është aq shumë kompakt sa të bëjnë plane edhe për nominimet, sepse nëse do të ishte kështu, atëherë ata do të kishin mundësi që të nxirrnin në nominim cilindo nga banorët që të donin. “Në lojë jeni grup”, i thotë Gerta. Arbri thotë se ata flasin me njëri-tjetrin për gjithçka, edhe për nominimet, pavarësisht se nuk veprojnë ashtu siç premtojnë.

Qeni i Liamit largohet nga shtëpia e “Big Brother”

Ermali e Liami qëndrojnë në oborr, duke luajtur tenis, me një fushë të improvizuar dhe Erioni mban pikët që ata shënojnë, ndërsa Gerta, Arbri e Françeska sapo kanë mbaruar së pastruari shtëpinë.

Lojën e parë mes Ermalit e Liamit e fiton Ermali, pas tyre luajnë Arbri me Gertën e së fundi Tani dhe Erioni. Teksa luajnë, ata vendosin një bast që kush do të dalë i treti në radhë nga grupet, do të lyejë buzët me të kuq. Më pas, banorët marrin një zarf nga Vëllai i Madh ku thuhet se qeni i Liamit duhet të lërë shtëpinë. Shkak për këtë është sjellja e tij agresive, e kjo dalje duhet të shërbejë si mësim dhe për qentë e tjerë.

 

Autor te 1 Maj 2012. Big Brother. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry