Rama: Të takohemi për Presidentin

Opozita

Rama, Berishës, Metës, Idrizit, Dules dhe Oketës: Të takohemi për Presidentin

BLEDAR HOTI - Kryetari i Partisë Socialiste u drejtohet me anë të një letre publike krerëve të partive politike parlamentare për të diskutuar në lidhje me procesin që do të ndiqet për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit. Lideri i opozitës ka shpërndarë dje një letër zyrtare në adresë të Kryeministrit Sali Berisha, si dhe kryetarëve të LSI-së, Ilir Meta, të PR-së, Fatmir Mediu, të PDIU-së, Shpëtim Idrizi, të PBDNJ-së Vangjel Dule. Letra publike e liderit të opozitës i është drejtuar gjithashtu dhe kryetarit nismëtar për formimin e partisë më të re, FRD, Gazmend Oketa. Në këtë letër, Rama thekson se “nuk mund të vihet në diskutim se procesi i zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës është një provim shumë i rëndësishëm për Shqipërinë drejt momentit kyç të vjeshtës së ardhshme, që përkon edhe me 100-vjetorin e shtetit shqiptar. Pesha e madhe simbolike e 100 vjetorit i jep një rëndësi ende më të veçantë edhe procesit të nevojshëm politik që duhet të rezultojë me zgjedhjen për President të një figure, e cila në frymën e Kushtetutës sonë simbolizon unitetin kombëtar”.

Letra e plotë

“Ju shkruaj për të ndarë me ju, drejtpërdrejt po edhe publikisht, bindjen se në frymën e Kushtetutës së Shqipërisë procesi i zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës është shumë më shumë sesa një procedurë parlamentare e radhës. Për më tepër në kontekstin e sotëm historik të Shqipërisë, që për të tretin vit radhazi synon të ngjitet në shkallën e kandidatit për Bashkimin Europian, kjo zgjedhje kërkon një vlerësim dhe vëmendje të veçantë. Shqiptarët pa dallim presin një përgjigje pozitive nga Komisioni Europian për aplikimin për statusin e kandidatit. Po edhe miqtë e partnerët tanë europianë dhe Shtetet e Bashkuara po njësoj, si mbështetës të palëkundur të vendit tonë në rrugën e integrimit, nuk e dëshirojnë që aplikimi i Shqipërisë të refuzohet për të tretën herë këtë vjeshtë. Ata së bashku kanë bërë dhe po bëjnë gjithçka munden që kjo të mos ndodhë. Mirëpo, padyshim, në radhë të parë jemi vetë ne përfaqësuesit politikë të shqiptarëve që duhet të bëjmë gjithçka mundemi që Komisioni Europian të na mbështesë në ngjitjen e shkallës së parafundit për integrimin e plotë në Bashkimin Europian. Nuk mund të vihet në diskutim se procesi i zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës është një provim shumë i rëndësishëm për Shqipërinë drejt momentit kyç të vjeshtës së ardhshme, që përkon edhe me 100-vjetorin e shtetit shqiptar. Pesha e madhe simbolike e 100-vjetorit i jep një rëndësi ende më të veçantë edhe procesit të nevojshëm politik që duhet të rezultojë me zgjedhjen për President të një figure e cila në frymën e Kushtetutës sonë simbolizon unitetin kombëtar. Unë besoj se simbolika e 100-vjetorit të pavarësisë e forcon kontekstin historik të përpjekjeve për integrimin e vendit tonë në Bashkimin Europian dhe, në njëfarë mënyre, e bën më të madhe peshën e suksesit apo disfatës së politikës shqiptare në këtë vit jubilar, e në këtë rast konkret të zgjedhjes së Presidentit gjithashtu. Me po kaq rëndësi besoj gjithashtu se është edhe për qytetarët shqiptarë, që në fund të një procesi të mundshëm gjithëpërfshirës mes gjithë palëve parlamentare për zgjedhjen e kreut të shtetit, të kenë në krye të shtetit një President garant të Kushtetutës dhe të institucioneve apo të proceseve kushtetuese që lidhen me kreun e shtetit, e jo një noter partiak të një pale të vetme. Prandaj, në emër të Partisë Socialiste dhe të të gjithë asaj mase të madhe qytetarësh shqiptarë që Partia Socialiste përfaqëson në Kuvend, dëshiroj t’ju ftoj me anë të kësaj letre që të takohemi drejtpërdrejt, për të këmbyer pikëpamjet tona dhe për të tentuar të hapim një dialog konstruktiv mes të gjitha palëve lidhur me rëndësinë madhore të ndërtimit të një procesi të dobishëm për vendin në zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës.

Mbetem në pritje të një përgjigjeje nga ana Juaj për këtë kërkesë dhe jam i gatshëm t’ju takoj pa humbur kohë”.

 

6 kryetarë: Edi Rama i është drejtuar me një letër publike 6 kryetarëve të partive parlamentare me qëllim zgjedhjen e një Presidenti konsensual

20 maj: Sipas përllogaritjeve, Kuvendi i Shqipërisë ndërmjet datave 18-20 maj duhet të përcaktojë procedurën e 5 raundeve për zgjedhjen e Presidentit

Fatos Nano: Deri më tani, kandidati i vetëshpallur është ish-kryeministri Fatos Nano. Ai nisi konsulta me liderin e PS-së dhe të LSI-së për këtë proces

Jozefina Topalli: Edhe pse ende nuk është një kandidat zyrtar, nga parti të tjera politike po lançohet emri i kryeparlamentares, numri dy i PD-së, Jozefina Topalli

84 vota: Sipas Kushtetutës, në tre raundet e para kreu i ri i shtetit zgjidhet me 3/5, pra duhen 84 vota pro. Në dy të tjerat zgjidhet me 71 vota

Autor te 1 Maj 2012. Kryesoret, Politikë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • Prometeu2

    Cfaredo qe te ndodhe, shpresoj qe kesaj radhe do te jene shqiptaret qe do te merren vesh dhe jo te futen diplomatet e huaj e te ndermjetesojne nje marreveshje. Eshte koha qe ne 100 vjetorin e shtetit shqiptar, ky i fundit vertete te pavaresohet!