Rama: Presidenti i ri me frymën e Kushtetutës, jo noter politik

Sipas kreut të PS-së çështja e zgjedhjes së kreut të ri të shtetit përcaktuese për integrimin e vendit

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka deklaruar se zgjedhja e presidentit të ri të vendit duhet të jetë fryt i një procesi gjithëpërfshirës, pasi kjo është përcaktuese që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat. Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar, të zhvilluar mesditën e sotme, kryesocialisti Rama ka theksuar se është ende herët për emra konkretë, por Presidenti i ri duhet të jetë garant i Kushtetutës dhe jo një noter politik. “Dalëngadalë kemi hyrë në periudhën kohore të një procesi politik për zgjedhjen e presidentit. Për ne kjo është një çështje përcaktuese për fatin e statusit kandidat në Bashkimin Europian dhe ne do të derdhin të gjitha energjitë që të ndërtohet një proces sa më gjithëpërfshirës, që t`i japim vendit një president në frymën e Kushtetutës dhe jo një noter partiak. Kam kërkuar takim me krerët e palëve, që të arrihet një konsensus i gjerë për mënyrën se si palët do të duhet ta trajtojnë këtë proces, është herët të flitet për emra, pasi kjo është faza përgatitore për këtë proces, por është koha të flasim për identikitin e presidentit të ardhshëm. Nga mënyra se si do zgjidhet varet fati i statusit të vendit kandidat në BE”, tha kreu i selisë rozë, duke paraqitur edhe tre kërkesa që duhet të përmbushë presidenti i ri. “Shqipërisë i duhet një president që të plotësojë 3 kërkesa. 1. T`i japë një shtysë vendimit për një proces gjithëpërfshirës duke u zgjedhur përmes një procesi politik dhe jo një proces mekanik dhe të bazuar në numra. 2 Të jetë garant i Kushtetutës. 3. Të përbëjë një faktor sigurues për palët në zgjedhjet e ardhshme parlamentare” shtoi Rama. Më tej ai ka kërkuar nga deputetët socialistë të përfundojë brenda afatit të përcaktuar reforma zgjedhore, ndërsa u shpreh në mbështetje të heqjes së imunitetit për zyrtarët e lartë të shtetit dhe deputetët. “Çështja e reformës zgjedhore duhet të përfundojë sa më shpejt, brenda gjysmës së parë të këtij muaji. Të heqin imunitetin për zyrtarët e lartë dhe të depozitojmë në parlament draftin me synimin se kjo çështje nga tribuna politike të shkojë në duart e të zgjedhurve të popullit” ka thënë Rama në mbledhjen e grupit parlamentarë të PS-së.

2 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)

Autor te 2 Maj 2012. Kryesoret, Politikë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • kirurg

    Vini re, ju lutem, jo “noter politikë”, por “noter politik”! qe nga ky gabim gjuhesor, nuk me vjen ta lexoj shkrimin, me vjen keq.