Grupi i të arrestuarve gjatë operacionit të djeshëm “Monstrum” lidhur me vrasjen e pesëfishtë në Smilkovc të Shkupit, pritet që sot të paraqitet në gjykatë për marrjen e masës së sigurisë. Ata janë mbajtur gjatë gjithë natës nëpër disa rajone policie, ku janë marrë në pyetje nga ekspertët e policisë maqedonase. Të ndaluarit janë pyetje veçmas, derisa të verifikohet se nga cila armë është qëlluar në drejtim të pesë viktimave. Ministria e Punëve të Brendshme maqedonase dje kërkoi 24 orë kohë për të ngritur akuzat penale kundër të ndaluarve, ndërsa shtoi se më pas do të publikojë edhe emrat e tyre. Ministria e brendshme maqedonase Gordana Jankullovska, deklaroi dje se të ndaluarit janë pjesë e një grupi radikal islamik dhe arrestimi i tyre u bë në disa lagje të Shkupit të banuar nga shqiptarë si: Çair, Hasanbeg, Shutkë dhe Haraçinë. Arrestime pati edhe në komunën e Likovës, ku u arrestua një grua e moshuar 60-vjeçare, për armëmbajtje pa leje si dhe një i moshuar tjetër. Sipas saj, në mesin e të arrestuarve ka persona që kanë qenë direkt të përfshirë në vrasje, si dhe të tjerë për të cilët nuk ka ende të dhëna se kanë qenë në vendin e ngjarjes. 2 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)