Depresioni


Sherret në familje, por edhe në dashuri, kanë çuar një vajzë të re drejt vetëvrasjes, e cila me një thikë ka tentuar t’i japë fund jetës, duke u vetëprerë në fyt. Ngjarja e rëndë ka ndodhur dy net më parë në Tiranë, por ajo ka shpëtuar nga vdekja. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se rreth orës 19.00 të së martës, Xhuljana S., 21 vjeçe, banuese në rrugën “Demokracia” në Vorë, në ambientet e banesës së saj ka tentuar të vrasë veten me mjete prerëse, duke prerë fytin. Menjëherë ajo është dërguar në spital nga familjarët e saj dhe pasi ka marrë ndihmën e nevojshme është larguar në banesë, ku fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Komisariatit Nr. 6, që kanë marrë kontakt me të dëmtuarën, por edhe me familjarët e saj, nga dëshmitë e të cilëve ka rezultuar se ajo ka tentuar t’i japë fund jetës pas disa zënkave. Ndërkaq, një 28-vjeçar tjetër ka tentuar të vetëvritet, duke prerë damarët e dorës. Ngjarja ka ndodhur në bulevardin “Bajram Curri”, ndërkohë që i dëmtuari, i cili ka prerë damarët e dorës së majtë, ka deklaruar se e kishte kryer këtë veprim, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë në mëlçi. Aktualisht, 28-vjeçari Fatmir Z. ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe nën kujdesin e mjekëve.