Besnik Gjongecaj – Raporti i shqiptarëve me hebrenjtë ridimensionohet sa herë që populli izraelit përkujton dramën e madhe të Holokaustit. Kryeministri kanadez, Stefen Harper, e shpjegoi me besën e shqiptarëve ndihmën e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, të cilën e përkufizoi po aty si “mbajtjen e një premtimi të dhënë”, apo si “një kod nderi” me të cilin është pajisur populli shqiptar në mbrojtje të ekzistencës së tij. E mbijetuara e Holokaustit, Joanna Newman, në prani të Kryeministrit të Shqipërisë, shfaqi në Uashington dokumentarin e saj mbi shpëtimin e një familjeje hebreje që i mbijetoi Holokaustit, sepse u mikprit, u strehua dhe u mbrojt nga shqiptarët. Edhe në këtë rast lajtmotivi ishte po ai: ishin besa, mikpritja, vënia në rrezik e jetës së shqiptarëve, pra, në thelb, ishin virtytet e tyre ato që shpëtuan rreth 2000 hebrenj nga gjenocidi. Qoftë edhe vetëm prania fizike e ndihmoi Kryeministrin shqiptar të transferojë spontanisht te vetja dhe te qeverisja e tij një pjesë të ndriçimit të marrëdhënieve midis shqiptarëve dhe hebrenjve. Atë ditë, Kryeministri i Shqipërisë dhe qeveria që kanë sot shqiptarët e panë veten të ndriçuar nga një dritë prej së cilës meritojnë të ndriçohen më pak se kushdo tjetër: nga drita e vlerave të konstitucionit shpirtëror të shqiptarëve.
* * *
Dy janë mundësitë që një popull të rregullojë jetën e tij: nëpërmjet kodeve morale ose nëpërmjet ligjit. Sigurisht, pa mohuar edhe një kombinim pjesor të tyre, madje duke e quajtur këtë kombinim “një rregullim superior” të jetës së një kombi. Një pjesë e madhe e shqiptarëve e patën rregulluar jetën e tyre nëpërmjet Kanunit të Lek Dukagjinit, i cili, po të lexohet me vëmendje, rregullon të gjitha aspektet e jetës njerëzore. Gjithsesi, ai mbështetet në disa shtylla, por mbi të gjitha, ajo që përshkruhet në kanun ka një fije peri që i lidh, që i bën një të tërë pjesët e tij dhe ky është morali i besës. Besa lidh në një të vetëm nderin, mikun, gjakun, bukën, hakmarrjen (drejtësinë). I gjithë konstitucioni shpirtëror i shqiptarëve, e gjithë praktika e mbijetesës së tyre, “qëndiset” në një profil të vetëm, në një ekzistencë të vetme, nga filli i besës. Ashtu si në gjithë botën, edhe në Shqipëri, megjithëse të shfazuar në kohë, gjërat filluan të ndryshojnë dhe gradualisht. Me të drejtë studiuesi japonez i Kanunit, Yamamoto, në një intervistë të tijën, tregon qartësisht se elementët bazë të Kanunit i ka gjetur të ngjizura te konceptet etike të veprave të Homerit, te tragjeditë greke gjithashtu. Por, ai qartësisht konstaton se disa elementë të tragjedive greke po ndryshonin, pasi ato po shkruheshin në Athinë, e cila po merrte formën e shtetit. Prandaj, konstaton studiuesi i Kanunit, ato (tragjeditë), pasqyrojnë kohën e ndërmjetme të moralit njerëzor, kur shoqëria pa praninë e shtetit kalon e bëhet një shoqëri me prani gjithmonë e më të lartë të tij (ligjit). Këtu kemi mbërritur ekzaktësisht te problemi i sotëm shqiptar; te problemi që lind kur qeverisja nuk krijon shtetin ligjor, por fantazmën e tij dhe qytetarët e vendit mbeten pa të dyja: pa ligjet dhe pa kodet morale.
* * *
Duke mos qenë as qeverisje demokratike dhe as diktatoriale, madje, jo rrallë, duke mos qenë fare qeverisje, por vetëm një qendër pushteti që në konspiracion rregullon interesat e grupeve apo “çetave” që operojnë në këtë vend, qeverisja e sotme e ka vënë shqiptarin në pozitën më të vështirë që ai ka pasur ndoshta në krejt historinë e tij. Shqiptari i sotëm komunikon me dy tipa shtetesh brenda të njëjtëve kufij shtetërorë. Është shteti virtual, janë fytyrat e ngrira që varen në “ballkonet” e tij dhe i thonë shqiptarit se për të nuk ka asnjë rrugë tjetër veçse të zbatojë ligjin. Pastaj është ai shteti tjetër, ai i vërteti. Kur troket në portat e këtij shteti shqiptari merr një mesazh të kundërt, por gjithsesi shumë të qartë: vetëm për zbatimin e ligjit nuk bëhet fjalë. Troket në gjykatë dhe i duhet të paguajë për të fituar drejtësi, shkon në universitet dhe i duhet të paguajë apo të bëjë një trafik tjetër për të fituar diplomë, troket për punë dhe i duhet të gjejë një rrugë që vetëm ligjore nuk është për ta marrë atë, kandidon për kryetar komune, për deputet, për t’u bërë soj apo sorrollop në politikë dhe për këtë vetëm konkurrimi i drejtë nuk funksionon, kërkon të fitojë një post dhe për këtë vetëm kriteret nuk janë të nevojshme të plotësohen, kërkon të ruajë një vend pune dhe vetëm aftësitë nuk hyjnë në punë për ta bërë këtë gjë, kërkon një të aftë dhe jo një gomar në krye dhe vetëm vota dhe aftësia nuk vlen për këtë gjë. Substancialisht, shqiptari i sotëm ndodhet përballë një shteti që nuk e prek dot me dorë, që nuk komunikon me të, madje, as nuk e ndjek dot për ta kapur, sepse është po aq pamundur sa edhe kapja e hijes së tij. Akoma më shumë ai ndodhet përballë një shteti armiqsor, prej të cilit duhet të ruhet të mos e vrasë, të mos e plaçkitë, të mos e lërë pa punë, të mos i marrë tokën, shtëpinë, të mos e çnderojë në zyrat e tij. Në një situatë të tillë, shqiptarit nuk i mbetet gjë tjetër vetëm se t’u kthehet kodeve të vjetra për të rregulluar jetën e tij. Veçanërisht besës. T’i kthehet jo sepse e ka marrë malli për to, jo për shkak të bukurisë morale, elegancës së formulimit, por për shkaqe jetësore, pragmatiste, pra, për t’i përdorur në rregullimin e jetës së tij pikërisht në atë hapësirë të lënë bosh nga mungesa reale e shtetit. Ekzaktësisht, në këtë pikë, shqiptari i sotëm ka thyer e thyen çdo ditë hundë e buzë. Përballë një shteti të pabesë, të pashpirt, të sofistikuar, që ecën mbi thundra të serta, besa e shqiptarit, kodet morale, vetë Kanuni si i tillë, duken aq të brishta, aq të thyeshme, eterike, jo reale, të padobishme përfundimisht. Shqiptari i sotëm jo vetëm që nuk mund t’i përdorë ato, por i duhet t’i fshehë sa më thellë në vetvete, në ndërgjegjen e tij. Madje t’i zhdukë përfundimisht, t’i copëtojë, të jetojë pa to. Kodet fisnike, morale dhe etike, veçanërisht besa, jo vetëm nuk i duhen për të siguruar ekzistencën, mbijetesën, por akoma më shumë, prania e tyre e bën të dobët, të paaftë, të thyeshëm, humbës. Sepse përballë ka përfaqësuesit e shtetit, të pabesët, të cilët nuk kanë rregulla, nuk kanë kode, nuk zbatojnë ligje. Sepse në luftën me pabesinë është besa ajo që vritet e para.
* * *
Të ndrydhur në hapësirën e ngushtë të “vjetrimit të Kodit të Etikës, të vetë besës” nga njëra anë dhe mungesës reale të shtetit ligjor nga ana tjetër, shqiptarët e sotëm kanë mbetur pa mjetet e nevojshme për të ndërtuar qytetërimin që u takon. Me një shpejtësi tragjike ata po shkatërrojnë vlerat e krijuara me mundim në krejt historinë e tyre. Kjo është e vetmja rrugë për të larguar një “armatim” që nuk iu vlen në luftën moderne për mbijetesë nga njëra anë dhe nga ana tjetër, po me kaq shpejtësi dhe po kaq tragjikisht po gjymtohen shpirtërisht, po pajisen me të keqen që i ndihmon të mbijetojnë në një shoqëri pa shtet të vërtetë, në një luftë pa rregulla, në një luftë të pashpirt, si në xhungël, si në Perëndimin e largët. Zoti Harper në Kanada dhe zonja Newman në Washington glorifikuan besën e shqiptarëve, por nuk thanë asgjë se si ajo është kapur në grackë nga pabesia e sotme e qeverisjes së tyre. Më në fund, shqiptarët duhet ta kuptojnë se nëse të huajt kanë një gjë për të ndarë me shqiptarët, ajo është e mira, është vlera. Të keqen nuk e ndan njeri, ajo është e gjitha e atyre që e prodhojnë. Në këtë rast e shqiptarëve.