“Henri VI”, drejt Londrës me polemika

Pjesa e dytë e trilogjisë së Shekspirit do të jetë nesër, në orën 20:00, në premierën në Teatrin Kombëtar, ndërsa në datat 12-13 maj do të shfaqet shqip, në teatrin “Globus” të Londrës, në Festivalin Botëror të Shekspirit. Ende pa u parë cilësia artistike e kësaj shfaqjeje, diskutimet kanë filluar mbi çështje teknike, si tërheqja e Ndriçim Xhepës, apo dietat e aktorëve gjatë qëndrimit në Londër 

Oliverta Lila - “Henri VI”, pjesa e dytë e trilogjisë së Shekspirit, do të ngjitet nesër premierë, në Teatrin Kombëtar. Kjo do të jetë përballja e parë me publikun shqiptar, por që në fillimet e punës, kjo shfaqje është punuar me synimin e prezantimit në Festivalin Botëror të Shekspirit në Londër. Teatri Kombëtar prezantohet për herë të parë, krahas 36 shfaqjeve të tjera në datat 12-13 maj. Do të flitet shqip dhe do të interpretohet në skenën e “Globus Theatre” thuajse si në kohën e Shekspirit, pa dekor e pa ndriçim. Pjesa vjen me regji të Adonis Filipit dhe me një kast prej 23 aktorësh (Indrit Çobani, Ermira Hysaj, Bujar Asqeriu, Yllka Mujo, Kristaq Skrami, Vasjan Lami, Dritan Boriçi, Neritan Liçaj, Ahmet Pasha, Naun Shundi, Fatos Sela, Ervin Bejleri, Mehdi Malka, Arben Derhemi, Sokol Angjeli, Gjergj Mena, Marjana Kondi, etj.) Drejtori i Teatrit, Kristaq Skrami, i cili në këtë vepër ka edhe një rol, është shprehur i entuziazmuar për këtë pjesëmarrje, duke theksuar se ky aktivitet organizohet në kuadër të Lojërave Olimpike të Londrës. Duke e cilësuar si premierë absolute pjesën e dytë të “Henrit VI” në skenën e “Globus”, Skrami falënderoi MTKRS-në, Bashkinë e Tiranës dhe sponsorët privatë për mbështetjen e prezantimit të Shqipërisë në këtë aktivitet. “Teatri ‘Globus’ mbulon vetëm 50 për qind të shpenzimeve, prandaj për ne ka qenë shumë e rëndësishme kjo mbështetje dhe shpresojmë të bëjmë një paraqitje dinjitoze”, ka thënë Skrami, duke kujtuar se kjo shfaqje do të udhëtojë më pas në Beograd dhe në Manastir. Regjisori Adonis Filipi e konsideron si sfidë këtë pjesëmarrje. Në konferencën e djeshme për shtyp, ai theksoi se këtë shfaqje e ka lënë në shtratin klasik, por duke i dhënë ndjesi bashkëkohore. “Të marrësh pjesë në këtë eveniment të madh kulturor është privilegj, por ky është vetëm momenti i parë i gëzimit, sepse pastaj reflekton mbi përgjegjësinë e një prezantimi dinjitoz. Ka qenë një proces i vështirë në raport edhe me kërkesat e festivalit për kohëzgjatjen e shfaqjes dhe kualitetin artistik të veprës. Është bërë kujdes që në konceptimin e veprës për një fokusim brenda një koncepti unik, duke eksploruar natyrën e pushtetit dhe natyrën e revolucioneve sociale, më pak ka zënë vend një aspekt tjetër siç është marrëdhënia mes së drejtës hyjnore dhe mëkatit, por të gjitha janë fokusuar rreth një kohe prej 2 orë e 20 minutash. Është bërë kujdes që në këtë sipërmarrje të jenë aktorët më të mirë të teatrit. Ne jemi përpjekur të bëjmë më të mirën e mundshme dhe përtej kësaj nuk kemi menduar”, ka thënë regjisori Adonis Filipi. Sa i përket kastit të aktorëve, këto kohë është përfolur tërheqja e aktorit Ndriçim Xhepa (Kardina Hjum, që tashmë interpretohet nga Neritan Liçaj) e po ashtu, edhe e aktorit Mirush Kabashi. Në fakt, ky i fundit thekson se ajo e tija nuk ishte një tërheqje, pasi që në fillim të procesit të punës, nuk ka rënë dakord me rolin e ofruar. “Unë nuk u tërhoqa. Më ofruan rolin e një figuranti, tek i cili nuk pashë se mund të jepja gjë. Për këtë arsye nuk e pranova dhe pata edhe mirëkuptimin e regjisorit”, thotë Kabashi. “Diversiteti i mendimeve është pjesë e procesit të punës dhe kjo nuk më duket çështje thelbësore”, ka theksuar regjisori Adonis Filipi. Ndërkohë, drejtori Skrami ka thënë se tërheqja e Ndriçim Xhepës ka të bëjë me arsye shëndetësore, të aparatit të të folurit. Në fakt, ende pa u parë dhe pa pasur mundësi të diskutohet për cilësinë e kësaj shfaqjeje që do të përfaqësojë Shqipërinë, ka filluar të debatohet mbi çështje teknike. Një prej tyre është edhe pretendimi se Teatri Kombëtar, gjatë udhëtimit në Londër, po trajton në mënyrë të pabarabartë kastin e aktorëve sa u përket dietave. Skrami e ka mohuar kategorikisht një gjë të tillë, duke folur edhe me tone nervozizmi. “Kjo nuk është aspak e vërtetë. Nuk ka ndodhur asnjëherë dhe nuk ka për të ndodhur ‘diskriminim’ i aktorëve në teatër. Pjesa e aktorëve, shpenzimet e të cilëve mbulohen nga ‘Globus Theatre’ do të trajtohen me 30 paund në ditë, ndërsa aktorët e tjerë me 35 euro. Ku është diferenca këtu, me një 500 lekësh?”, është shprehur Skrami. Konferenca e shtypit më tej ka marrë tone nervozizmi, e në vend të një diskutimi mbi shfaqjen, aktorët kanë marrë pozat e gjykimit mbi parimet e gazetarisë. Në fund të konferencës, duke theksuar edhe një herë që kjo shfaqje është një sfidë (në qendër lufta për pushtet), regjisori Adonis Filipi theksoi se vizioni i shfaqjes është mbështetur mbi dy aspekte: traditat më të mira të teatrit shqiptar që është interpretimi dhe virtualiteti estetik. Pjesa është përkthyer nga Shpresa Qatipi dhe Piro Tanku, skenografia realizohet nga Genc Shkodrani, kostumografia nga Anila Zajmi, koreografia nga Georgia Maddamma (e cila erdhi në Tiranë me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës), muzika nga Armand Broshka dhe solist Fatos Qerimaj.

Autor te 3 Maj 2012. Kulturë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry